Deputetja demokrate Tabaku ngre zërin kundër klimës së mbytjes së medias në Shqipëri: Investimi strategjik i qeverisë kundër lirisë së fjalës
Shqipëria përballet me një klimë gjithnjë e më të përkeqësuar të medias, ku autocensura dhe kërcënimet ndaj gazetarëve po bëhen normë. Në një konferencë të zhvilluar me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimin e saj ndaj përdorimit të padive strategjike (SLAPP) si mjet për të heshtur […]
Shqipëria përballet me një klimë gjithnjë e më të përkeqësuar të medias, ku autocensura dhe kërcënimet ndaj gazetarëve po bëhen normë. Në një konferencë të zhvilluar me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimin e saj ndaj përdorimit të padive strategjike (SLAPP) si mjet për të heshtur fjalën e lirë dhe për të frikësuar gazetarët.
Në videon e postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku e cilësoi këtë fenomen si një tjetër investim strategjik i qeverisë në luftën kundër lirisë së medias. “Duhet të luftojmë çdo ditë për lirinë e fjalës, ashtu siç luftojmë për gjithçka tjetër”, deklaroi ajo, duke nënvizuar nevojën për një diskutim kombëtar për të mbrojtur gazetarët dhe për të ndaluar frikësimin e tyre përmes padive.
Si Kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, Tabaku theksoi angazhimin e saj për të çuar përpara këtë çështje, duke bashkëpunuar ngushtë me shoqërinë civile dhe median, për të siguruar se thënia e së vërtetës në Shqipëri nuk do të jetë luks, por një e drejtë e patjetërueshme.
Postimi i plotë i Tabakut:
Keni dëgjuar për kazanë, keni dëgjuar për shpifarakë me pagesë, keni dëgjuar për për llum që i hidhet kujtdo vetëm se ka një mendim ndryshe nga Qeveria. Dhe kush e bën gjithë këtë investim? Kush i thotë gjithë këto fjalë? Sigurisht ato që sot e cdo ditë bëjnë padi strategjike kundër gazetarëve. Pikërisht ky ishte diskutimi që patëm sot me organizata të shoqërisë civile, me përfaqësuesit e medias , për të hapur një diskutim kombëtar sesi mund të evitojmë autocensurën, sesi mund ti mbrojmë gazetarët për të thënë të vërtetën, sesi mund të stimulojmë që në Shqipërinë e 2024 , thënia e së vërtetës mos të jetë tabu, mos të jetë luks por të jetë një e drejtë reale që e ka kushdo.
Mora sot një angazhim nga organizatat e shoqërise civile dhe media për të gjitha këto fusha e për të hapur një debat e një diskutim kombëtar qoftë dhe në emër të procesit të integrimit, megjithëse ne duhet ta ndryshojmë realitetin për Shqipërinë e për shqiptarët, sepse sot ambienti i medias është bërë mbytës e ne duhet të luftojmë cdo ditë ashtu sic luftojmë për cdo gjë tjetër, duhet të luftojmë dhe për lirinë e fjalës që askush mos të ketë forcën dhe kërcënimin e një padie për ti kërcënuar mediat, për të mbyllur mediat e për ti ndaluar ato për të denoncuar cdo ditë sic kanë bërë deri më sot. Unë këtë angazhim e mora qartësisht si Kryetare e Komisionit të Cështjeve Europiane dhe do vazhdoj ta coj deri në fund, ashtu si cdo iniciativë tjetër që kam marrë.