Frika e viktimës e “mban” dhunuesin larg burgut në Maqedoninë e Veriut

Pas një zënke me të dashurën një 32-vjeçar nga Shkupi e ka kapur atë për flokësh, e ka nxjerrë nga taksia dhe e ka goditur me kokë në ballë, me ç’rast ia ka plasur arkadën. Por ai nuk e ka lënë me kaq, e ka dhunuar edhe më tej në forma të ndryshme. Vajza ka […]

Nëntor 11, 2024 - 12:00
 0  5
Frika e viktimës e “mban” dhunuesin larg burgut në Maqedoninë e Veriut
Dhuna ndaj grave, dhunë Foto: Milena Đorđević/novinarkeprotivnasilja.org

Pas një zënke me të dashurën një 32-vjeçar nga Shkupi e ka kapur atë për flokësh, e ka nxjerrë nga taksia dhe e ka goditur me kokë në ballë, me ç’rast ia ka plasur arkadën. Por ai nuk e ka lënë me kaq, e ka dhunuar edhe më tej në forma të ndryshme. Vajza ka përfunduar në spital me fraktura, mavijosje dhe lëndime të rënda trupore, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Në një rast tjetër një burrë nga Manastiri e ka rrëmbyer dhe e ka çuar ish-partneren e tij në një shtëpi pushimi në Nizhopole, ku për një orë të tërë e ka rrahur pa ndalë. Në këtë gjendje ajo shpëtim ka menduar se do gjejë duke u vetvrarë.

Kjo ka e shtyrë sulmuesim të vazhdojë ta godasë edhe më ashpër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

I dyshuari është në arrati, prandaj masa e paraburgimit ndaj tij do të zbatohet nëse i njëjti kapet nga policia.

Që të dyja gratë pas dhunës së përjetuar kanë përfunduar në spital.

Këto janë vetëm dy raste të denoncuara në prokurori në muajin tetor, ndërkohë që më 2 nëntor ndodhi një femicid – një 29-vjeçare nga Shtipi u mbyt nga partneri i saj. Ai, një 33-vjeçar, pas një zënke me të dashurën, ka filluar ta godasë me grushta dhe në fund e ka mbytur me duart e veta. Pas vrasjes autori është paraqitur vetë në policinë e Shtipit dhe ka treguar se ku e kishte lënë trupin.

Për vetëm një muaj këto janë tre raste të viktimave të dhunës në familje për të cilat Prokuroria filloi hetime.

Për rastin e fundit nga Qendra për Punë Sociale në Shtip deklaruan se për 33-vjeçarin nga Shtipi ky demonstrim i dhunës ndaj partneres së tij nuk ishte hera e parë dhe se ai ka qenë i dënuar për një vepër tjetër penale. Ajo e kishte denoncuar atë për dhunë në familje dy muaj më parë, por shumë shpejt e kishte tërhequr denoncimin, me arsyetimin se paralajmërimi nga policia kishte bërë efekt.

29-vjeçarja nga Shtipi nuk është e vetmja viktimë e dhunës në familje që ka refuzuar ta ndjekë penalisht partnerin e saj që e ka rrahur. Vetëm vitin e kaluar gjithsej 28 viktima të dhunës në familje, që e kaluan rrugën e vështirë dhe të gjatë nga denoncimi e hetimi deri në sallën e gjyqit, në përballjen e fundit me dhunuesin para gjykatësit kanë hoqur dorë dhe e kanë tërhequr padinë, tregojnë të dhënat e Gjykatës Penale.

Sipas ligjeve në RMV dhunuesi që kryen dhunë në familje mund të paditet me pajtimin e viktimës që ka pësuar lëndimin.

Viktimat e raportojnë vetëm incidentin më të rëndë

Statistikat gjyqësore për vitin e kaluar tregojnë se nga gjithsej 120 lëndë që kanë të bëjnë me veprat penale të “shkaktimit të lëndimeve trupore gjatë kryerjes së dhunës në familje” dhe “rrezikimit të sigurisë gjatë kryerjes së dhunës në familje” 28 kanë përfunduar me anulim të procedurës, 32 me dënim me burg, 45 me dënim me kusht, ndërsa pjesa tjetër me dënim me kusht të shoqëruar me mbikëqyrje mbrojtëse ose trajtim psikiatrik.

Që të mund të flitet për parandalimin e femicideve duhet të identifikohen “boshllëqet” sistemike.

