Do të ketë rivotim, Gjykata Administrative e RMV-së i refuzoi të gjithë shtatë paditë nga “Fronti Evropian”

Gjykata Administrative mbrëmë i refuzoi si të pabaza të gjithë shtatë paditë nga “Fronti evropian” kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për rivotim në zgjedhjet parlamentare, njofton Portalb.mk. Me vendimet e Gjykatës Administrative vërtetohen vendimet e KSHZ-së për rivotim në gjashtë vendvotime në Njësinë e pestë zgjedhore dhe një në Njësinë e gjashtë […]

maj 18, 2024 - 14:00
 0  5
Do të ketë rivotim, Gjykata Administrative e RMV-së i refuzoi të gjithë shtatë paditë nga “Fronti Evropian”
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Fisnik Xhelili, Portalb.mk

Gjykata Administrative mbrëmë i refuzoi si të pabaza të gjithë shtatë paditë nga “Fronti evropian” kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për rivotim në zgjedhjet parlamentare, njofton Portalb.mk.

Me vendimet e Gjykatës Administrative vërtetohen vendimet e KSHZ-së për rivotim në gjashtë vendvotime në Njësinë e pestë zgjedhore dhe një në Njësinë e gjashtë zgjedhore –  vendvotimet 1202  dhe 1194 në Krushevë, 1470  dhe 1470/1 në Dollnen, 1272 më Ohër, 1844 në Strugë dhe 2101 në Zhelinë.

Sipas Kodit Zgjedhor, në qoftë se vendimi për rivotim në një vendvotim mund të ndikojë në rezultatat përfundimtare nga zgjedhjet, KSHZ-ja do të organizojë sërish votim 14 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, gjegjësisht më 22 maj.

Pas mesnate, Koalicioni “Vlen” përmes një kumtese i ka përshëndetur vendimet e Gjykatës Administrative dhe ka bërë thirrje për dalje masovike në votimin e përsëritur në vendvotimin ku koalicioni, në varshmëri nga rezultati i votimit, mund të fitojë edhe një deputet më shumë.

“Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie. Ndryshimi i filluar më 8 maj, ka filluar të realizohet, por që të jetë edhe më i shpejtë dhe më efikas i ftojmë qytetarët e vendvotimit 2101 – Komuna e Zhelinës, që të mërkurën (më datë 22 maj) të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre, të lirë, pa iu nënshtruar trysnive të BDI-së dhe manipuluesve të saj në ikje. Ndryshimi i nisur nuk ka kthim prapa. Ja VLEN për Zhelinën dhe për çdo qytetar në vendin tonë”, thuhet në kumtesën nga Koalicioni “Vlen”.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituuohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.