Fajtorët e vërtetë të zjarrit në spitalin modular vazhdojnë të jenë të paprekur, Iniciativa Zero: Të hetohen përgjegjësit politik dhe institucional

Ende nuk janë hetuar fajtorët e vërtetë të cilët kanë përgjegjësi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës i cili dogji 14 persona. Kështu kanë reaguar nga Iniciativa Zero pas shpalljes së vendimit të rigjykimit për këtë rast, ku të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për atë se a ka pasur […]

maj 19, 2025 - 17:30
 0  8
Fajtorët e vërtetë të zjarrit në spitalin modular vazhdojnë të jenë të paprekur, Iniciativa Zero: Të hetohen përgjegjësit politik dhe institucional
Blendi Hodai - Iniciativa Zero para gjykatës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ende nuk janë hetuar fajtorët e vërtetë të cilët kanë përgjegjësi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës i cili dogji 14 persona. Kështu kanë reaguar nga Iniciativa Zero pas shpalljes së vendimit të rigjykimit për këtë rast, ku të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për atë se a ka pasur ose jo aparate kundër zjarrit në objekt, raporton Portalb.mk

Drejtësia vazhdon të mos jetë e plotë. Kështu thënë nga Iniciativa Zero, ku shtojnë se personat që mbajnë përgjegjësi politike dhe institucionale për këtë tragjedi nuk janë hetuar, nuk janë marrë në pyetje, dhe as janë përballur me drejtësinë. 

“Fajtorët e vërtetë vazhdojnë të jenë të paprekur. Kjo krijon përshtypjen e një drejtësie selektive dhe të ndikuar politikisht , një drejtësi që godet vetëm zyrtarë të rangut të ulët, ndërsa hesht përballë atyre që morën vendime vendimtare për ndërtimin e spitaleve modulare dhe që duhet të japin llogari”, thanë nga Iniciativa Zero. 

Ata theksojnë se drejtësia nuk mund të quhet e përmbushur pa hetim të plotë dhe ndëshkim të atyre që realisht kontribuuan në këtë tragjedi. 

“Familjarët e viktimave meritojnë përgjigje, transparencë dhe drejtësi të plotë”, shtuan nga kjo iniciativë. 

Kujtojmë që javën e kaluar Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.

Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht. 

Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.

Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. 

Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë. 

Në ndërkohë, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një hetim tjetër për këtë rast, i cili ende është në procedurë para hetimore. 

Pse erdhi deri te rigjykimi?

Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim u kthye një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregoi një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Çfarë ndodhi?

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.