Organizatat civile që merren me këtë problematikë thonë se vetëm dy përqind e grave në vendin tonë që kanë qenë viktima të dhunës nga partneri e kanë denoncuar atë në polici dhe se zakonisht e kanë raportuar incidentin e fundit, atë më të rëndin.

Një nga hallkat më të dobëta të sistemit për mbrojtjen e grave viktima të dhunës në familje është mungesa e mbështetjes së specializuar për strehim, ndihmës juridike falas dhe këshillimit për viktimat.

Por që të rritet numri i atyre që e raportojnë dhunën viktimave të cilat ende nuk kanë marrë vendim për të lënë dhunuesin dhe për ta raportuar dhunën duhet duhet t’u mundësohet qasje, thotë Elena Dimushevska nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Dhunës në Familje ” Zëri Kundër Dhunës”.

Sipas saj, problemi është se sistemi është i ngadalshëm dhe aktivizohet vetëm pasi viktima ta ketë denoncuar dhunën në familje që zakonisht është incidenti i fundit dhe më i rëndë. Statistikat prej 2 përqind të denoncimeve në numrin e përgjithshëm i rasteve të dhunës në familje tregon se viktimat kanë frikë ta denoncojnë dhunën për shkak të disa faktorëve. Nga njëra anë përderisa presin një përgjigje institucionale ata vazhdojnë të jetojnë me partnerin e tyre dhe nga ana tjetër mund të mos kenë besim të mjaftueshëm tek institucionet se do të veprojnë në mënyrën e duhur dhe se do t’u mundësojnë mbrojtje.

“Ajo thjesht nuk ndjehet e inkurajuar. Dhe kur flas për inkurajim, dua të them se ajo mendon për atë se çfarë do të ndodhë më pas, që ajo të marrë vendim për ta raportuar dhunuesin ajo duhet të dijë se ku do të shkojë më pas, nëse ka fëmijë, ku do të shkojë me ta, me kë do të jetojë ajo, si do ta sigurojë jetesën. Jo të gjithë kanë pronë në emër të tyre. Faktori ekonomik është shumë i rëndësishëm në marrjen e vendimit, ajo ka nevojë të bisedojë me dikë pas raportimit, të bëjë një plan, çfarë do të ndodhë pas raportimit”, shpjegon Dimushevska.

Ajo thotë se denoncimi është vetëm një hap i vogël.

“Çfarë do të ndodhë më pas, si do të përballet ajo me dhunuesin, në vendin tonë vetëm një numër i vogël i dhunuesve përfundojnë në burg, pasi ta ketë denoncuar ajo vazhdon të jetojë me të, përballet me të çdo ditë dhe kjo gjë duhet të merret parasysh nëse vërtet duam të parandalojmë incidente dhe vrasje më të rënda si ajo që ndodhi në Shtip”, thotë Dimushevska.

Femicidi trajtohet si vrasje klasike

Avokatja Katerina Kotevska, e cila për shumë vite i përfaqëson viktimat e dhunës në familje në gjyq, shton se sistemit i mungon një hallkë, gjegjësisht një zgjidhje ligjore me të cilën do të parashihet një mbikëqyrje e viktimës së dhunës në familje gjatë kësaj periudhe vulnerabël.

“Të shqiptohen masa kur ekziston rreziku i dhunës shtesë në familje. Të gjithë ne që merremi me këtë çështje apelojmë të ketë masa kontrolli pasi të jetë konstatuar nevoja për mbrojtje nga dhuna në familje nga gjykata”, sqaron Koteska.

Sipas statistikave të policisë në vitin 2023 janë regjistruar 1.082 raste të dhunës në familje, nga të cilat 90 përqind e autorëve janë meshkuj. Prej tyre 414 janë bashkëshortët, 111 janë partnerët jashtëmartesorë dhe 195 janë djemtë e viktimave.

Vitin e kaluar gjatë dhunës në familje janë kryer pesë vrasje dhe dy vrasje në tentativë. Në dy nga këto pesë vrasje, autorët janë vetvrarë pasi i kanë vrarë gratë e tyre.

Në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022 në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka pasur ndjekje penale në 17 raste të femicideve për shkak të vrasjes së 19 grave.

