Diskutim: Studentët kërkojnë të jenë prioritet në Maqedoninë e Veriut që sa më parë të zgjidhen problemet e tyre (Video) 

Studentët në Maqedoninë e Veriut vijojnë të përballen me probleme të ndryshme siç janë: standardi i lartë studentor, problemet me linjat e transportit, kushtet e këqija nëpër konvikte, pamundësitë për të punuar, dhe të tjera. Ata thonë se nuk janë prioritet për institucionet, ndërkaq çështja nuk është të jesh ose jo student në RMV, por […]

dhjetor 12, 2024 - 18:00
 0  4
Diskutim: Studentët kërkojnë të jenë prioritet në Maqedoninë e Veriut që sa më parë të zgjidhen problemet e tyre (Video) 
Diskutimi online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?"

Studentët në Maqedoninë e Veriut vijojnë të përballen me probleme të ndryshme siç janë: standardi i lartë studentor, problemet me linjat e transportit, kushtet e këqija nëpër konvikte, pamundësitë për të punuar, dhe të tjera. Ata thonë se nuk janë prioritet për institucionet, ndërkaq çështja nuk është të jesh ose jo student në RMV, por çështja është a do të luftohet deri në fund që të zgjidhen problemet ose jo, shkruan Portalb.mk. 

Në këtë përfundim mes tjerash ranë të rinjtë studentë në diskutimin “Të jesh apo të mos jesh student në RMV”. Studentët ndanë përvojat e tyre ndërsa propozuan edhe zgjidhje konkrete për disa nga problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë.

Edhe pse ishin të ftuar të dëgjojnë hallet e studentëve, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk pati përfaqësues.

Linjat e transportit dhe çmimet e larta, “kokëdhimbje” për studentët çdo ditë 

Studentja nga Gjevgjelia Marija Jovanovska e cila studion në Shkup tha se transporti është një nga problemet me të cilat përballen çdo ditë. Duke rrëfyer përvojën e saj personale ajo tha se edhe çmimet janë të larta. 

“Nga Gjevgjelia për në Shkup një biletë dy drejtimshe është 900 denarë. Ka studentë që shkojnë në shtëpi çdo fundjavë, është shtrenjtë”, tha Jovanovska. 

Ajo tha se zgjidhje në këtë drejtim mund të merret Ohri ku ka 30 përqind zbritje për studentët në transport.

“Do apeloja te të gjithë komunat dhe qeveria që kjo masë, pra zbritja për studentët, të aplikohet në të gjithë vendin”, tha Jovanovska. 

Ajo tregoi edhe se për në Gjevgjeli ka tren me çmime më të lira, por përsëri duhet të ketë më shumë linja. 

“Mua më shumë më përshtatet treni, pavarësisht nëse zgjat më shumë udhëtimi, do apeloja që sa më shpejt t’i kthejnë linjat, të ketë linja edhe brenda ditës. trenat janë tregim më interesant, ndonjëherë kur kam udhëtuar janë prishur është dashur të presim dhe probleme të ndryshme”, tha ajo. 

Marija Jovanovska në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?"
Marija Jovanovska në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?”

“Nuk jemi të kënaqur me kushtet, por duhet të fillojmë nga vetja” 

Në Maqedoninë e Veriut së fundmi është krijuar edhe Trupi Nacional Studentor i cili është në fillimet e veta. Sheval Ziza nga ky Trup theksoi se gjendja e studentëve në vend dhe kushtet nuk janë të mira. 

Ai beson se me një organizim të mirëfilltë, ndryshimet mund të ndodhin.

“Duhet të fillojmë nga vetja, të gjejmë kolegë si ne dhe të bëjmë ndryshim të gjendjes momentale” tha Ziza. 

Ai shtoi se gjërat duhet të promovohen kur ka rezultate konkrete dhe jo si paralajmërime nga ana e institucioneve. 

“Jemi këtu t’i motivojmë studentët, se së bashku mund të bëjmë ndryshime”, shtoi ai. 

Sheval Ziza në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?"
Sheval Ziza në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?”

Praktika sllovene të bartet edhe në RMV 

Se si mund të përmirësohet gjendja në RMV duke marrë shembull nga një vend tjetër jo shumë i largët, tregoi Milena Gligorova e cila studion në Slloveni. Ajo ka mbaruar studimet deridiplomike në Lubjanë ndërsa tani i vijon studimet master në Maribor

Ajo tregoi se studimet në Slloveni janë pa pagesë, ndërsa ka vetëm disa pagesa të vogla

Gligorova sqaroi se në Slloveni kanë shumë mundësi dhe benefite edhe pse janë studentë nga vendet e huaja

“Është e rregulluar puna e punës studentore përmes shërbimeve studentore që na mundëson neve studentëve të punojmë në disa kompani”, tha Gligorova. 

Ajo sqaroi se sa i përket transportit karta mujore në Lubjanë për studentët është 20 euro, kurse në Maribor 17 euro. 

Mes tjerash tregoi edhe sistemin e kuponëve studentor me të cilët ata për pak para mund të hanë në shumë restorante. 

“Të gjithë këto na lehtësojnë studimet dhe jetën studentore. Modeli slloven do ishte mirë të aplikohet edhe në RMV”, tha Gligorova. 

Milena Gligorova në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?"
Milena Gligorova në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?”

FNA: Nuk jemi prioritet për institucionet, kemi propozim konkret për transportin

Arsimi dhe studentët nuk janë prioritet për vendin, kështu janë të bindur nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA). 

Viktorija Postolovska nga kjo organizatë tha se arsyeja që sot nuk kishte përfaqësues nga Ministria e Arsimit të dëgjojnë për këto probleme është se nuk i kanë prioritet hallet e tyre. 

“Arsimi nuk është prioritet në vendin tonë. Përvoja e të gjithë studentëve tregon se situata nuk është e mirë Sektori joqeveritatr dhe studentët mes tyre bëjnë më shumë për njëri tjetrin se sa bën vetë shteti”, tha Postolovska. 

Ajo tha se ka shumë probleme dhe se duhet të vendosen prioritete në këtë drejtim. 

Një nga problemet të cilat theksoi ajo mes tjerash ishte edhe punësimi i studentëve dhe kushtet adekuate në këtë drejtim, sepse siç tha nuk është se studentët nuk duan të punojnë. 

“Na duhen shkëmbime, konvikte, bashkëpunime midis universiteteve”, theksoi ajo. 

Viktoroja Postolovska në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?"
Viktoroja Postolovska në diskutimin online “Të jesh apo të mos jesh student në Maqedoni?”

FNA-ja është duke punuar në një propozim konkret për të ju dalë në ndihmë studentëve lidhur me transportin dhe bazohet në modelin slloven. 

Drejtori i FNA-së Blendi Hodai theksoi se në Shkup janë 13 mijë studentë të cilët vijnë nga qytete tjera, ngjashëm edhe në Tetovë siç tha ai numri i studentëve nga qytetet tjera është i lartë. 

“Propozimi jonë është i bazuar të gjejmë zgjidhje që ta vendojmë sistemin e Sllovenisë në RMV për transport, i cili do të prezantohet para publikut më 19 dhjetor”, tha Hodai.

Ngjarja u organizua nga Shoqata për Avancimin e Praktikave Mediatike “Media Inovative”, në kuadër të së cilës funksionon portali Portalb, së bashku me organizatën “Forumi për Ndryshime në Arsim”

Ngjarjen e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.