Familjet e viktimave të Koçanit do të marshojnë nesër në Shkup
Familjet e të ndjerëve nga tragjedia e Koçanit do të organizojnë marsh më 29.04.2025 (e martë) duke filluar nga ora 12:05 si simbol i reagimit të vonuar në Shkup. Marshi do të fillojë para Prokurorisë në Shkup, do të vazhdojë në sheshin e qytetit në Shkup dhe do të vazhdojë para Kuvendit të Maqedonisë, transmeton […]


Familjet e të ndjerëve nga tragjedia e Koçanit do të organizojnë marsh më 29.04.2025 (e martë) duke filluar nga ora 12:05 si simbol i reagimit të vonuar në Shkup. Marshi do të fillojë para Prokurorisë në Shkup, do të vazhdojë në sheshin e qytetit në Shkup dhe do të vazhdojë para Kuvendit të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.
“Ne meritojmë përgjigje, nuk jemi ekspertë të ligjit dhe procedurave ligjore dhe për këtë arsye nuk e kuptojmë se si ekspertët e ligjit arrestojnë dhe lirojnë, a janë të vetëdijshëm se besimi tashmë edhe ashtu i lëkundur në punën aktuale institucionale me arrestime e pastaj lirime pa pasur shpjegim të qartë për atë procedurë ligjore po krijohet në mendjet tona, të cilat edhe ashtu janë në prag të vetëshkatërrimit”, deklaruan familjet në një deklaratë me shkrim.
Ne kërkojmë përgjigjet që meritojmë për vdekjet e dhunshme të fëmijëve tanë.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.