Gjykata Penale në Shkup refuzoi ekstradimin e Blerim Ramadanit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, transmeton Portalb.mk. Kujtojmë se Gjykata Penale i ka ulur masën e kujdesit shtetasit të Kosovës, ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani. Nga paraburgimi ekstradues, Ramadani kalon në […]
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, transmeton Portalb.mk.
Kujtojmë se Gjykata Penale i ka ulur masën e kujdesit shtetasit të Kosovës, ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani. Nga paraburgimi ekstradues, Ramadani kalon në arrest shtëpie në një adresë në Shkup.
Ai do të jetë në arrest shtëpiak deri më 16 gusht në ora 13:00.
Vendimi i Gjykatës së Shkupit ishte paralajmëruar pardje nga ministri i punëve të brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, gjatë takimit me homologun nga Maqedonia e Veriut, Pançe Toshkovski.
Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik vlerësoi që autoritetet e Maqedonisë së Veriut do të marrin vendim për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së.
Më 20 korrik u protestua para objekteve të gjyqësorit në Shkup, ku u kërkua lirimi i Ramadanit. E njëjta kërkesë u parashtrua edhe në protestën e mbajtur më 25 korrik në Ferizaj.