Gjykata në Hagë e refuzon kërkesën e Mlladiqit për lirimin nga burgu për arsye shëndetësore
Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës) e ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladiqit për lirimin e tij të përkohshëm për arsye humanitare, duke përmendur gjendjen e rënduar shëndetësore. Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime


Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës) e ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladiqit për lirimin e tij të përkohshëm për arsye humanitare, duke përmendur gjendjen e rënduar shëndetësore.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.
Në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, thuhet se edhe pse vlerësimet mjekësore tregojnë se Mlladiq i është afruar fundit të jetës, ai është duke marrë kujdes të gjithanshëm shëndetësor, gjë që është e dokumentuar në raportet mjekësore.
“Informacionet që kam në dispozicion tregojnë se rrethanat humanitare bindëse, të cilat Mlladiq i ka përmendur si arsye për lirimin, nuk janë vërtetuar”, thuhet në vendim.
Sipas gjykatës, Mlladiq nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute dhe terminale që do të mund të arsyetonte lirimin e tij. Për më tepër, ai është duke marrë kujdes mjekësor cilësor dhe të përshtatur me nevojat e tij specifike.
Gjykata thekson, gjithashtu, se janë ndërmarrë masa për t’i mundësuar atij kontakte të rregullta me familjen.
“Mbajtja e tij e mëtejshme në burg nuk përbën trajtim çnjerëzor apo degradues dhe, si e tillë, vazhdon t’i mbështesë parimet thelbësore të ndëshkimit që zbatohen për krimet për të cilat ai është dënuar. Prandaj, kërkesa duhet të refuzohet”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Më 2 qershor, përmes avokatëve të tij, Mlladiq kishte paraqitur kërkesë për lirimin e përkohshëm ose të parakohshëm, duke pretenduar se ishte diagnostikuar me një sëmundje terminale dhe se i kishte mbetur pak kohë për të jetuar.
