Fetai përkujton Komandant Kumanovën: Heronjtë kanë vetëm datëlindje!
Zv.kryeministri Arben Fetai ka përkujtuar veprën e Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës, në ditëlindjen e tij. Ai me këtë rast ka qëndruar te familja e heroit Ismet Jashari, në shtëpinë e tyre në fshatin Orizare. Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Fetait. Sot pata nderin të ndaj një kafe mëngjesi me familjen […]

Zv.kryeministri Arben Fetai ka përkujtuar veprën e Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës, në ditëlindjen e tij. Ai me këtë rast ka qëndruar te familja e heroit Ismet Jashari, në shtëpinë e tyre në fshatin Orizare.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Fetait.
Sot pata nderin të ndaj një kafe mëngjesi me familjen e heroit Ismet Jashari – Komandant Kumanova, në shtëpinë e tyre në Orizare.
Në këtë ditëlindje të tij, bashkë me Bacën Xhemë, Nderimin dhe Lirimin, kujtuam jo vetëm vëllanë dhe axhën e tyre, por simbolin më të shquar të qëndresës dhe flijimit për lirinë e kombit në trevën tonë.
I lindur më 16 prill 1967, më i vogli i djemve të Jashar Jasharit, Ismeti u detyrua të largohej nga vendlindja për shkak të bindjeve të tij të palëkundura atdhetare. Në mërgim, në Zvicër, ai nuk u ndal kurrë së vepruari – organizoi, frymëzoi dhe jetoi me idealin për liri si pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Në pranverën e vitit 1998, u kthye në Kosovë, ku me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, themeloi bërthamën kryesore të Ushtrisë
Çlirimtare në Llapushë dhe Drenicën e Epërme, me seli në Kleçkë.
Pseudonimi “Kumanova” nuk ishte vetëm emër lufte – ishte mesazh: se liria e Kosovës ishte amanet i gjithë kombit. Ismeti frymëzoi mijëra të rinj nga të gjitha trojet shqiptare që t’i bashkoheshin UÇK-së.
Më 25 gusht 1998, në orët e para të mëngjesit, gjatë një përpjekjeje për të tërhequr trupat e tre shokëve të rënë, Komandant Kumanova u përball me forcat serbe nga një distancë fare e afërt. Aty, me armë në dorë dhe idealin në zemër, u përjetësua në altarin e lavdisë.
Pas vetes la gruan, pesë vajzat e tij dhe një komb të tërë që sot e kujton me krenari. Trupi i tij prehet në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, por shpirti i tij rri pezull mbi tokën që e deshi më shumë se jetën.
“Ti që theve mur e gurët e kufinit, ti je vetë kalaja, kulla e bashkimit.”
Lavdi jetës dhe veprës së Ismet Jasharit – Komandant Kumanova, dhe të gjithë të rënëve për liri!