“Vlen të përmendet se shumica e viktimave janë ish-partnerë ose partnerë aktualë intimë të viktimave ose që kanë pasur lidhje familjare me ta, ndërsa vrasjet në të gjitha rastet e hetuara janë kryer në banesën, shtëpinë ose oborrin e shtëpisë në të cilën ka jetuar viktima”, thuhet në raportin “Femicidi në Republikën e Maqedonisë së Veriut: Gjendja, korniza ligjore dhe praktika gjyqësore‟ .

Nga 17 procese gjyqësore që janë shqyrtuar si pjesë e këtij raporti, në 14 raste gjykata ka konstatuar se autorët ishin fajtorë dhe i ka dënuar me dënim me burg.

Gjatë analizës së saj Dimushevska ka konstatuar se nga viti 2001 deri në vitin 2020 janë kryer 54 vrasje të cilat duhet të shënohen si femicide. Por siç thotë vetë ajo, të gjitha institucionet mbajnë statistika të veçanta që nuk përputhen, prandaj këto shifra duhet të merren me “rezervë”.

Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal në shkurt të vitit të kaluar në vendin tonë femicidi u bë një vepër penale e veçantë.

Sipas ndryshimeve ligjore gjykata mund të shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen me paramendim të një gruaje ose vajze me torturë ose lëndim të rëndë trupor të shkaktuar nga urrejtja. Këto ndryshime në Kodin Penal ishin të nevojshme për t’i harmonizuar ato me Konventën e Stambollit dhe direktivat evropiane.

Dënimi me kusht nuk e frikëson dhunuesin, e as nuk e mbron viktimën

Avokatja Koteska thotë se përvoja e saj në gjyq tregon se edhe pas ndryshimeve në Kodin Penal femicidi ende trajtohet si një vrasje klasike, në vend të formës së klasifikuar me dënime më të rrepta.

“Problemi është se vazhdimisht shqiptohen dënime me kusht dhe unë si praktikuese e kësaj çështjeje besoj se kjo gjë duhet ndryshuar. Sepse një dënim me kusht, i shqiptuar për akte që ndodhin vazhdimisht në tre vjet, siç kam disa raste aktuale për dhunë në familje, nuk është zgjidhje. Shqiptimi i një dënimi me kusht me ” default” në atë mënyrë që autori merr më shumë dënime me kusht, ka si rezultat që autori të mos e marrë seriozisht dënimin dhe të mos arrihet qëllimi – mbrojtja e viktimës”, shpjegon Koteska.

Dimushevska, e cila i ndjek rastet e tilla, thotë se as prokurorët nuk kanë shumë mirëkuptim për të bërë dallimin mes vrasjes elementare dhe femicidit.

“Në dy vitet e fundit vetëm në një rast e përdorën qartë atë qëndrim që i referohet femicidit. Në raste të tjera e cilësojnë ose si vrasje në mënyrë brutale ose si një nga elementet e tjerë në kuadër të veprës penale themelore. Rasti në Shtip është padyshim një femicid”, shton ajo.

Disa nga organizatat joqeveritare kërkojnë ndryshime shtesë në Kodin Penal, me të cilin denoncimi i autorit të dhunës në familje të bëhet sipas detyrës zyrtare, në mënyrë që të evitohet mundësia që viktima të duhet ta inicojë vetë betejën ligjore.

“Ne kemi një ndjekje penale me propozim të viktimës, ndërsa një numër i madh i tyre i tërheqin denoncimet në Polici kur të fillojë ndjekja penale dhe pastaj institucionet mbeten me duar të lidhura. Prandaj ndodh që dhunuesit të fitojnë edhe më shumë forcë dhe fuqi për ta vazhduar dhunën”, thotë Beti Peeva nga OJQ-ja “Eho” nga Shtipi për Agjencinë e lajmeve MIA.

Kotevska thotë se policia edhe tani ka mundësi që të jetë denoncuese e veprës penale të dhunës në familje. Por ajo shton se policia në një situatë të tillë të rrallë shqipton masë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje duke e larguar autorin nga shtëpia për 30 ditë.

“Më rrallë herë shqiptohet nga MPB-ja, zakonisht shqiptohet nga gjykata. Nga MPB-ja shqiptohet vetëm në raste ekstreme kur viktima ka lëndime të rënda fizike”, thotë ajo.

Sipas Raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, zbatimi i Konventës së Stambollit mbetet sfidë. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Dhunës në Familje është miratuar në vitin 2021, por zbatimi i tij ende nuk është realizuar plotësisht. Kjo vuan nga mungesa e finacimit adekuat, si dhe për një Trup Kombëtar Koordinativ për Dhunën në Familje.