Hulumtimi i Metamorfozis: Sa më shumë para nga qeveria për portalet nga një koalicion, aq më pak paanshmëri
Cilat janë boshllëqet dhe dobësitë kritike lidhur me mediat online në Maqedoninë e Veriut dhe integritetin e tyre kur bëhet fjalë për financimin nga partitë/koalicionet politike gjatë zgjedhjeve? Si e mbuluan fushatën zgjedhore portalet? Si u shpenzuan fondet publike për fushatat zgjedhore në portalet online? Me çfarë toni raportuan portalet për koalicionet nga të cilat […]
Cilat janë boshllëqet dhe dobësitë kritike lidhur me mediat online në Maqedoninë e Veriut dhe integritetin e tyre kur bëhet fjalë për financimin nga partitë/koalicionet politike gjatë zgjedhjeve? Si e mbuluan fushatën zgjedhore portalet? Si u shpenzuan fondet publike për fushatat zgjedhore në portalet online? Me çfarë toni raportuan portalet për koalicionet nga të cilat morën më shumë para?
Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve i gjeni në hulumtimin e Fondacionit Metamorfozis, i cili u prezantua sot para publikut, para ekspertëve të shumtë, politikanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Fondacioni Metamorfozis është pionier sa i përket hulumtimeve të këtij lloji, duke pasur parasysh se deri më tani nuk ka pasur asnjë hulumtim të ngjashëm, e as edhe një metodologji të caktuar kur bëhet fjalë për paratë publike dhe portalet informative online.
Hulumtimi u realizua në 30 portale informative online të përzgjedhura, që paraqet mbi 10 përqind të numrit të përgjithshëm të uebfaqeve të paraqitura (251) në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për reklama politike me pagesë. Në periudhën nga 15 prilli deri më 10 maj të vitit 2024 monitorimit i janë nënshtruar gjithsej 13.645 tekste për zgjedhjet.
Nga portalet e monitoruara 22 janë në gjuhën maqedonase, 8 në gjuhën shqipe, ndërsa në mesin e portaleve të monitoruara janë edhe dy agregatorë të lajmeve (Time.mk dhe Grid.mk), në lidhje me analizën e banderolave reklamuese lidhur me zgjedhjet.
“Ne tentuam ta bëjmë hapin e parë, me qëllim që t’i informojmë qytetarët se si shpenzohen paratë e tyre. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për paratë tona ato duhet të shpenzohen në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Financimi i mediave është kyç për interesin publik dhe për këtë arsye hulumtimi përmban informacion se si portalet online i kanë mbuluar zgjedhjet dhe nëse i kanë informuar qytetarët në mënyrë të paanshme”, tha në prezantimin e sotëm Filip Stojanovski, koordinator i programeve në Fondacionin Metamorfozis.
“Ka një numër të kufizuar shembujsh ndërkombëtarë për monitorimin e portaleve informative online, sidomos gjatë periudhave zgjedhore, prandaj ishte e vështirë të gjenden metodologji të ndërtuara mirë ose studimo relevante të rastit që mund të na shërbenin si referencë. Kjo mangësi e nxori në pah nevojën për inovacion dhe për krijimin e një kornize të përshtatur për monitorim. Një prioritet kyç ishte që të sigurohet një kodim i besueshëm, sidomos në analizën e tonit të raportimit. Veprimi konsistent nga programerët është i një rëndësie qenësore me qëllim që të fitohen rezultate të rëndësishme dhe të besueshme”, tha Giovanna Maiola, eksperte ndërkombëtare për monitorimin e mediave.
Si?
Elemente të kuantifikuara të mbulimit mediatik:
- Numri i përgjithshëm i teksteve të publikuara gjatë kohës së monitorimit.
- Vëllimi i mbulimit mediatik të pjesëmarrësve konkret, partive dhe aktorëve politik të cilët morën pjesë në zgjedhje
- Ton pozitiv, negativ ose neutral i raportimit i përfshirë në mbulimin mediatik për çdo aktor politik në procesin zgjedhor.
- Numri, lloji dhe shpërndarja e banderolave reklamuese të përdorura për reklamim politik të paguar.
