“Holanda mbështetëse e rrugëtimit europian të Shqipërisë”, Spiropali takon Kryetarin e Parlamentit dhe Senatit Holandez

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Parlamentin Holandez, ku u prit në një takim të përbashkët nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma, dhe Kryetari i Senatit, Jan Anthonie Bruijn. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Vendet e Ulëta, Artur Kuko. “Synojmë mbylljen e negociatave teknike […]

Mars 24, 2025 - 22:00
 0  5
“Holanda mbështetëse e rrugëtimit europian të Shqipërisë”, Spiropali takon Kryetarin e Parlamentit dhe Senatit Holandez

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Parlamentin Holandez, ku u prit në një takim të përbashkët nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma, dhe Kryetari i Senatit, Jan Anthonie Bruijn.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Vendet e Ulëta, Artur Kuko.

“Synojmë mbylljen e negociatave teknike brenda 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda 2030 si dhe intensifikimin e dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik e tregtar, dhe ndërveprimit në të gjitha fushat e tjera”, tha Spiropali.

Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera intensive politike dypalëshe, shkëmbimet e vizitave të nivelit të lartë  dhe theksoi se ky momentum duhet ruajtur dhe bashkëpunimi duhet dhe mund të zgjerohet.

Pozita strategjike e Holandës në Bashkimin Europian dhe roli i fuqishëm në organizatat ndërkombëtare përbëjnë një oportunitet për realizimin e ambicieve tona për integrimin europian dhe kontributin në përballimin e sfidave globale.

Spiropali vlerësoi mbështetjen për transformimet demokratike, nëpërmjet programeve të ndihmës për reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Holanda është ndër investitorët kryesorë në Shqipëri dhe znj. Spiropali shprehu interesimin për shtimin e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar si edhe bashkëpunimin në  nivelin lokal. Turizmi dhe sporti po afrojnë më shumë njerëzit e dy vendeve tona.

Kryetarja Spiropali nënvizoi se në kontekstin e zhvillimeve aktuale në marrëdhëniet ndërkombëtare, bashkëpunimi mes dy vendeve mund të përfshijë edhe rivitalizimin e industrisë sonë ushtarake e mbrojtëse, në kuadrin e Programit për Riarmatimin e Europës.

Nxitja e bashkëpunimit parlamentar është thelbësor për marrëdhëniet mes dy vendeve. Spiropali nënvizoi vullnetin e Kuvendit për intensifikimin e shkëmbimeve me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin në të gjitha nivelet, mes komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve.

Spiropali vlerësoi mbështetjen e Holandës për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe ndau me homologët objektivin kombëtar strategjik për përfundimin e negociatave teknike të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda vitit 2030, një objektiv ambicioz, por plotësisht i arritshëm, nëse mbajmë parasysh faktin se Shqipëria është aktualisht vendi kandidat që ecën më shpejt dhe  më vendosmërisht drejt anëtarësimit.

Ne synojmë të zhvillojmë dy konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE në muajt prill dhe qershor, gjatë Presidencës Polake, dhe dy konferenca ndërqeveritare gjatë muajve tetor dhe dhjetor, gjatë Presidencës Daneze.

Spiropali vuri në dukje rolin aktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin, sigurinë e paqen në rajon, kontributin e Procesit të Berlinit në integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Planit të Rritjes si një mundësi që përshpejton  zhvillimin ekonomik dhe rrit mirëqenien e fuqizon kohezionin social në vendet e rajonit.

Kryetarja e Kuvendit, Spiropali diskutoi me homologët holandezë edhe për bashkëpunimin  mes dy vendeve në kuadrin e  Komunitetit Politik Europian dhe organizimin e Samitit të Gjashtë të tij në Tiranë në 16 maj 2025.

Duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve si anëtarë dhe partnerë në NATO, Spiropali vuri në dukje se mbështetja e palëkundur e Shqipërisë për Ukrainën do të vazhdojë.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ftoi Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Martin Bosma dhe Kryetarin e Senatit, Jan Anthonie Bruijn për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.