Siljanovska-Davkova ka tërhequr shtatë ambasadorë
Dekretet për tërheqjen e shtatë ambasadorëve nga kabineti i presidentes Gordana Siljanovska-Davkova janë publikuar në numrin e fundit të Gazetës Zyrtare të datës 11 nëntor. Bëhet fjalë për ambasadorë të jashtëzakonshëm dhe të plotfuqishëm në pesë vende dhe dy organizata. Në mesin e tyre është edhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO me seli […]
Dekretet për tërheqjen e shtatë ambasadorëve nga kabineti i presidentes Gordana Siljanovska-Davkova janë publikuar në numrin e fundit të Gazetës Zyrtare të datës 11 nëntor. Bëhet fjalë për ambasadorë të jashtëzakonshëm dhe të plotfuqishëm në pesë vende dhe dy organizata. Në mesin e tyre është edhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO me seli në Bruksel, Dane Taleski, i cili sipas vendimit do të qëndrojë, ambasador deri më 15 janar 2025, ndërsa mandati i gjashtë të tjerëve përfundon më 30 nëntor të këtij viti, raporton Radio Evropa e Lirë.
Nga 1 dhjetori përfundon mandati i Teuta Agai Demjahës, e cila është shefe e misionit ekzistues të Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Ndër ambasadorët e tjerë të tërhequr është Danço Markovski në Shqipëri. Në periudhën e kaluar ai u thirr në bisedë nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, lidhur me aktivitetet e diplomacisë maqedonase në lidhje me regjistrimin e popullsisë që u bë në Shqipëri.
Dekrete janë tërhequr edhe për ambasadoren në Selinë e Shenjtë në Vatikan, Maria Efremova, pastaj Faton Bejta nga Danimarka, Sali Limani nga Kazakistani dhe Shaban Jashari, i cili është ambasador në Katar me qendër në Doha.
Dekretet nuk specifikojnë arsyet pse këta ambasadorë janë tërhequr.
Krahas vendimeve me datat dhe emrat e ambasadorëve, thuhet se “ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do ta ekzekutojë këtë dekret”.
Radio Evropa e Lirë ka shkruar se ekziston mundësia e kthimit të ambasadorëve të tjerë të cilët para se të dërgohen në vendin pritës nuk janë “dëgjuar” në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit.
Ky opsion u hap pasi deputetët e VMRO-DPMNE-së në pushtet iniciuan procedurë për interpretim autentik të Ligjit për Punë të Jashtme për të marrë mendim nëse mbrojtja e tezave para deputetëve është e detyrueshme apo jo.
“Unë personalisht dua që kjo çështje të interpretohet sepse besoj se me dërgimin e ambasadorëve pa i mbrojtur tezat e tyre para deputetëve nuk është respektuar Ligji për Punë të Jashtme”, tha deputeti Bojan Stojanoski për Radion Evropa e Lirë.
Nëse i njëjti mendim është edhe plenumi parlamentar, deputetët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga MPJ që t’i tërheqë ata ambasadorë. Megjithatë, një interpretim autentik ende nuk është dhënë nga Kuvendi.
Jozyrtarisht, dhjetëra ambasadorë mund të kthehen në këtë mënyrë.