Figura publike dhe deputetë të larguar nga VV i bashkohen PD-së, hyjnë në zgjedhje bashkë me AKR-në e Pacollit dhe Lëvizjen për Bashkim
Partia e Drejtësisë pritet të ngjallet e forcohet goxha për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm. Klan Kosova merr vesh ekskluzivisht se kësaj partie politike pritet t’i bashkohen, si listë e veçantë, edhe grupi i deputetëve “myslimanë” të Vetëvendosjes, në krye me Eman Rrahmanin e Visar Korenicën. Këta të fundit, që janë quajtur […]
Partia e Drejtësisë pritet të ngjallet e forcohet goxha për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.
Klan Kosova merr vesh ekskluzivisht se kësaj partie politike pritet t’i bashkohen, si listë e veçantë, edhe grupi i deputetëve “myslimanë” të Vetëvendosjes, në krye me Eman Rrahmanin e Visar Korenicën.
Këta të fundit, që janë quajtur edhe si krahu fetar i VV-së siç merr vesh televizioni nga burimet e veta, i bashkohen Ferid Aganit në PD, në pamundësi për ta krijuar një subjekt të vetin politik, për shkak të kohës së limituar.
Kjo listë me emrat e ri duhet të zyrtarizohet deri të premten, meqë sipas KQZ-së afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve është 30 gusht, dhe çka nuk arrin të përfundojë deri në këtë afat kohor nuk pranohen si të tilla.
Për një arsye të tillë, Partisë së Drejtësisë, i bashkohet, me shumë gjasa, edhe një grup tjetër i aktivistëve dhe biznesmenëve me prirje fetare myslimane, ku bëjnë pjesë avokati Asdren Bytyqi, shkrimtari Imer Topanica, afaristi Arsim Gërxhaliu, mjeku Bernard Tahirbegolli dhe të tjerë.
Zhvillimi tjetër interesant, gjithnjë sipas burimeve të Klanit, është se me këtë PD të forcuar pritet të hyjë në një ”koalicion të përbashkët parazgjedhor” dhe një listë të përbashkët elektorale edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit dhe Lëvizja për Bashkim.
Ky koalicion potencial paraelektoral pritet ta zyrtarizojë pjesëmarrjen e përbashkët në zgjedhjet, në shtator.
Mbi këtë zhvillim, Klan Kosova merr vesh po ashtu se Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim ka mohuar se do të jetë pjesë e kësaj liste.
Kurse një përgjigje për Klan Kosovën, ka dhënë Imer Topanica, i cili po ashtu tha se nuk është i involvuar direkt mbi këtë lëvizje.
”Zhvillimet politike, duke i përfshirë këto të fundit për sa u përket koalicioneve parazgjedhore, me theks të veçantë në ato që kanë të bëjnë me formimin e një entiteti të ri politik ku përfshihen deputetët e pakënaqur të Vetëvendosjes dhe Partia e Drejtësisë, i shoh thjesht nga këndi i një gazetari. Nuk jam i involvuar direkt, por nuk e di se ku do të më çojë nesër rrjedha e jetës”.