Gjykata Administrative hodhi si të pabazë padinë e “Frontit Evropian” për rivotimin në Llërcë

Padia e koalicionit “Fronti Evropian” i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kundër vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për rivotimin në vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë të komunës së Zhelinës në zgjedhjet parlamentare, është hedhur si pabazuar, ka vendosur mbrëmë Gjykata Administrative, transmeton Portalb.mk. “Padia e koalicionit ‘Fronti Evropian’, i udhëhequr nga Bashkimi […]

maj 30, 2024 - 10:01
 0  12
Gjykata Administrative hodhi si të pabazë padinë e “Frontit Evropian” për rivotimin në Llërcë
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Padia e koalicionit “Fronti Evropian” i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kundër vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për rivotimin në vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë të komunës së Zhelinës në zgjedhjet parlamentare, është hedhur si pabazuar, ka vendosur mbrëmë Gjykata Administrative, transmeton Portalb.mk.

“Padia e koalicionit ‘Fronti Evropian’, i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, fushata zgjedhore – Zgjedhjet parlamentare 2024, në njësinë zgjedhore 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6, parashtruar kundër vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë së Veriut UP1.Nr.10-33 të 27.05.2024, refuzohet si e pabazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Administrative.

Me këtë aktgjykim, thuhet në njoftim, vërtetohet vendimi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve i datës 27.05.2024.

Koalicioni “Fronti Evropian” ka paraqitur kundërshtim në KSHZ për rivotimin në vendvotimin 2021 në fshatin Llërcë. Ky ishte i vetmi kundërshtim për rivotimin e 22 majit në shtatë qendra votimi në njësitë zgjedhore 5 dhe 6.

KSHZ-ja nuk e pranoi kundërshtimin dhe koalicioni “Fronti Evropian” ka paraqitur padi në Gjykatën Administrative.

Kundërshtimi i dorëzuar në KSHZ, siç tha atëherë përfaqësuesja e autorizuar e “Frontit Evropian”, avokatja Ana Zharevska nga zyra e avokatit Mefail Arslani, ka të bëjë me shkeljet e procedurës së votimit, si dhe procedurën për konstatimin dhe përmbledhjen e rezultateve.

Rivotimi në qendrën e votimit 2101 në Llërcë të Zhelinës ka ulur diferencën në mandate të fituara nga dy koalicionet që përfaqësojnë shqiptarët në shtet. Koalicioni “VLEN” tani do të ketë 14 deputetë në Kuvend, gjegjësisht një më shumë se 13 mandatet e fituara në zgjedhjet e 8 majit dhe koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI ra nga 19 në 18 mandate.