- Mirëmbajtja e PIO ndaj standardeve profesionale dhe etike në gazetari gjatë kohës së mbulimit mediatik të zgjedhjeve,
- Baraspeshë gjinore në mbulimin mediatik të pjesëmarrësve politik.
- Respektimi i standardeve gazetareske profesionale, siç është dallimi mes lajmit dhe komentit, baraspeshimi i burimeve të informacionit, verifikimi i informacionit, korrigjimi i informacionit të pasaktë gjatë mbulimit të një lajmi, etj.
Sipas rezultateve të anketës ka një rritje të konsiderueshme të raportimit lidhur me aktivitetet partiake gjatë fushatës zgjedhore, krahasuar me raportimin e rregullt për aktivitetet politike. Për shembull, numri i teksteve të botuar aka shënuar një rritje prej 58.8% vetëm tre ditë para fillimit zyrtar të fushatës, krahasuar me numrin e një dite më parë.
“Mbulimi arriti kulminacion në 8 maj, në ditën e zgjedhjeve, me ç’rast portalet informative online publikuan 1.762 tekste lidhur me zgjedhjet, duke përfshirë këtu edhe raportimin mbi procesin e votimit dhe rezultatet e para të zgjedhjeve. Portali Republika.mk kishte pjesëmarrjen më të madhe në mbulimin e zgjedhjeve (7,6%), ndërsa Kumanovonews.mk ka raportuar me pak nga të gjithë (0,2%). Nga tekstet e analizuara, 82,5% janë fokusuar tek fushatat dhe aktivitetet partiake, ndërsa 17,5% kanë përfshirë informacion të përgjithshëm për zgjedhjet dhe organizimin e tyre”, thuhet në analizë.
Pastaj hulumtimi tregon se shumica e portaleve të monitoruara kanë qenë të përqendruara tek partitë/koalicionet kryesore parlamentare, ndërsa raportimi për partitë më të vogla ka qenë i kufizuar.
“Më të përfaqësuara në raportim kanë qenë VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja në bllokun maqedonas, bashkë me BDI-në dhe Vlen-in në bllokun shqiptar. Partitë e tjera si ZNAM dhe E majta kanë marrë një vëmendje minimale, ndërsa partitë e tjera si Avaja, Alternativa e Re, E djathta dhe Partia Jote munguan dukshëm në mbulimin zgjedhor”, thuhet në analizë.
VMRO-DPMNE-ja ka dominuar në mbulimin e zgjedhjeve me 51% të teksteve (gjithsej 7.007), ndërsa 42,2% e raportimeve kanë qenë me ton pozitiv dhe 20% me ton negativ. Republika.mk, Kurir.mk, Vecer.press dhe Lider.mk kanë qenë ndër portalet që kanë raportuar më pozitivisht për VMRO-DPMNE-në.
BDI-ja ka qenë e përfaqësuar në 40,6% të mbulimit zgjedhor (5.551 tekste), nga të cilat 42,6% kanë qenë negative dhe 20% me ton pozitiv.
“Përkatësisht, pjesa më e madhe e raportimeve negative për BDI-në ka qenë në portalet Republika.mk, Express.mk, Kurir.mk dhe disa portale në gjuhën shqipe si TV21.mk, Tetovasot.com dhe Zhurnal.mk (që kanë raportuar pozitivisht për VMRO-DPMNE-në). Kjo tregon se disa PIO kanë raportuar negativisht për BDI-në dhe më pozitivisht për VMRO-DPMNE”, thuhet në raportin e monitorimit.
LSDM-ja ka qenë e përfaqësuar në 40% e teksteve të analizuara. Raportimi për LSDM-në ka qenë kryesisht neutral (39,1%), ndërsa në 34,2% të teksteve është raportuar me ton negativ, shpesh me akuza të theksuara për korrupsion dhe për dominimin e BDI-së në qeveri.
