Gjykata Penale refuzoi ankesën për paraburgimin e Grubit

Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e avokatit të Artan Grubit kundër vendimit me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, transmeton Portalb.mk. Ky vendim i Këshillit Penal të Gjykatës Penale të Shkupit e konfirmon vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake dhe mbetet në […]

dhjetor 24, 2024 - 20:00
 0  3
Gjykata Penale refuzoi ankesën për paraburgimin e Grubit
Artan Grubi në Listën e Zezë Amerikane. Foto: Meta.mk

Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e avokatit të Artan Grubit kundër vendimit me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, transmeton Portalb.mk.

Ky vendim i Këshillit Penal të Gjykatës Penale të Shkupit e konfirmon vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake dhe mbetet në fuqi masa e paraburgimit, e cila do të fillojë të zbatohet pasi Grubi të kthehet në vend.

Avokati i Grubit bëri ankimim javën e kaluar kundër vendimit të Gjykatës Penale pasi Gjykata, me propozimin e Prokurorisë Publike, ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore të RMV-së Përparim Bajramin.

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i SHA “Lotaria Shtetërore” Përparim Bajrami akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë me mbi 501 milionë denarë.

Asnjëri nga ta nuk është i disponueshëm për organet e rendit.

Ministri i Punëve të Brendshme Panço Toshovski theksoi se asnjë shtet fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së për qëndrimin e mundshëm të Grubit në territorin e tyre.

Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’ 

23 dhjetor ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se asnjë vend fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së nëse Grubi ndodhet në territorin e tyre.

Më 21 dhjetor zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, e jo në Kosovë

Më 20 nëntor u pezullua nga puna polici i cili mundësoi arratisjen e Artan Grubit.

Më 20 dhjetor avokati i Grubit Vlladimir Donevski tha se nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj.

Më 18 dhjetor konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Papraniku u mor në pyetje në polici për shkak të dyshimeve se e ndihmoi Grubin të arratiset.

Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajamin. 

Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin. 

Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit. 

Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.

Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’. 

Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre

Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar

Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, 

Ndryshe, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.