Fëmija që vdiq në Shkup është endur pesë ditë nga spitali në spital, Inspektorati zbardhi raportin
Vdekja e foshnjës, Inspektorati zbardh raportin: Fëmija është endur 5 ditë nga spitali në spital
Raporti i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor ka konfirmuar se para se të përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe të ndërronte jetë, foshnja 14 muajshe është dërguar disa herë për trajtim te mjeku amë dhe te klinika për Sëmundje të Fëmijëve, por vazhdimisht është lëshuar për mjekim shtëpiak, transmeton Portalb.mk.
Raporti thekson se në çdo kontroll gjendja e foshnjës rëndohej, ndërsa Klinika e Fëmijëve nuk e ka mbajtur për trajtim në spital, por e kishte lëshuar në shtëpi me rekomandimin për kontroll ditën e nesërme.
“Foshnja është dërguar te mjeku amë më 30 shtator 2024 me simptoma të të vjellave. Nga kontrolli u konstatua se nuk ka temperaturë, fyti është pak i skuqur. Në ditën e njëjtë, pasdite, prindërit e kanë dërguar për kontroll në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, për shkak të të vjellave të vazhdueshme. Fëmija është kontrolluar nga mjeku specialist kujdestar i cili ka konfirmuar diagnozën e mjekut amë dhe u është thënë që të sillet fëmija për kontroll të nesërmen”, thuhet në Raportin e Inspektoratit.
Sipas raportit të Inspektoratit vizita e radhës te mjeku amë ishte bërë më 3 tetor, ngjashëm për shkak të të vjellave të shpeshta brenda ditës. Mjeku amë sërish ka konstatuar se foshnja nuk ka temperaturë, por ka skuqje të fytit. Por, për shkak të të vjellave, në datën e njëjtë, mjeku amë ka lëshuar udhëzim urgjent për dërgimin e foshnjës në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve.
“Foshnja është dërguar në klinikë rreth orës 15:00, ku është kryer kontroll. Janë lëshuar dy udhëzime për analiza. Të njëjtën ditë pas marrjes së analizave, foshnja është kontrolluar sërish nga pediatri specialist dhe në mënyrë shtesë janë lëshuar udhëzime për diagnostikim laboratorik dhe Rëntgen. Rezultati i e Rëntgenit tregon pasqyrë të theksuar bronkovaksulare. I është shkruar terapi dhe është lëshuar për kurim shtëpiak”, thuhetnë raport.
Raporti i Inspektoratit Shtetëror Sanitar nënvizon se më 4 tetor prindërit me vetiniciativë e kanë dërguar fëmijën në Kozle ku pas kontrollove nga mjekët është shtruar në Klinikën për sëmundje respiratorë të fëmijëve. Edhe përkundër terapisë së dhënë nga mjekët, gjendja e foshnjës ishte përkeqësuar dukshëm gjatë ditës me ku është dërguar në kujdes intensiv.
Pas përkeqësimit të vazhdueshëm, Klinika e Kozles foshnjën me urgjencë e ka dërguar në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve. Në orët e hershme të mëngjesit të 5 tetorit është konstatuar diagnoza pneumoni masiv, ndërsa gjendja e foshnjës është përkeqësuar edhe më shumë, ku pas përpjekjeve të pa suksesshme të anesteziologut për reanimacion foshnja ka ndërruar jetë.
Më 5 nëntor 2024, një vajzë 14 muajshe ka ndërruar jetë Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Siç bëjnë të ditur burime që punojnë në Klinikë, foshnjës disa herë i është refuzuar shtrimi në spital, edhe pse prindërit e kanë dërguar në spital vazhdimisht. Çdoherë është lëshuar në shtëpi, pa u shtruar në spital. Prindërit, duke parë se iu refuzua trajtimi spitalor, e dërguan në Klinikën e Kozles, nga ku gjendja e foshnjës u përkeqësua dhe vetëm më pas u shtrua në reanimacionin e Klinikës së Fëmijëve. Këtë e ka konfirmuar edhe babai i vajzës së ndjerë, R.S.
Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor ka iniciuar formimin e Komisionit për mbikëqyrje profesionale lidhur me rastin e vdekjes së vajzës 14 muajshe.