Hasani: NATO më e fortë pas agresionit në Ukrainë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nga Estonia, theksoi se, agresioni rus në Ukrainë vijon të mbetet kërcënimi më kritik për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian dhe më gjerë. Ai tha se Shqipëria vazhdon të mbajë një qëndrim të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë […]
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nga Estonia, theksoi se, agresioni rus në Ukrainë vijon të mbetet kërcënimi më kritik për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian dhe më gjerë.
Ai tha se Shqipëria vazhdon të mbajë një qëndrim të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e BE-së, NATO-s dhe SHBA-së.
“Shqipëria mbështet në mënyrë aktive përpjekjet dhe iniciativat e ndërmarra për të siguruar përgjegjësi të plotë për krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në Ukrainë. Duke i qëndruar krah Ukrainës, Shqipëria po e mbështet atë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, deri në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.”
I pyetur mbi rolin e Rusisë në sigurinë në botë, ministri Hasani tha se fituesi i vetëm në këto kohë të trazuara është NATO, aleanca e vlerave dhe kombeve që duan paqen dhe respektojnë të drejtat e popujve.
Gjatë qëndrimit në Talin, Ministri Hasani u prit nga kryeministrja Kallas ku i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE./Klan News