Gashi mban koordinimin e parë të grupeve parlamentare, në agjendë ligji për ri-organizimin e administratës në RMV
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi e ka caktuar për sot (e hënë) koordinimin e parë zyrtar të grupeve parlamentare. Në të, siç informojnë shërbimet parlamentare, do të bisedohet për dinamikën e formimit të komisioneve parlamentare, duke pasur parasysh synimin e qeverisë së re për ndryshim të menjëhershëm të ligjeve me të cilat do […]
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi e ka caktuar për sot (e hënë) koordinimin e parë zyrtar të grupeve parlamentare. Në të, siç informojnë shërbimet parlamentare, do të bisedohet për dinamikën e formimit të komisioneve parlamentare, duke pasur parasysh synimin e qeverisë së re për ndryshim të menjëhershëm të ligjeve me të cilat do të mundësohet shfuqizimin e disa ministrive dhe krijimin e ministritë e reja, shkruan Portalb.mk.
Fillimisht duhet të formohen komisionet për të shqyrtuar këto ligje, e më pas ato të vendosen në rendin e ditës të seancës.
Gashi këto ditë paralajmëroi se këto ndryshime janë prioritet dhe se puna e parë e shumicës së re qeveritare do të jetë krijimi i shumicës së dy të tretave për ri-organizimin e administratës shtetërore, konkretisht për ndryshimet kushtetuese me të cilat do të krijohen ministri të reja dhe do të ndryshohen kompetencat e disa ministrive aktuale, siç parashikohet në programin zgjedhor të VMRO-DPMNE-së.
Kjo seancë parlamentare për ndryshimin e ligjeve duhet të thirret para asaj për krijimin e përbërjes së ardhshme të qeverisë, duke pasur parasysh që në negociatat mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së për ndarjen e resorëve në qeverinë e re, të cilat janë në fazën përfundimtare, resorët janë ndarë sipas dizajnit të ri.
Ministritë e reja do të jenë: për Sport, për Transformim Digjital dhe për Energji, Miniera dhe Burime Minerale. Disa nga ato ekzistuese do të transformohen, kështu që Ministria e Ekonomisë do të bëhet ministri e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të bëhet Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Në Ministrinë e Kulturës do të shtohet edhe sektori i turizmit.
Për të ndryshuar kabinetin qeveritar siç parashikohet në programin e VMRO-DPMNE-së “1 198” dhe për të miratuar ligjet sistematike për organizimin e punës së organeve të shtetit, është e nevojshme mbështetja e dy të tretave të shumicës parlamentare në Kuvend.
Në pyetjen nëse do të vonojë thirrja e seancës apo tashmë janë siguruar 80 deputetë, Gashi tha se ndryshimi i ligjit sistematik për ri-organizimin në qeveri është pothuajse punë e kryer.
“Do të përpiqemi, së bashku me të gjitha partitë politike, të biem dakord që ky ligj të jetë një nga të parët që do të vihet në seancën plenare”, tha Gashi për Radio Evropën e Lirë.
Përveç ligjit për transformimin e ministrive, në seancën e parë të Kuvendit në rendin e ditës mund të jenë edhe ndryshimet për të shmangur zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e komunave.
Gashi paralajmëroi se ajo që duan të zgjidhin partnerët e ardhshëm të koalicionit, ndër çështjet e para është edhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarët e komunave në komunat ku drejtuesit aktualë kalojnë në postet ministrore.
Kryetarët e komunës së Gostivarit dhe Aerodromit, Arben Taravari dhe Timço Mucunski, janë ndër ata që përmenden se do të bëjnë transferim nga pushteti lokal në atë ekzekutiv, Taravari si ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, ndërsa për Mucunski deri tani janë përmendur disa resorë, ndër të cilat janë ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes. Transferimi i tyre nga kryetar komune në ministër do të hapë rrugën për kryetarë të rinj komune në të dyja komunat, që tashmë është rasti me komunën e Sarajit, ku kryetari aktual, Blerim Bexheti, u bë deputet nga koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI.
Në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja, tani është parashikuar që këshilli komunal duhet të zgjedhë një kryetar të përkohshëm komune nga radhët e veta.
Presidentja Gordana Siljanovska, javën që vjen duhet t’ia ndajë mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Nga momenti kur do të bëhet mandatar, Mickoski do të ketë një afat prej 20 ditësh për të formuar Qeverinë e re dhe për ta dorëzuar atë në Kuvend së bashku me programin e saj. Qeveria zgjidhet me shumicë absolute prej 61 deputetësh.
Rikujtojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë.
Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë.
Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.
Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.