Hoxhaj: Sot Kosova është pa përkrahje dhe e izoluar ndërkombëtarisht
Nënkryetari i kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova nuk ka qenë ndërkombëtarisht asnjëherë në një pozitë më të vështirë, më të komplikuar dhe më të dëmshme sesa është sot. Sipas tij, ajo çka vlen për shtetet e vogla dhe thelbi i politikës së jashtme të shteteve të vogla është sigurimi […]
Nënkryetari i kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova nuk ka qenë ndërkombëtarisht asnjëherë në një pozitë më të vështirë, më të komplikuar dhe më të dëmshme sesa është sot.
Sipas tij, ajo çka vlen për shtetet e vogla dhe thelbi i politikës së jashtme të shteteve të vogla është sigurimi i përkrahjes, gjë që sipas tij, Kosova e ka pasur që nga vitet e 90-ta e deri në Qeverinë Kurti.
“Nuk ka asgjë më të shenjt për shtetet e vogla sesa ta kenë orientimin e drejt dhe të sigurojnë përkrahje. Sot Kosova në politikën e saj jashtme është pa orientim, sot Kosova është pa përkrahje dhe për atë s’ka ndodhur asnjëherë në katër vitet e fundit që asnjë vend mos ta njeh Kosovën”, tha Hoxhaj në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Tutje, Hoxhaj tha se Kosova aktualisht është totalisht e izoluar ndërkombëtarisht, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare, teksa e përmendi edhe dështimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që sipas tij, tregon se Kosova ka dështuar në çdo dimension të politikës së jashtme.
“Dhe as në vitet e 90-ta nuk kemi pasur një situatë që s’kemi pasur përkrahje ndërkombëtare. Për 30 vite, Serbia ka qenë e izoluar, e sanksionuar, e bombarduar nga Perëndimi. Për tre muaj, me gabimet që i ka bërë Albin Kurti në tri vitet e fundit, Serbia ka arritur që ta nënshkruaj një marrëveshje strategjike për litiumin, marrëveshje me Francën në vlerë miliarda dhe një marrëveshje me ShBA-në në sektorin e energjetikës”, tha ai.