Dorëzohet Albin Kurti, ndryshon masa për mallrat serbe në kufirin e Merdares

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se është ndryshuar masa e sigurisë për importin e produkteve serbe në njërën nga pikat kufitare me Serbinë. Në një konferencë për media, Kurti tha se masa është ndërruar nga kufizimi në kontroll të shtuar, derisa të vijnë skanerët të cilët do të vendosen në të […]

tetor 7, 2024 - 15:00
 0  6
Dorëzohet Albin Kurti, ndryshon masa për mallrat serbe në kufirin e Merdares

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se është ndryshuar masa e sigurisë për importin e produkteve serbe në njërën nga pikat kufitare me Serbinë.

Në një konferencë për media, Kurti tha se masa është ndërruar nga kufizimi në kontroll të shtuar, derisa të vijnë skanerët të cilët do të vendosen në të gjitha pikat kufitare.

“Sot paradite, ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë, nga kufizimi te kontrolli i shtuar. Derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët, atëherë i vendosim në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, për shkak se masat që kemi ne janë masa të sigurisë”, tha kryeministri Kurti.

Ai përmendi “dy zhvillime shumë të rëndësishme”- mbledhjen e CEFTA-s të mërkurën dhe samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.

“Në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbeldhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.

Ndryshe, ky vendim i Qeverisë vjen pas presionit të madh nga Gjermania, të cilët përmes të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, paraqitën kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë.

Sarrazin tha se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Sipas tij, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikonte pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Bllokadën Qeveria e Kosovës e kishte vendosur për mallrat serbe pas rrëmbimit të tre policëve nga Serbia në qershor të vitit të kaluar, ku po atë ditë Dogana e Kosovës ishte urdhëruar që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.

Një javë më pas, vendimi u ndryshua, duke lejuar hyrjen e kamionëve me targa serbe, por me kusht që mallrat e tyre të mos kenë origjinë nga Serbia.