Gjuha shqipe, Snopçe: Tentativë për grusht shteti!
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Halil Snopçe, në një intervistë për “Ora News” komentoi debatin më të fundit të shpërthyer në Shkup që ka të bëjë me heqjen e Gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare. Snopçe theksoi se akoma nuk është e qartë se përse janë nxitur komentet negative, por theksoi […]
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Halil Snopçe, në një intervistë për “Ora News” komentoi debatin më të fundit të shpërthyer në Shkup që ka të bëjë me heqjen e Gjuhës Shqipe si gjuhë zyrtare.
Snopçe theksoi se akoma nuk është e qartë se përse janë nxitur komentet negative, por theksoi se këto janë shkëndija që nxiten dhe iniciohen nga opozita aktuale për të krijuar tensione ndër-etnike.
“Më lejoni të them që kjo është një lloj tendence prej disa rretheve në Maqedoni të cilët dëshirojnë që në një farë mënyre të destabilizojnë shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Pra ne si përfaqësues të koalicionit VLEN e cilësuam si një tentativë për grusht shteti, duke dhënë dhe vërejtjen tonë për rastin se nuk është koha për të hyrë në këto çështje për shkak se Gjuha Shqipe është e garantuar me Kushtetutë dhe është e garantuar përdorimi i saj.
Normalisht Gjykata Kushtetuese duhet që të angazhohet më shumë për të kërkuar zbatimin e përdorimit të saj, pasi ka pasur kritika për këtë çështje.
Po të ishte e sinqertë ajo duhej të angazhohej pikërisht në zbatueshmërinë e përdorimit të gjuhës shqipe si në nivel qendror dhe lokal.
Ishte grusht shteti, pasi kjo ishte një nismë e lëvizjes nacionaliste, ekstremiste si të doni quajeni, por është lëvije që do destabilizim. Por pyetje është se kush i nxit këto lëvizje? Dhe ne mendojmë se këto po i nxit opozita aktuale pjesë e së cilës është dhe ish-presidenti Ivanov, i cili nuk e nënshkruajti dekretin për fuqizimin e këtij ligji.
Dhe ky është presidenti që në atë kohë e ka zgjedhur BDI-ja dhe VMRO-ja e ish-kryeministrit Gruevski.
Pushteti i kaluar e ka pasur mundësinë që ta heqë këtë pikë nga diskutimi, pasi kjo iniciaytivë është që nga viti 2019 dhe Gjykata Kushtetuese ka pasur kohë ta shqyrtojë këtë.
Dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese është deputet i opozitës, Sali Murat, atëherë këtu mund të imagjinoni deri ku ka qenë lidhja e politikës me Gjykatës Kushtetuese dhe kapja e saj nga pushteti i mëparshëm.
Ne që jemi në mazhorancë nuk kemi ndikim fare tek gjykatat sot.
Ndaj unë them që këto janë shkëndija që nxiten dhe iniciohen nga opozita aktuale për të krijuar tensione ndër-etnike”, u shpreh ndër të tjera deputeti maqedonas Halil Snopçe për “Ora News”.