“Raportim negativ ka pasur kryesisht në Republika.mk, Kurir.mk dhe Express.mk. Vlen-i, koalicioni opozitar i shqiptarëve etnikë, ka qenë më pak i mbuluar se BDI-ja dhe ka qenë i përfaqësuar në 22% të teksteve, prej të cilëve 14% kanë qenë me ton negativ dhe 35% me ton pozitiv. Tetovasot.com dhe TVKlan.mk janë portalet që kanë publikuar numrin më të madh të teksteve negative, ndërsa TV21.tv dhe Zhurnal.mk kanë raportuar me ton më pozitiv”, thuhet në monitorim.
Nga aspekti i standardeve profesionale, në numrin më të madh të teksteve nuk ka qenë i shënuar autori, është përdorur kryesisht vetëm një burim informacioni, shpesh duke riprodhuar njoftimet për shtyp të partive pa analiza apo hulumtim shtesë. Krahas kësaj analiza nxorri në pah edhe se përmes raportimit të njëanshëm shpesh janë promovuar kandidatë ose parti konkrete, ndërsa të tjerave u është dhënë vetëm një rol dytësor,
“Tekstet ndonjëherë përmbanin deklarata nxitëse pa moderim editorial, duke e ndezur kështu edhe më shumë polarizimin politik.”
Për sa i përket përfaqësimit gjinor, pavarësisht se 42,9% e kandidatëve ishin gra (753 nga 1755), vetëm 2,4% e teksteve kanë mbuluar tema që kanë të bëjnë me çështjet gjinore.
“Mediat në masë të madhe i kanë lënë mënjanë çështjet gjinore duke ringjallur stereotipet tradicionale përmes portretizimit të grave kandidate në role familjare, e jo si aktorë politikë. Mediat nuk arritën t’i analizonin programet zgjedhore të koalicioneve dhe partive politike nga aspekti i barazisë gjinore, ndërsa e dukshme ishte mungesa e përmbajtjes komparative për propozimet e kandidatëve për grupe të ndryshme të grave dhe vajzave”, thuhet në dokument.
Portalet u stimuluan që të raportonin në mënyrë më të favorshme për t’i forcuar lidhjet e tyre me aktorë konkretë politik
Sipas analizës VMRO-DPMNE-ja ishte partia më aktive me gjithsej 1.069 banderola reklamuese në internet. Për dallim nga kjo partitë më të vogla, si AVAJA, ishin minimalisht të përfaqësuara sa i përket reklamimit. Sa i përket dy koalicioneve kryesore nga blloku shqiptar, BDI-së dhe VLEN-it, portalet informative kryesisht i shisnin hapësirë reklamuese njërit apo tjetrit koalicion.
Numrin më të madh të reklamave e ka publikuar A1on.mk, pra 11,1%, pas së cilit vjen Telegrafi.mk me 8,9%, Grid.mk me 8,4%, 360stepeni.mk me 7%, Faktor.mk me 6.3%, MKD.mk me 5,1%, Vecer.mk me 4,9%, Slobodenpecat.mk me 4,5%, Zhurnal.mk me 4,5%, Time.mk me 4,5%, etj. Numri i banderolave reklamuese ka filluar të rritet në 19 prill, ditën e dytë të fushatës zgjedhore dhe ka arritur kulminacion nga 24 prilli deri në 5 maj të vitit 2024.
“Shpërndarja e banderolave reklamuese rezultoi të ishte e motivuar politikisht dhe në raste të caktuara partitë u jepnin përparësi portaleve informative që ofronin mbulim pozitiv editorial të fushatës. Kjo flet për një qasje strategjike të palëve në drejtim të përmirësimit të paraqitjes dhe ndikimit të tyre në perceptimin e publikut përmes teksteve favorizuese mediatike. Si rezultat i kësaj portalet informative online u stimuluan që të raportojnë në mënyrë më të favorshme që t’i forcojnë lidhjet e tyre me pjesëmarrës konkret politikë”, tregon hulumtimi.
Nevojiten kritere të qarta për të pasur transparencë se si shpenzohen paratë e zgjedhjeve që u jepen portaleve
Konstatimet e hulumtimit tregojnë se sistemi i financimit të drejtpërdrejtë shtetëror të portaleve informative online mund të rishqyrtohet ose, nëse mbetet, duhet të prezantohen kritere të qarta dhe objektive në legjislacion që të mund të garantohet transparencë dhe llogaridhënie, si në përcaktimin e pranueshmërisë së portaleve informative online, ashtu edhe në përdorimin e parave shtetërore për reklama politike me pagesë.
