Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, Berisha: Është një goditje e mirëfillte politike
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me dhunimin e avokatit të tij, Sokol Mëngjesi ditën e sotme në Tiranë. Në fjalën para mbështetësve të mbledhur pranë banesës së tij, Berisha tha se krimi i mbështetur nga qeveria “Rama” dhunoi avokatin. Berisha tha se Mëngjesi “është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën […]
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me dhunimin e avokatit të tij, Sokol Mëngjesi ditën e sotme në Tiranë.
Në fjalën para mbështetësve të mbledhur pranë banesës së tij, Berisha tha se krimi i mbështetur nga qeveria “Rama” dhunoi avokatin.
Berisha tha se Mëngjesi “është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën”.
“Të dashur miq, sot krimi i mbështetur, i mbrojtur, i fuqizuar nga qeveria e krimit, goditi një prind tek dërgonte fëmijën në kopsht. Goditi një akademik, profesor. Goditi një qytetar me integritet. Një njeri të virtytshëm, një shërbëtor të shkëlqyer të qytetarëve të vendit. Goditi profesor Sokol Mëngjesin. Të dashur miq, Sokol Mëngjesi është nga ata intelektualë që studioi jashtë, por u kthye t’i shërbejë vendit të vet dhe qytetarëve të tij. T’u shërbejë atyre me dinjitet. Ai është një personalitet në botën akademike shqiptare. Një specialist i shquar në fushën e tij. Por ai është një luftëtar i të vërtetës dhe ai pagoi sot betejën e tij për të vërtetën, për ligjin, për të drejtën. Duke i uruar shërim të plotë profesorit të nderuar, Sokol Mëngjesi, i deklaroj Edi Ramës dhe Taulant Ballës se ky është një sulm direkt kundër opozitës. Se do mbajnë çdo përgjegjësi për këtë akt kriminal të shëmtuar. Për këtë skenar të stisur! Se sot ke goditur një avokat të të vërtetës që të demaskoi ty para shqiptarëve dhe botës me farsën e dosjes tënde ndaj kundërshtarit politik, Sali Berisha. Që të hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe botës të një kryeministri bandit që nuk ke ligj, Kushtetutë dhe moral, por që je një kriminel në krye të protektoratit të krimit në Shqipëri. Miqtë e mi, sot ishte ditë e vështirë sepse një intelektual i shquar u godit në mes të Tiranës. Ftoj intelektualët të bashkohen me ne në protestë sepse secili prej tyre nesër mund të pësojë fate të ngjashme. A nuk ishte Edi Rama mbrapa Emiljano Shullazit, që kërcënoi kandidatin për rektor me rrëmbim të djalit? Sepse donte t’i jepte tenderin e kampusit të universitetit, Emiljanës së Edi Ramës. Po pse të mos themi ne se është Edi Rama mbrapa grupit të strukturuar kriminal që goditi sot për t’i marrë jetën avokatit Sokol Mëngjesi, si hakmarrje e verbër, primitive ndaj përmbysjes së plotë të dosjes Dumani-Kraja-Melonai, këtyre mercenarëve të shpifur të drejtësisë shqiptare”,-tha Berisha.
Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua nga tre persona për shkak të detyrës. Mëngjesi ka qenë avokati i një familje që kishte probleme pronësie me trashëgimtarët e tjerë, gjyqi është fituar nga familja që përfaqësohej nga avokati që u dhunua.
Sipas informacioneve kanë qenë në total 8 trashëgimtarë që i përfaqësonte si avokat Sokol Mëngjesi. Njëri nga 8 trashëgimtarët, Dritan Nano nuk ka pranuar zbatojë kontratën pas fitimit të pronës. Në këtë situatë avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur. Vetëm Dritan Nano nuk e ka pranuar.
Avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos për mos zbatimin e kontratës që e ka fituar, dhe përmbarimi i ka bllokuar pronën duke mos e lejuar që të shitet.
Në këtë situatë Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.
Takimi i parë ka qenë përpara një muaji por nuk kanë rënë dakord. Sokol Mëngjesi ka pretenduar se ka një kontratë që duhet ta zbatojë studio ligjore.
Ndërkohë, nga tre autorët është vetëdorëzuar Dorian Aliaj, ndërkohë janë ende në kërkim Romario Tabaku, Elton Kasaj dhe Drivald Aliaj.