RMV, prej katër muajsh MASh nuk ka publikuar listat e bursave për ciklin e dytë dhe të tretë
Deklarata e autoriteteve në Ministrinë e Arsimit se rezultatet do të shpallen javën e kaluar është e pasaktë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i publikon rezultatet e konkurseve për bursa për studentët e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk. Përkatësisht, pas më shumë se katër muajsh nga shpallja […]
Deklarata e autoriteteve në Ministrinë e Arsimit se rezultatet do të shpallen javën e kaluar është e pasaktë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i publikon rezultatet e konkurseve për bursa për studentët e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Përkatësisht, pas më shumë se katër muajsh nga shpallja e konkurseve për bursa për studentë të magjistraturës dhe doktoraturës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk i ka publikuar listat e rezultateve, pavarësisht se numri i bursave është i vogël.
Studentët e shqetësuar që aplikuan në këto konkurse në disa raste iu drejtuan redaksive të Meta.mk, për shkak të dyshimeve për thirrjet “të munguara” nga ueb-faqja e Ministrisë së Arsimit dhe mospublikimin e rezultateve.
Konkurset për bursat e studimeve akademike të ciklit të dytë dhe të tretë për vitin akademik 2023/2024 u publikuan më 4 janar dhe u fshinë nga faqja e internetit e ministrisë disa javë më vonë. Në pyetjen e Meta.mk nëse dhe pse janë tërhequr konkurset, Ministria e Arsimit na është përgjigjur më 18 maj të këtij viti:
“Konkurset nuk janë tërhequr, por siç thuhej në to, aplikimi ndërpritet në momentin kur regjistrohet një numër i mjaftueshëm i aplikantëve. Procedura e shqyrtimit të aplikacioneve është drejt fundit dhe gjatë javës së ardhshme rezultatet do të publikohen në faqen tonë”.
Mirëpo, edhe ajo “javë e ardhshme”, (20-26 maj 2024) tashmë ka kaluar dhe listat e fituesve të bursave nuk kanë dalë ende.
Studentët i janë drejtuar disa herë Ministrisë së Arsimit dhe kanë thënë se kanë marrë informacione se “së shpejti do të ketë rezultate”. Në këto konkurse parashikohet një numër shumë i vogël i bursave – 50 për studentë të masterit dhe 15 për studentë të doktoraturës.
Shuma e bursave për ciklin e dytë është 9.000 denarë për nëntë muaj të vitit, ndërsa ato për ciklin e tretë janë 18.000 denarë dhe doktorantët e përzgjedhur do t’i marrin në kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Vitin e kaluar akademik, pavarësisht se ishin shpallur dhe paraparë në programin e Ministrisë së Arsimit, këto konkurse nuk e panë dritën e diellit, prandaj edhe këtë vit studentët dyshojnë në “qëllimet” e ministrisë kompetente.
Pasi që deri më tani nuk janë publikuar rezultatet e konkurseve për bursa për studentë në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, mund të konstatojmë se deklarata e përgjegjësve në Ministrinë e Arsimit dhënë për Meta.mk më 18 maj, se “ gjatë javës së ardhshme do të publikohen rezultatet’ është e pasaktë.