Gostivar, me rëndësi është avancimi i të drejtave të fëmijëve dhe pjesëmarrja e tyre në planifikimin lokal
Ambasada për të drejtat e fëmijëve “MEGJASH” në bashkëpunim me komunën e Gostivarit e organizoi sot konferencën “Gostivari – Komuna kushtuar fëmijëve” në kuadër të projektit “Një vend për t’u rritur”. Në të morën pjesë autoritetet lokale, përfaqësues të stafit arsimor, përfaqësues nga organizata joqeveritare, të rinj dhe fëmijë nga komuna e Gostivarit. Temat për […]
Ambasada për të drejtat e fëmijëve “MEGJASH” në bashkëpunim me komunën e Gostivarit e organizoi sot konferencën “Gostivari – Komuna kushtuar fëmijëve” në kuadër të projektit “Një vend për t’u rritur”. Në të morën pjesë autoritetet lokale, përfaqësues të stafit arsimor, përfaqësues nga organizata joqeveritare, të rinj dhe fëmijë nga komuna e Gostivarit. Temat për të cilat diskutuan ata kishin të bëjnë me promovimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe mbështetës për fëmijët duke ndarë praktikat tashmë ekzistuese pozitive për pjesëmarrjen e fëmijëve në politikat lokale komunën e Gostivarit, transmeton Portalb.mk.
“Një vend për t’u rritur” është projekt i financuar nga BE që synon të forcojë përpjekjet e autoriteteve në avancimin e të drejtave të njeriut, të fëmijëve dhe pjesëmarrjen e fëmijëve në planifikimin lokal. Projekti do të zgjasë 30 muaj dhe do të realizohet edhe në komunat e Vincës, Dibrës, Gostivarit, Velesit dhe Kisela Vodës
Në pjesën hyrëse të konferencës fjalën e mori kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili foli për përmirësimin e kushteve të ndryshme për të rinjtë përmes hapjes së tri qendrave ku të rinjtë kanë mundësi të kalojnë kohën e lirë.
“Ky projekt ka përfshirë disa komuna, ndër këto edhe komunën e Gostivarit me organizimin dhe aktiviteteve për fëmijë ndër të cilat edhe konferenca e sotme. Ky projekt ka pasur rol pozitiv në ndryshimin e disa gjërave në favor të fëmijëve.” tha përfaqësuesi i shoqatës për fëmijë “Megjashi”, Dragi Zmijanac.
Për programin e Qendrës Rinore dhe bashkëpunimin me komunën foli përfaqësuesi nga Qendra Rinore ICAN, Art Spahiu duke treguar si funksionon kjo qendër.
Azra Nuredini, zyrtare për rininë në Komunën e Gostivarit, foli për procesin e themelimit të Këshillit Rinor Lokal, si dhe për aktivitetet që zhvillohen me të rinjtë në komunë.
Sa është rëndësishëm shëndeti psikik po aq është i rëndësishëm edhe ai fizik tha Aneta Çiroska, mjeke. Ajo të pranishmëve iu drejtua me fokus të veçantë për kujdesin për shëndetin dhe të drejtat e fëmijëve.
Të ftuar ishin gjithashtu edhe përfaqësues nga komuna e Dibrës. Përmes shembujve praktikë, Armira Sharku prezantoi aktivitetet e komunës së Dibrës lidhur me të drejtat e fëmijëve dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në politikat lokale.
Sesioni kyç i konferencës përfshiu tema që janë aktuale te fëmijët dhe të rinjtë siç janë dhuna e bashkëmoshatarëve, të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, zgjidhja e problemit të qenve endacakë, si dhe rëndësia e bashkëpunimit mes shkollës dhe familjes.
“Shpesh si institucion në shkollë mbajë aktivitete të ndryshme, diskutojë tema të ndryshme hapim debate me nxënësit dhe së bashku mund të nxjerrim në sipërfaqe të gjithë problemet që i kanë fëmijët apo të rinjtë. Po ashtu realizojmë edhe këshillim mes prindërve dhe fëmijë ose edhe vetëm individualisht me fëmijë me qëllim që të qetësojmë këto fëmijë të dhunuar dhe për ‘tua mësuar të drejtat e tyre” tha Elhame Memeti, psikologe në shkollën e mesme komunale ekonomike Gostivar.
Në temën “Nga reflekset e kushtëzuara deri te zgjedhja me qentë endacak” foli Njomza Shaqiri profesoreshë e lëndës së biologjisë në shkollën e mesme komunale- Gostivar.
“Nxënësve në njësinë mësimore u ka lindur ideja për zgjidhjen problemit me qentë endacak. Ideja e kësaj teme në këtë konference është çfarë mund të bëjmë me nxënësit, ose si ta rrisim vetëdijen për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve me atë që mësojmë në shkollë”.
Të rinjtë dhe fëmijët luajtën një rol udhëheqës në këtë konferencë lokale. Të pranishëm ishin nxënës të shkollave të komunës, të cilët përmes një vizatimi përshkruan se si e shohin të ardhmen në qytetin e tyre dhe çfarë do të donin të ndryshonin. Vizatimet ia dorëzuan kryetarit të komunës së Gostivarit, duke i dhënë përgjegjësi që t’i bëjë ato prioritet në aktivitetet e ardhshme të komunës.
Pas konferencës, u mbajt një panel diskutimi lokal, i përbërë nga përfaqësues të autoriteteve lokale, stafi arsimor dhe palë të tjera të interesuara brenda komunës që ishte organ i veçantë i komunës.