Filluan punimet për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjen Jashta Vardarit në Tetovë 

Në Tetovë sot filluan punimet për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit primar të furnizimit me ujë në lagjen Jashta Vardarit, me gjatësi prej 2600 metrave, transmeton Portalb.mk.  Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se në kuadër të këtij promovimi, është edhe promovimi i gypit kryesor të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit, […]

maj 14, 2025 - 14:00
 0  4
Filluan punimet për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjen Jashta Vardarit në Tetovë 
Fillimi i punimeve për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit primar të furnizimit me ujë në lagjen Jashta Vardarit në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në Tetovë sot filluan punimet për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit primar të furnizimit me ujë në lagjen Jashta Vardarit, me gjatësi prej 2600 metrave, transmeton Portalb.mk

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se në kuadër të këtij promovimi, është edhe promovimi i gypit kryesor të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit, segmenti i parë i atij gypi nga filtër stacioni në Lisec deri te bazeni në hyrje të qytetit.  

“Kjo ka qenë një ndër nevojat më imediate të qytetit tonë, të një lagjeje e cila është zhvilluar periudhën e fundit e cila nuk ka pasur asnjë investim në infrastrukturë nga institucionet”, tha Kasami. 

Ai shtoi se këto investime në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm bëhen në kuadër të një studimi që e ka bërë Komuna e Tetovës për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm. 

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti theksoi se investimet e tilla nëpër komunat shqiptare do të vazhdojnë edhe në vijim. 

“Për të zgjidhur, fatkeqësisht në këtë shekull probleme jetike të qytetarëve, siç është ujësjellësi”, tha Mexhiti. 

Ky investim në vlerë prej mbi 15 milionë denarësh është pjesë e projekteve të financuara përmes nënprogramit AA – Projekte Infrastrukturore nëpër Komuna për vitin 2024 nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të siguruara si fonde granti nga Qeveria. 

Fillimi i punimeve për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit primar të furnizimit me ujë në lagjen Jashta Vardarit në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Fillimi i punimeve për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit primar të furnizimit me ujë në lagjen Jashta Vardarit në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për projektin “Rikonstruimi dhe zgjerimi i rrjetit primar të ujësjellësit në lagjen Jashta Vardarit – Tetovë”, më 24 shkurt 2025 është lidhur kontratë me B.SHNPI “Pellagonia” – Gostivar në vlerë prej 15.104.118,00 denarëve (me TVSH), ku sipas kontratës punimet duhet të përfundojnë brenda 10 muajve që nga dita e lidhjes së kontratës. 

Ndërsa për projektin “Rikonstruksoni i tubacionit të sistemit të furnizimit me ujë të qytetit nga burimi në Kodrën e Diellit deri te rezervuarit në Tetovë”, më 24 shkurt 2025 është lidhur kontratë me B.SHNPI “Pellagonia” – Gostivar në vlerë prej 65.254.495,60 denarëve (me TVSH), ku sipas kontratës punimet duhet të përfundojnë brenda 10 muajve që nga dita e lidhjes së kontratës. 

Këto projekte realizohen në vit zgjedhor. 

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve, por kjo nuk është realizuar ashtu siç ai e ka premtuar.