Ahmeti: Nuk i kontestojmë vendimet e SHBA-së, Grubi ka të drejtë ankimimi

“Nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit të Shtetit”, e nisi përgjigjen kreu i BDI-së, Ali Ahmeti kur u pyet sot pra Gjykatës Kushtuese që të komentojë Listën e zezë amerikane dhe mungesën e Grubit në mbledhimin e sotëm përpara kësaj gjykate. Ahmeti shtoi se Grubi ka të drejtë anikimimi dhe deri në përfundimin e këtij […]

dhjetor 11, 2024 - 12:00
 0  5
Ahmeti: Nuk i kontestojmë vendimet e SHBA-së, Grubi ka të drejtë ankimimi
Ali Ahmeti. Foto printscreen nga video e Klan Maqedoni

“Nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit të Shtetit”, e nisi përgjigjen kreu i BDI-së, Ali Ahmeti kur u pyet sot pra Gjykatës Kushtuese që të komentojë Listën e zezë amerikane dhe mungesën e Grubit në mbledhimin e sotëm përpara kësaj gjykate. Ahmeti shtoi se Grubi ka të drejtë anikimimi dhe deri në përfundimin e këtij procesi, ai nuk dëshiron që të dëmtojë subjektin e tij politik dhe familjen e tij, transmeton Portalb.mk

“Ne nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit të Shtetit. Zoti Grubi e ka të drejtën e ankimimit. Do bëjë procesin në drejtim të fakteve, sepse kjo e drejtë i njihet zotit Grubi në vendimin e Departamentit të Shtetit dhe zoti Grubi sigurisht nuk do as të dëmtojë subjektin e vet, familjen e vet BDI-në, deri në momentin që ky proces të ketë një epilog”, tha Ahmeti.

Ahmeti, së bashku me liderët tjerë të Frontit Evropian ishte para Gjykatës Kushtetuese, ku kishte dalë për siç thonë “mbrojtje të gjuhës shqipe”. Ai me këtë rast kërkoi që gjykatësit kushtetues të mos marrin vendime të njëanshme. Ai bëri thirrje që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në vend.

“Të punojmë të gjithë bashkë që paqja të avancohet, e jo të rrënohet. Do të doja që këtu të kishte edhe intelektual nga bashkëqytetarët maqedonas, si dhe popullatë. Ne asnjëherë nuk kemi kontestuar gjuhën dhe kulturën e tyre, çdo herë kemi tentuar t’i mbrojmë vlerat e tyre dhe tonat. Ne duam që vendi ynë të jetë në paqe, i integruar në BE, pa probleme me gjitha vendet fqinje dhe mirësi të përhershme me gjithë popujt e Ballkanit. E kaluara nuk duhet harruar sepse me atë të kaluar kemi vuajtur të gjithë bashkërisht dhe sot sërish të ngriten çështje që janë mbyllur me një dokument dhe marrëveshje të dakorduar në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pra Marrëveshjen e Ohrit. Këtij dokumenti sa duhet t’i dalim zot ne, po aq duhet t’i dalin zot të gjitha institucionet në RMV, sepse i dha fund luftës dhe i hapi shtegun paqes e dialogut. Prandaj kujdes mos e rrezikoni të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, neve na duhet e ardhmja jo e kaluara, pasi e kaluara është e dhimbshme për të gjithë ne. Ne nuk kërcënojmë asnjë, duam lirinë tonë, duam që dinjiteti ynë të mos na poshtërohet. Duam që mos të bëhet patriotizëm me çështje të ndjeshme dhe të bëhet fushatë me fjalor anti-shqiptar. I lus gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme dhe selektive, pasi nuk i bënë mirë demokracisë e as bashkëjetesës. Marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit”, tha mes tjerash Ahmeti.

Kreu i BDI-së tha se tani për tani do të tërhiqen nga para Gjykatës Kushtetuese, do të analizojnë situatën dhe do të marrin vendim për veprim të mëtutjeshëm.

“Vendimi më i mençur do të ishte, që në seancën e sotme të hidhen poshtë 13 inciativat dhe të mbyllet ky kapitull. Tani ne do të tërhiqemi të analizojmë situatën”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se pas diskutimeve të gjykatësve kushtetues, gjykata votoi që të mbahet seancë përgatitore me qëllim dëgjimin e shumë palëve, ekspertëve juridik në këtë rast, që mund të shprehin këndvështrime të ndryshme rreth Ligjit në fjalë. Tani për tani, nuk dihet data e saktë për mbajtjen e seancës përgatitore.

Gjykatësja Elizabeta Dukoska ka kërkuar seancë përgatitore, ku do të ftohen ekspertë nga jashtë dhe do të shqyrtohen në detaje të gjithë pjesët e Ligjit për Gjuhët, me qëllim sqarimin e saktë të gjendjes faktike dhe juridike.

Sipas kryetarit të gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski propozimi duhet pranuar për ta bind opinionin për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

Nga ana tjetër gjykatësja Dobrilla Kacarska është shprehur kundër këtij lloji të seancës, sepse, sipas saj, gjykata është ajo që duhet ta thotë fjalën përfundimtare, sepse është çështje juridike dhe jo mendim për ndonjë lëmi tjetër.

Ana Pavllovska Daneva ka përkrahur propozimin që të ketë seancë përgatitore. “Unë jam 20 vjet eksperte e Kushtetutës, por ka fusha që unë s’i di, dhe nuk është negative nëse kemi rastin të dëgjojmë edhe profesorë tjerë të Kushtetutës dhe t’i dëgjojmë argumentet e tyre. Fundja, jemi gjykatë dhe duhet t’i dëgjojmë të dy anët. Pse mbahen seancat përgatitore? Për t’i dëgjuar dy anët”.

Seanca e Gjykatës Kushtetuese ka nisur në mungesë të dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Në fillim te seancës gjykatësi Fatmir Skender ka kërkuar që seanca të shtyhet për dy javë, ku prezent do të jenë edhe dy gjykatësit shqiptarë dhe përbërja e gjykatës do të jetë e plotë.

Propozimi i gjykatësit Skender është votuar kundër, ky i fundit ka lëshuar seancën, ndërsa ajo vazhdoi pa prezencën e tij.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.