ANALIZË: Mbi 70% e ministrive në RMV realizuan 0 ose minimumin e shpenzimeve kapitale në tremujorin e parë
Deri më 14 prill janë realizuar 10,3% e investimeve kapitale. Tremujori i parë i këtij viti u mbyll me realizimin e vetëm 8,95% të investimeve publike të planifikuara në bazë vjetore. Të dhënat e reja të Ministrisë së Financave tregojnë se në tre muajt e parë të këtij viti, disa prej ministrive që menaxhojnë buxhete […]


Deri më 14 prill janë realizuar 10,3% e investimeve kapitale. Tremujori i parë i këtij viti u mbyll me realizimin e vetëm 8,95% të investimeve publike të planifikuara në bazë vjetore. Të dhënat e reja të Ministrisë së Financave tregojnë se në tre muajt e parë të këtij viti, disa prej ministrive që menaxhojnë buxhete më të mëdha për investime publike kanë një shkallë të ulët realizimi, madje ka ministri dhe institucione që kanë një shkallë realizimi 0 (zero), shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
14 ministri me realizim të investimeve publike nga 0 deri në 15%
Ministria e Financave – funksionet e shtetit e cila këtë vit ka në dispozicion 59,5 milionë euro për shpenzime kapitale (projekte investimi në nivel lokal dhe qendror), për tre muaj ka pasur një shkallë realizimi prej vetëm 7,74%. Disa nga ministritë nën “ombrellën” e të cilave janë projekte të rëndësishme infrastrukturore në tremujorin e parë të këtij viti patën shkallë të ulëta, madje edhe të parëndësishme të realizimit të investimeve publike.
Kështu, Ministria e Transportit e cila këtë vit ka një buxhet fantastik prej 268,4 milionë eurosh, për tre muaj ka pasur një shkallë realizimi të shpenzimeve kapitale prej vetëm 2,61%. Një realizim të ngjashëm prej 2,39% të shumës totale prej 82,5 milionë euro ka edhe Ministria e Mjedisit Jetësor, kurse një realizim prej 3,15% krahasuar me totalin prej 9,4 milionë eurosh ka Ministria e Politikës Sociale dhe Demografisë.
Shkallë realizim më pak se 10% ka Ministria e Ekonomisë me 5,18%, Ministria e Financave me 6,44% dhe Ministria e Shëndetësisë me 9,19%. Ministria e Arsimit me një buxhet të shpenzimeve kapitale prej 37,6 milionë eurosh, për tre muaj ka shpenzuar vetëm 10,5% të parave, ndërsa Ministria e Sportit nga 7,8 milionë eurot e planifikuara ka realizuar 15,09%.
Ministria e Energjisë, si ministri i re, që kishte marrë 3,3 milionë euro për investime kapitale, në tremujorin e parë ka pasur një shkallë realizimi prej vetëm 1,46%, kurse Ministria e Transformimit Digjital, 1,43%. Ndërsa Ministria e Administratës Publike kishte një realizim prej 0,95%.
Para do kohësh, Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska tha se realizimi i shpenzimeve kapitale po ecën sipas planit, megjithëse realizimi për tre muaj është nën 10%.
“Në janar dhe shkurt moti ka qenë i ftohtë, e siç e dini, pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale janë të lidhura me infrastrukturën. Pres rritje të shkallës së realizimi në muajt në vijim” – tha ministrja.
Një shkallë më të lartë të realizimit të shpenzimeve kapitale ka në Ministrinë e Punëve të Brendshme me 32,3%, Ministria e Kulturës me 25,39%, Ministria e Bujqësisë me 21,86%, Ministrinë e Mbrojtjes me 21,02%, dhe në ministritë me buxhete më të vogla për investime publike, si p.sh. Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive me një realizim prej 99,45%.
Ka edhe ministri që kanë realizuar 0 (zero) shpenzime kapitale në tremujorin e parë dhe në këtë grup bëjnë pjesë: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.
Për tre muaj 0 (zero) realizim të investimeve publike ka në disa institucione, drejtori dhe agjenci, duke përfshirë Agjencinë e Inteligjencës, KSHPK-në, KSHZ-në, Gjykatën Kushtetuese, Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, FSPIM-në, ASHAM-in.
Shpenzimet kapitale për këtë vit janë pozicionuar në vlerën historike prej 768 milionë euro dhe janë shënuar si vendimtare për arritjen e rritjes së planifikuar ekonomike.