Deputeti Dragan Kovaçki pengoi gazetarët të merrnin deklaratë nga drejtori i ASK-së, reagoi ShGM
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragan Kovaçki sot në Kuvend i pengoi gazetarët të marrin deklaratë nga drejtori i ASK-së Bojan Hristovski. Gazetarët kërkuan deklaratë pas daljes nga seanca e Komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së, ku mori pjesë edhe drejtori Bojan Hristovski, i cili është në qendër të vëmendjes për shkak të certifikatës së rreme […]
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragan Kovaçki sot në Kuvend i pengoi gazetarët të marrin deklaratë nga drejtori i ASK-së Bojan Hristovski. Gazetarët kërkuan deklaratë pas daljes nga seanca e Komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së, ku mori pjesë edhe drejtori Bojan Hristovski, i cili është në qendër të vëmendjes për shkak të certifikatës së rreme të gjuhës angleze nga Plovdivi i Bullgarisë, raporton Sdk, transmeton Portalb.mk.
Kur gazetarët filluan bisedën me Hristovskin dhe ai filloi t’u përgjigjej pyetjeve, Kovaçki filloi ta ndërpresë:
“Drejtor hajde se po të presin”.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënoi sjelljen joprofesionale dhe të pahijshme të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, i cili sot ka penguar gazetaren e medias online, portali Sakamdakazam.mk, Sonja Delevska, gjatë ushtrimit të detyrës së saj profesionale në Kuvend.
“Siç raportohet në shkresën e dërguar SHGM-së, gazetarja Delevska po kryente detyrën e saj profesionale duke i drejtuar pyetje legjitime drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski. Ndërsa Hristovski po i përgjigjej pyetjeve të Delevskës lidhur me certifikatën e tij për gjuhën angleze, deputeti Kovaçki iu drejtua me fjalët: “fike mikrofonin, po regjistron,” duke treguar nga telefoni i saj. Delevska i ofroi telefonin e saj deputetit, por ai refuzoi ta merrte dhe thirri Hristovskin që të largohej. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë një nivel të duhur respekti dhe qasje konstruktive ndaj mediave dhe përfaqësuesve të tyre, të përgjigjen rregullisht ndaj pyetjeve të tyre, dhe të përmbahen nga çdo formë presioni apo shpifjeje”, thuhet në reagimin e SHGM-së.
Nga kjo Shoqatë kujtojnë se liria e mediave dhe e drejta e gazetarëve për të bërë pyetje janë parime themelore të një shoqërie demokratike. Çdo përpjekje për të penguar, frikësuar ose diskredituar gazetarët përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe transparencës së institucioneve.