Gjykata Kushtetuese vendosi të mos votojë sot për ligjin e gjuhës shqipe, Kostadinovski: Kjo do të ndodhë, qoftë për një, dy ose tre muaj
Sot nuk u mor vendim për shfuqizim të mundshëm të ligjit ose disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjykata me shumicë votash dhe e propozim të gjyqtares referuese, Elizabeta Dukoska vendosi që të caktohet një seancë përgatitore ku do të ftohen për dëgjim dhe përplasje të argumenteve ekspertë të fushës, kontestuesit e ligjit […]
Sot nuk u mor vendim për shfuqizim të mundshëm të ligjit ose disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjykata me shumicë votash dhe e propozim të gjyqtares referuese, Elizabeta Dukoska vendosi që të caktohet një seancë përgatitore ku do të ftohen për dëgjim dhe përplasje të argumenteve ekspertë të fushës, kontestuesit e ligjit dhe palët tjera, shkruan Portalb.mk. Caktimi i seancës përgatitore kryesisht bëhet për shkak të sensitivitetit të kësaj lënde, pjesa më e madhe e gjykatësve thanë se seanca përgatitore nuk do t’ua ndryshojë atyre bindjen personale në lidhje me këtë, raporton Portalb.mk.
10:30 – Darko Kostadinovski, kreu i kushtetueses potencoi rëndësinë që ka përceptimi i qytetarëve në vendimin final për këtë lëndë.
“Po, pranoj të ketë seancë përgatitore. Unë ndjej përgjegjësi që t’i bind qytetarët e këtij vendi që do të vendosim në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe bazuar në argumente, pa paragjykime etnike, politike ose tjera, për të arritur këtë, seanca përgatitore do të ndihmoje” tha kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski.
Për një, dy ose tre muaj – vendim do të merret
Kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski u shpreh i bindur se pikërisht kjo përbërje e gjykatës kushtetuese do të vendosë për kushtetuetshmërinë e këtij ligji. Ai e tha këtë duke u bazuar në faktin se tash disa vite prolongohet marrja e këtij vendimi.
“Të jeni të bindur, për këtë lëndë do të vendoset, askush për këtë sduhet të ketë dilemë, a do të kalojë 1, 2 apo 3 muaj – nuk ka rëndësi, unë jam i bindur që pikërisht kjo përbërje dhe kjo gjykatë do të vendosë për këtë lëndë” tha Kostadinovski.
Elizabeta Kacaraska ishte gjykatësja e vetme prezente që ishte kategorikisht kundër këtij propozimi. Ajo tha se kjo është totalisht e panevojshme pasi bëhet fjalë për ligjin, jo për diçka që këta gjykatës s’kanë njohuri.
“Kush është ai ekspert që mund të na sqarojë neve nëse ky ligj është antikushtetues ose jo, po, ka ligje ku ne duhet të thirrim ekspertë, për fusha që ne nuk jemi shumë të sigurt, siç është kodi penal për shembull. Por, kush mund të vije këtu të na thotë neve nëse ky ligj bie ndesh me ligjet tjera ose jo?” tha Kacarska, ndërkohë u arsyetua që në kohën kur ka qenë ajo kryetare e kësaj gjykate për këtë ligj nuk është vendosë për shkak të numrit të vogël të gjykatësve.
Gjykatësit shqiptar nuk morrën pjesë, Fatmir Skender lëshoi seancën
Gjykatësit shqiptar në Kushtetuese si Osman Kadriu dhe Naser Ajdari vendosën të bojkotojnë seancën, pasi ata disa herë në daljet publike kishin theksuar se ekziston një vendim në gjykatën kushtetuese ku thuhet se nuk do të vendoset për lëndë nëse nuk marrin pjesë të gjithë gjykatësit.
Ndryshe e interpretuan këtë vendim gjykatësit tjerë kushtetues, kryesisht ata maqedonas, të cilët thanë se është marrë vendim “mos të vendoset për lëndë nëse nuk ka përbërje të plotë të gjykatës, jo nëse nuk janë të gjithë gjykatësit prezent”.
Gjykatësi turk nga ana tjetër, Fatmir Skender, në fillim të kësaj seance kërkoi që e njëjta të prolongohet për shkak të këtij vendimi dhe të tentojnë që të bindin gjykatësit shqiptar të marrin pjesë në seancë.
“Duhet ta prolongojmë këtë seancë, është prolonguar disa vite nuk na gjen gjë nëse shtyhet edhe për 2-3 javë, ka vendim që të mos marrim vendim nëse nuk janë të gjithë, ndoshta do vinë në seancat tjera edhe gjykatësit tjerë” tha Fatmir Skender.
Ai megjithatë u kundërshtua nga të gjithë kolegët e tij dhe u mbivotua, përkatësisht për këtë propozim të tij pesë gjashtë gjykatës votuan kundër kurse vetëm ai votoi për. Pas kësaj, Fatmir Skender e lëshoi sallën e gjyqit.
10:19 – Gjykatësja Elizabeta Dukoska ka kërkuar seancë përgatitore, ku do të ftohen ekspertë nga jashtë dhe do të shqyrtohen në detaje të gjithë pjesët e Ligjit për Gjuhët, me qëllim sqarimin e saktë të gjendjes faktike dhe juridike, shkruan Portalb.mk.
Sipas kryetarit të gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski propozimi duhet pranuar për ta bind opinionin për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.
