Gjykata Administrative e ka njoftuar vetëm Komunën e Karposhit se objekti 17 katësh në zonën e mbrojtur afër Spitalit Ushtarak po ndërtohet ligjërisht
Gjykata Administrative e ka anuluar mendimin negativ të Qendrës Konservatore të Shkupit për ndërtimin e objektit 17 katësh në afërsi të Spitalit Ushtarak, njoftoi Komuna e Karposhit. Komuna e Karposhit më 9 janar njoftoi se Gjykata Administrative e ka anuluar mendimin negativ dhe me këtë edhe pengesat për ndërtimin e objektit. Nga Qendra Konservatore na […]
Gjykata Administrative e ka anuluar mendimin negativ të Qendrës Konservatore të Shkupit për ndërtimin e objektit 17 katësh në afërsi të Spitalit Ushtarak, njoftoi Komuna e Karposhit. Komuna e Karposhit më 9 janar njoftoi se Gjykata Administrative e ka anuluar mendimin negativ dhe me këtë edhe pengesat për ndërtimin e objektit. Nga Qendra Konservatore na thanë se deri më sot nuk kanë marrë kurrfarë vendimi nga Gjykata Administrative. SDK.mk më 9 janar dërgoi pyetje pranë Gjykata Administrative në lidhje me këtë rast, por nga atje thanë se vendimi do të publikohet, transmeton Portalb.mk.
Me anulimin e mendimit negativ lejohet ndërtimi i objektit në zonë të mbrojtur, që do të thotë se sipas vendimit të gjykatës ai po ndërtohet ligjërisht. Ky vendim i gjykatës vjen pasi investitorët “ZSF Kom” Sh.P.K. Shkup dhe “Delta 2015 Construction” Sh.P.K.Nj.P. Shkup ngritën padi për mendimin negativ të Qendrës Konservatore.
Nga Organizata qytetare “Të pavarur për Karposhin”, e cila ka dy këshilltarë në Këshillin e Komunës së Karposhit, kanë reaguar ndaj njoftimit të zyrtarëve komunal duke thënë se Gjykata Administrative e lejon korrupsionin dhe parashtruan pyetjen se si ka mundësi që vendimin ta ketë Komuna e Karposhit, ndërkohë që askush tjetër nuk e ka marrë atë.
“Gjykatësi e konfirmon vendimin e paligjshëm dhe kriminal nën petkun e sigurisë juridike, ndërsa nuk i respekton gjërat e tjera ligjore. Përndryshe vendimin e ka Komuna e Karposhit e cila nuk është palë në këtë kontest, ndërsa avokati i i Qendrës Konservatore ende nuk e ka marrë atë”, thonë nga “Të pavarur për Karposhin”.
Në shkurt të vitit të kaluar Qendra Konservatore e anuloi mendimin pozitiv për ndërtimin e objektit, të cilin e kishte nënshkruar ish-drejtori Konstantin Dimitrovski, në bazë të të cilit Komuna e Karposhit dha leje për ndërtim.
Dimitrovski u arrestua si i dyshuar për shkatërrimin e hotelit “Shar”, i cili është objekt i trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Siç raporton Telma ai e ka pranuar fajësinë për këtë rast dhe ka arritur një marrëveshje me Prokurorinë për një dënim me kusht. Ai u dënua me dy vjet burg, të cilat nuk do t’i vuajë nëse nuk kryen një vepër të re penale brenda pesë vjetëve.
Pas disa shkrimesh në SDK dhe reagimeve të komunitetit profesional dhe organizatave qytetare se leje ndërtimi nuk mund të jepet për një zonë të mbrojtur, Ministria e Kulturës formoi një grup pune i cili vlerësoi se leja është lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore. Pas kësaj Qendra Konservatore solli një mendim të ri, negativ, duke vlerësuar se në këtë zonë nuk duhet të ndërtohet asnjë objekt banimi, e as edhe objekt komercial.
Por, Komuna e Karposhit, edhe krahas kësaj sërish nuk e ka anuluar lejen e ndërtimit dhe investitorët nuk kanë ndaluar me punimet ndërtimore dhe në terren tashmë është vendosur një bazë dhe po fillon ndërtimi i katit të parë të objektit.
Sipas projektit urban, objekti do të ketë dy kate me ambiente afariste dhe 17 kate me hapësira banimi. Do të ketë 420 apartamente, rreth 2.000 banorë dhe një frekuencë ditore prej 1.000 automjetesh shtesë.
Parcela ku është planifikuar të ndërtohet objekti ndodhet në një zonë të mbrojtur të objektit – monument të Spitalit Ushtarak, Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, i cili ka statusin e monumentit të trashëgimisë arkitekturore nga epoka e brutalizmit dhe është një objekt i mbrojtur si trashëgimi kulturore. Sipas Ligjit për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore për të ndërtuar një objekt dhe për të marrë leje ndërtimi nga Komuna e Karposhit, projekti urban duhet të miratohet nga Qendra Konservatore.
Në afërsi të SPQ “8 Shtatori” në Shkup nuk duhet të ketë ndërtesa të mëdha dhe të larta, sepse ai është kompleks spitalor dhe atje nuk do të mund të zbresin helikopterët. Në zonën në afërsi të ish-Spitalit Ushtarak ka hapësirë për aterrimin e avionëve në rast të një urgjence mjekësore dhe nëse objekti 17-katësh do të ndërtohet në afërsi të spitalit, ata nuk do të mund të aterrojnë dhe të ngrihen të sigurt. Spitali ushtarak, ndër të tjera, është caktuar si Njësia e Parë e Reagimit për forcat e NATO-s në Kosovë duke pasur parasysh se brenda perimetrit të spitalit ka terren për rastet emergjente mjekësore, ndërsa në atë perimetër ndodhet edhe ish-Qendra Mjekësore Ushtarake që tani shfrytëzohet nga Ministria e Mbrojtjes.
Plani i Detajuar Urbanistik (PDU) për Rajonin 3 05 të qytetit është miratuar në vitin 2013, në mandatin e kaluar të kryetarit Stevço Jakimovski. Në të në dy parcela kadastrale është e vizatuar një parcelë ndërtimore me numër 6.1, në të cilën është planifikuar objekti me qëllim A2 – banim në objekte banimi, me kat përdhes, 26 kate dhe një papafingo dhe lartësi prej 88 metrash.