Pastaj, një nga rekomandimet është që për ta përmirësuar cilësinë e përgjithshme dhe diversitetin e peizazhit mediatik mund të merren parasysh disa metoda alternative të financimit të mediave online/portaleve online.
“Kjo duhet të zbatohet në kuadër të një procesi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe transparent që nxit besimin dhe llogaridhënien. E një rëndësie qenësore për këtë proces janë konsultimet gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët përkatës, duke përfshirë këtu edhe profesionistët e medias, organet mbikëqyrëse dhe rregullatore, zyrtarët e qeverisë dhe organizatat e shoqërisë civile”, thuhet në dokument.
Në hulumtim rekomandohet edhe përforcimi i standardeve profesionale për gazetarët përmes mbështetjes së siguruar për raportimin investigativ dhe analitik, pra përmes programeve të specializuara për trajnim për gazetarët për aftësi të avancuara investigative, udhëzime etike dhe praktika më të mira në gazetarinë investigative.
Rekomandohet edhe përforcimi i fokusit në barazinë gjinore, rritjen e mbikëqyrjes së reklamave politike me pagesë, inkluzivitetin gjuhësor në reklama dhe vëmendjen ndaj nevojave të grupeve të cenueshme.
Portale të reja regjistrohen vetëm për t’i marrë paratë e shtetit nga koalicionet partiake
Vlladimir Georgiev, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, thotë se nga hulumtimi mund të konstatohet se angazhimet më të mëdha financiare zakonisht lidhen me njoftime dhe mbulim më pozitiv, por ka edhe përjashtime.
“Disa media, pavarësisht nga madhësia e mbështetjes financiare, e mbajnë neutralitetin. Por ndoshta koalicionet politike janë të gatshme të angazhojnë një portal që në periudhën parazgjedhore nuk anon nga ato, sepse shpresojnë që kështu (me reklama nga buxheti i shtetit) do të ndryshojnë diçka në sentimentin e publikimeve gjatë fushatës zgjedhore”, thotë Georgiev dhe shton:
“Numri i portaleve online që regjistrohen pak para zgjedhjeve është rritur ndjeshëm, gjë që tregon se shumë prej tyre regjistrohen që të sigurojnë burime financiare gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa më vonë që të krijojnë marrëdhënie klienteliste me partitë/koalicionet politike”.
Georgiev e ngriti edhe çështjen e përshtatshmërisë, gjegjësisht për atë nëse mjetet nga buxheti i shtetit për reklama partiake, në vend se për promovimin e ideve, projekteve dhe angazhimeve do të shpenzohen për shpifje për kundërshtarët politikë.
Sam Power, ekspert ndërkombëtar për financimin politik dhe partiak, tha se studimi i Fondacionit Metamorfozis nxorri në pah dy probleme kryesore: se kriteret e shpërndarjes janë shumë të rrepta dhe se ato nuk respektohen në platformat online. Power tha se si krahasim Maqedonia në shumë fusha është në përputhje me normat e BE-së, por kështu nuk është kur bëhet fjalë për financimin indirekt shtetëror përmes reklamave politike me pagesë.
Si studim të rastit ai e përmendi Mbretërinë e Bashkuar në raport me testimin e inteligjencës artificiale kur bëhet fjalë për financimin e zgjedhjeve, ku ajo aplikon njohjen optike të karaktereve dhe konvertimin e dokumenteve në mënyrë që dokumentet të bëhen të lexueshme nga makinerite. Sigurisht, thotë ai, këtu ka edhe sfida të shumta sepse jo të gjitha faturat duken njësoj.
“Nevojiten edhe mekanizma mbrojtës, sepse sa më shumë që digjitalizoni, aq më të pasigurt jeni. Në gjithë këtë cikël është i nevojshëm njeriu”, theksoi Power.
Monitorimin e mbulimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 në portalet informative online në Maqedoninë e Veriut mund ta lexoni në gjuhën maqedonase, gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.