Flamuri i ndaluar dhe harta provokuese: VMRO-DPMNE i kthehet simboleve që nxisin tensione me fqinjët, a po përgatisin kthim në të kaluarën?
Promovimi i simboleve të së kaluarës përçarëse na kthen prapa, drejt tensioneve që me shumë përpjekje i kemi lënë pas. Maqedonia e Madhe bëhet vetëm në hartën e BE-së. Kështu shprehen për Portalb.mk deputetë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, pas daljes së deputetes së VMRO-DPMNE Dragana Bojkovska në aktivitete partiake dhe politike duke promovuar […]


Promovimi i simboleve të së kaluarës përçarëse na kthen prapa, drejt tensioneve që me shumë përpjekje i kemi lënë pas. Maqedonia e Madhe bëhet vetëm në hartën e BE-së. Kështu shprehen për Portalb.mk deputetë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, pas daljes së deputetes së VMRO-DPMNE Dragana Bojkovska në aktivitete partiake dhe politike duke promovuar hartën e “Maqedonisë së Madhe” dhe flamurin me diellin e Vergjinës, simbol ky i ndaluar sipas Marrëveshjes së Prespës.
Për deputetin e Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit, Rijad Shaqiri pretendimet për harta të mëdhaja, në kushte të shekullit 21 janë të kota.
“Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, kjo nënkupton se ndryshimet e territoreve janë të kota. Politika zyrtare e Maqedonisë së Veriut duhet të pretendojë harta të mëdhaja me integrimin e saj në Bashkimin Europian, ajo vetëm në atë moment bëhet e madhe. Dhe, ky duhet të jetë synimi i secilit politikan të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm”, tha Shaqiri.
Dijana Toska, deputete e Frontit Europian, kuadër i BDI-së, theksoi se përdorimi i simboleve si harta e të ashtuquajturës “Maqedoni e Madhe” dhe dielli i Vergjinës, të paraqitura publikisht nga deputetja e VMRO-DPMNE-së, përbën jo vetëm provokim të panevojshëm, por edhe një pengesë serioze për rrugëtimin evropian të vendit.
“Këto narrativa anakronike dhe përfaqësimi i tyre vizual janë në kundërshtim me frymën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes së Prespës – një marrëveshje historike që hapi rrugën për anëtarësimin tonë në NATO dhe vendosi themelet për marrëdhënie të qëndrueshme e të mira me fqinjin tonë jugor, Greqinë. Në vend që të fokusohemi në përmbushjen e reformave të domosdoshme për vazhdimin e negociatave me BE, afrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, promovimi i simboleve të së kaluarës përçarëse na kthen prapa, drejt tensioneve që me shumë përpjekje i kemi lënë pas”, tha Toska.
Ajo u shpreh decide se në një moment kur vendi ka nevojë për unitet rreth qëllimit të përbashkët, anëtarësimin në BE dhe avancimin euroatlantik, përdorimi i retorikës nacionaliste dhe simboleve që cenojnë fqinjësinë e mirë është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm.
Lidhur me këtë veprim të deputetes së VMRO-së, kërkuam qëndrim edhe nga LSDM-ja, mirëpo nga kjo parti edhe pse na konfirmuan, nuk u përgjigjën në pyetjen tonë.
Nga ana tjetër, njohësi i rrethanave politike, Seferi Selimi mendon se akti i deputetes së VMRO-DPMNE-së, nuk është befasuese edhe pse është dëshpëruese.
VMRO-DPMNE, tha ai, është e njohur për retorikën e saj nacionaliste, që përfshin përdorimin e simbolikave që reflektojnë dhe ushqejnë këtë mentalitet.
“Aq më tepër tani, kur jemi futur në një cikël vetëbllokues në procesin e negociatave për integrim në BE — “incidente” të tilla provokuese pritet të shtohen. Ato jo vetëm që krijojnë tensione të reja për probleme të vjetra e të zgjidhura me fqinjët, por e përkeqësojnë edhe më tej pozicionin ndërkombëtar të shtetit tonë, duke e vonuar edhe shumë zhbllokimin e negociatave. Këto provokime duken se nuk janë të rastësishme — por të qëllimshme, me synimin e qartë për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut larg Bashkimit Evropian. Tjetër përfundim logjik nuk mund të ketë”, tha Selimi për Portalb.mk.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së e cila udhëheq Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Dragana Bojkovska, ka realizuar takimi me të rinjtë e partisë së saj në Komitetin Komunal të lagjes Ilinden- Shkup, ku në mur shihej harta e “Maqedonisë së Madhe”, e ngjyrosur me diellin e Vergjinës, simbol ky i ndaluar sipas Marrëveshjes së Prespës.
Harta kontraverse paraqet koncept historik dhe politik që nuk i korrespondon kufijve aktualë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është potencialisht përçarëse në marrëdhënie ndërfqinjësore, tensione të cilat ndër dekadash kanë bllokuar rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Deputetja ende nuk është sqaruar për aktin dhe nuk është përgjigjur as në pyetjet e Portalb drejtuar në adresë të saj.
Portalb.mk në vazhdimësi ka raportuar për simbolikat e ndaluara në Maqedoninë e Veriut, të cilat mund të paraqiten edhe si pikënisje të konflikteve diplomatike me fqinjët tanë, duke e ruajtur kështu interesin e shtetit.