E tmerrshme gjendja në sallën sportive “Partizani” në Çair, Komuna premtoi zgjidhje të problemit
E rrënuar dhe e mbushur me mbeturina, si një skenë filmash ku zombit mund të të dalin nga çasti në çast. Pamje nga gomat dhe salla, raporton Alsat. Salla ikonike e Çairit “Partizani”, pas zjarrit në vitin 2011 është lënë në mëshirë të fatit dhe kohës, ndonëse deri atëherë kishte funksionuar në kushte modeste. Për […]
E rrënuar dhe e mbushur me mbeturina, si një skenë filmash ku zombit mund të të dalin nga çasti në çast. Pamje nga gomat dhe salla, raporton Alsat. Salla ikonike e Çairit “Partizani”, pas zjarrit në vitin 2011 është lënë në mëshirë të fatit dhe kohës, ndonëse deri atëherë kishte funksionuar në kushte modeste.
Për rimëkëmbjen e këtij objekti, të ndërtuar që nga koha e ish-Jugosllavisë, në vazhdimësi është premtuar nga autoritetet lokale. Megjithatë, sot në sallën që është shndërruar në këtë deponi të frikshme, mund të shihen vetëm goma, divanë të hedhur, si dhe mbetje të pajisjeve sportive të cilat dëshmojnë se dikur, është luajtur basketboll, hendboll, ping-pong, mundje, boks dhe sporte të tjera.
Gjendja është katastrofike, ndërkaq qytetarët dhe rinia e Çairit presin ndër vite që kjo sallë të rregullohet.
Salla e cila do të duhej t’i shërbente rinisë së Çairit, sot është bërë strofull e të pastrehëve dhe punëtorëve lokalë të cilët kanë sjellë këto që në dukje, ngjajnë si orendi shtëpiake. Ndërkaq, gjatë periudhës së dimrit, ndizen edhe zjarre për t’u ngrohur. Në gjendje të njëjtë është edhe korridori dhe hapësirat ndihmëse të sallës, muret e të cilave janë të rrjepura dhe kundërmojnë erë myku.
Për rikonstruimin e sallës ka pasur disa iniciativa. Fillimisht nga Qyteti i Shkupit e cila e pati marrë përsipër ndërtimin, por për shkak të pandemisë së kovidit, mjetet u ridestinuan për çështje të tjera.
Pas kësaj “Partizanin” e Çairit u zotua se do ta ndërtonte Qeveria e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, paralelisht me “Partizanin” e Karposhit. Ish zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi vizitoi objektin në Çair dhe me video-spot pompoz paralajmëroi ndërtimin e kësaj salle.
Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sqaron sot se megjithatë, Qeveria asokohe kishte ndarë vetëm një të tretën e parave dhe kërkonte që me to, të bëhej i tërë projekti.
“Me projektin të cilin e ka bë Qeveria me Qytetin e Shkupit kërkohet mbi 1.2 milionë euro për rikonstruimin e palestrës dhe ju e dini atëherë pompozitetin, disa herë këtu erdhi ish zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi. Ku ne e bëjmë rikonstruimin e kështu. Dhe doli në fund që ata na lëshojnë 400 mijë euro dhe na japin urdhër që projekti deri në tërësi të realizohet dhe kuptohet që një e treta ishte e asaj shumës dhe ne i shkruam letër qeverisë se kush e mbulon se projekti është 1.2 milionë euro të cilin ju e keni bë, jo ne dhe qeveria asnjëherë nuk na kthej letër, edhe ashtu mbet”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.
Krahasuar me “Partizanin” të Çairit, Qeveria ndau 1.1 milionë euro për Partizanin e Karposhit dhe e lëshoi në përdorim sallën në dhjetor të vitit 2023.
Ganiu sqaron se 400 mijë eurot e qeverisë janë akoma në dispozicion, dhe 800 mijë të tjerat do të sigurohen nga dy buxhetet e ardhshme të komunës, pra, konkretisht, projekti do të bëhet me mjetet vetjake. Për këtë, ka dhënë dritë jeshile Këshilli i Komunës, ndërkaq në muajin korrik është shpallur edhe thirrja publike për zgjedhjen e operatorit që do të duhet të realizojë projektin.
“Edhe në këtë buxhet edhe në buxhetin tjetër, u është prezantuar i gjithë projekti këshilltarëve dhe kemi miratim se sipas fazave si ndërtohet. Pasi në disa faza mund të shkohet më shpejtë në disa më ngadalë. Por, sipas fazave ne parashohim që deri në vitin 2025 në fund ose në fund të vitit 2026, palestra sportive Partizani të rikonstruohet në tërësi”, u shpreh Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.
Ndryshe, më 17 shtator në seancën e 20-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u miratua Programi për ndërtimin dhe rekonstruktimin e objekteve sportive për vitin 2024 nga ana e Ministrisë për Sport. Aty janë planifikuar mbi 35 milionë denarë për objekte sportive, por nuk gjendet në listë edhe salla “Partizan” në Çair.