Nga ana tjetër gjykatësja Dobrilla Kacarska është shprehur kundër këtij lloji të seancës, sepse, sipas saj, gjykata është ajo që duhet ta thotë fjalën përfundimtare, sepse është çështje juridike dhe jo mendim për ndonjë lëmi tjetër.
Ana Pavllovska Daneva ka përkrahur propozimin që të ketë seancë përgatitore. “Unë jam 20 vjet eksperte e Kushtetutës, por ka fusha që unë si di, dhe nuk është negative nëse kemi rastin të dëgjojmë edhe profesorë tjerë të Kushtetutës dhe t’i dëgjojmë argumentet e tyre. Fundja, jemi gjykatë dhe duhet t’i dëgjojmë të dy anët. Pse mbahen seancat përgatitore? Për t’i dëgjuar dy anët.
9:57: Seanca e Gjykatës Kushtetuese ku në rend dite është Ligji për Gjuhën Shqipe ka nisur në mungesë të dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, raporton Portalb.mk.
Në fillim te seancës gjykatësi Fatmir Skender ka kërkuar që seanca të shtyhet për dy javë, ku prezent do të jenë edhe dy gjykatësit shqiptarë dhe përbërja e gjykatës do të jetë e plotë.
Propozimi i gjykatësit Skender është votuar kundër, ky i fundit ka lëshuar seancën, dhe seanca po vazhdon.
9:45: Ka nisur seanca në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, ku në rend dite është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët. Në seancë mungojnë dy gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, raporton Portalb.mk.
07:00 jykata Kushtetuese sot do të mbajë seancë për nisjen ose jo të procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të gjuhëve. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Gjykata e caktoi 11 dhjetorin pavarësisht se më herët kjo datë ishte shtyrë për shkak të situatës delikate pas shfuqizimit të Balancerit, raporton Portalb.mk.
Në seancë, është paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë anëtarët shqiptarë Osman Kadriu dhe Naser Ajdari. Ndërkohë, gjykatësi i komunitetit turk, Fatmir Skender sipas gjasave pritet të mos e bojkotojë seancën.
Anëtarët shqiptarë, me bojkotimin e seancës synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për Ligjin e Gjuhëve, pasi që paraprakisht, sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtuese gjatë vitit 2022 dhe 2023 ka miratuar konkluzion që për çdo procedurë lidhur me Ligjin e Gjuhëve, Marrëveshjes e Prespës dhe Ligjin për Komunikime Elektronike, duhet vendoset me pjesëmarrje unanime të të gjithë anëtarëve të gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese gjatë periudhës 2022-2023 ka miratuar dy konkluzione për veprim me lëndët të cilat janë me interes të veçantë për qytetarët dhe për shtetin, siç janë Ligji për ratifikimin e të ashtuquajturës Marrëveshja e Prespës, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Komunikime Elektronike. Me konkluzionin e parë, në vitin 2022, gjykatësit njëzëri vendosën që të tri lëndët nuk do të vendosen në rend dite derisa Gjykata Kushtetuese nuk është e kompletuar me 9 gjykatësit, duke e pasur parasysh faktin se 17 muaj punohej në buzë të kuorumit me vetëm 5 gjykatës”, njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur e cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë nga gjykata që të veprojë me profesionalizëm dhe jo vendimi të jetë i motivuar politikisht, sepse siç thonë, vendimet arbitrare sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.
- LEXO: Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses për Ligjin e Gjuhëve: Mos u bëni pjesë e skenarëve politikë, vendimet arbitrare cenojnë marrëdhëniet ndëretnike
- LEXO: RMV, gjyqtarët kushtetues shqiptarë do të bojkotojnë seancën për Ligjin e Gjuhëve, të kontestueshëm plot 18 nene
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski nga ana tjetër, i pyetur për seancën e Gjykatës Kushtetuese tha se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë.
“BDI për 20 vjet ka emëruar gjyqtarë kushtetues, madje ata e dinë se të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë. Pastaj do të dalin në publik dhe do të thonë: Ja, ne ushtruam presion, prandaj nuk ndodhi asgjë. Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë, ka procedura, seanca përgatitore, e kështu me radhë, por ata sërish po i keqpërdorin shqiptarët, maqedonasit, duke i munduar me përpjekje për ndarje dhe për të tërhequr vëmendjen”, tha Mickoski.
Rasti ishte shënjestër e politikës. Përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut Fronti Evropian bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” ku thanë se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige, kjo, në formë proteste ndaj seancës.
Mirëpo, gjërat shkuan si mos më keq për BDI-në. Artan Grubi u shpall person non-grata nga SHBA-të dhe Fronti Evropian nuk e përmendi më nismën “Roja për Gjuhën”.
Sidoqoftë, informacione jozyrtare thonë se Kushtetuesja as nuk do ta shfuqizojë dhe as nuk do ta ndalë zbatimin e Ligjit të gjuhëve.
“Gjykata nuk duhet të inicojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. Ky është rekomandimi në referatin e gjyqtarit raportues, në të cilin “360 Gradë” ka pasur qasje.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.
- LEXO: Zëvendëskryeministri Fetai raportoi një kërcënim që mori në e-mail: Nuk mund të qëndroj indiferent
- LEXO: Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?
- LEXO: Ligji i gjuhëve, në dorë të gjykatësve Kushtetues
- LEXO: Maqedoni, u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve
- LEXO: Protesta para Qeverisë kundër ligjit të gjuhëve