“E paedukatë dhe me mungesë inteligjence”, deklarata e Abdixhikut për Gërvallen nxit reagimin e ashpër të Pecit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ditën e enjte ka kritikuar ministren Donika Gërvalla, duke e cilësuar si të paedukatë dhe me mungesë të theksuar të inteligjencës. Peci e ka quajtur irituese deklaratën e Abdixhikut ndaj Gërvalles. “Është jo vetëm e pakuptueshme e irituese


Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ditën e enjte ka kritikuar ministren Donika Gërvalla, duke e cilësuar si të paedukatë dhe me mungesë të theksuar të inteligjencës.
Peci e ka quajtur irituese deklaratën e Abdixhikut ndaj Gërvalles.
“Është jo vetëm e pakuptueshme e irituese, por edhe e tmerrshme të dëgjojmë Lumir Abdixhikun duke e cilësuar Donika Gërvallën si “e paedukatë’. Lumir, përgjegjëse primare dhe absolute për edukimin e një personi është familja. E, nëse i thua Donikës “e paedukatë”, ti e ke fyer heroin e Kosovës e frymëzimin patriotik e shpirtëror të gjeneratave, Jusuf Gërvallën, e ke fyer heroinën e Kosovës, Suzanën, atë që rriti e edukoi tre fëmijët shembullorë të heroit dhe e ke fyer Nanën Ajshe, që jo vetëm që është gjyshja e shtylla e kësaj familjeje, po është institucion i qenies shqiptare”, ka pohuar ai.
Ai po ashtu ka kritikuar Abdixhikun për fyerjet ndaj tij.
“A je n’vete se çka po fyen, Lumir?! Edhe diçka, Lumir gojëlëshuari: Në mbijetesën e shqiptarit të gjysmës së dytë të shekullit 20 dhe në frymëzimin e tij për liri e pavarësi, rolin kryesor dhe burimin e kthesës historike e kanë: – familja e fortë e shqiptarit, rënia frymëzuese e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, lëvizja historike e Ibrahim Rugovës, dhe flijimi i familjes Jashari. Në t’gjitha, Donika jonë është e lidhur pashkëputshëm: me lidhje gjaku, me vizion, me aktivitet 35 vjeçar dhe me respektin sublim. Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku”, ka pohuar ai.
Ndryshe, të enjten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave të Vetëvendosjes që akuzojnë LDK-në për bashkëpunim të mundshëm me PDK-në dhe Listën Serbe, duke kritikuar në veçanti kryediplomaten në detyrë, Donika Gërvalla.
Abdixhiku ka hedhur poshtë akuzat se LDK po planifikon koalicion me PDK-në dhe Listën Serbe, duke thënë se një shumicë qeverisëse do të ishte e mundur, por LDK-ja nuk ka marrë asnjë hap në këtë drejtim.
“Me lejoni që të jem shumë i kujdesshëm, për të mos rënduar politikisht askënd. Por, besoj që figura të tilla, përveç që janë paedukatë në shumicën e rasteve, kanë edhe mungesë shumë të theksuar të inteligjencës, sepse s’kanë kuptim çka flasin. Se po të donte të bënë LDK-ja koalicion me PDK-në e Listën Serbe, siç na thuhet deri tani, ne çdo mundësi e kemi, sot i kemi 60 vota. Me Listën Serbe i bëjmë 69 vota”, tha ai në Debat Plus.
