FNA-ja kërkoi nga studentët të bojkotojnë pagesën shtesë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka kërkuar nga studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” që të bojkotojnë pagesën prej 3500 denarëve për “shpenzime materiale” në këtë universitet, si një kosto shtesë që i ngarkohet studentëve, transmeton Portalb.mk. “Arsyetimi i zhvatësve se “shtesa prej 3.500 denarëve është për shfrytëzimin e materialeve gjatë orëve praktike” […]
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka kërkuar nga studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” që të bojkotojnë pagesën prej 3500 denarëve për “shpenzime materiale” në këtë universitet, si një kosto shtesë që i ngarkohet studentëve, transmeton Portalb.mk.
“Arsyetimi i zhvatësve se “shtesa prej 3.500 denarëve është për shfrytëzimin e materialeve gjatë orëve praktike” nuk mban ujë dhe është mashtrim klasik i nivelit të hajnave xheparoshë”, deklaruan nga FNA.
Ata vlerësuan se UKM-ja është e paaftë të gjejë mjete financiare, për çka krijon shpenzime të larta për studentët.
“Thirrje studentëve të protestojnë duke bojkotuar pagesën e shtesës prej 3.500 denarëve derisa UKM-ja t’i thërrasë mendjes dhe të heqë dorë nga kjo. Përsërisim kërkesën tonë për arsim publik falas, ndërsa deri atëherë do të kundërshtojmë ashpër çdo përpjekje për abuzim me paratë e studentëve”, deklaruan nga Forumi.
Në kërkesën e tyre, theksojnë se në këtë universitet nuk ka as kushte të volitshme për orët praktike.