Mjekja onkologe Vjollca Skenderi Neziri u përgjigj në pyetjet për kancerin e gjirit, ja çfarë tha
Në kuadër të tetorit rozë, muajit për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, Mollëkuqja realizoi intervistë me onkologen Vjollca Skenderi Neziri, e cila iu përgjigj pyetjeve të cilat publiku i parashtroi mbi kancerin e gjirit, transmeton Portalb.mk. Pyetjet dhe përgjigjet e mjekes mund t’i ndiqni më poshtë. Jam 19 vjeçe, a është shumë herët që të […]
Në kuadër të tetorit rozë, muajit për ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, Mollëkuqja realizoi intervistë me onkologen Vjollca Skenderi Neziri, e cila iu përgjigj pyetjeve të cilat publiku i parashtroi mbi kancerin e gjirit, transmeton Portalb.mk.
Pyetjet dhe përgjigjet e mjekes mund t’i ndiqni më poshtë.
Jam 19 vjeçe, a është shumë herët që të filloj me kontrolle të rregullta të gjirit apo jo?
Mosha nëntëmbëdhjetë vjeçare nuk është ndonjë moshë shumë e hershme që të fillojë me kontrolle të gjirit, ne zakonisht e rekomandojmë vetëkontrollin e gjirit të bëhet menjëherë pas menstruacioneve në drejtim të akrepave të orës para pasqyrës. Në qoftë se zonja në fjalë në familje ka ndonjë të prekur nga kanceri i gjirit mund lirisht të fillojë të bëjë ehon e parë në këtë moshë, në qoftë se nuk ka anëtarë të sëmurë nga kanceri i gjirit, në qoftë se nuk ka pasur as ndonjë fibraadernomë as ndonjë ndryshim tjetër në gji, nuk ka pranuar terapi hormonale, atëherë ehon e parë të gjirit mund ta lërë ta bëjë diku në moshën 25 vjeçare.
Kam dëgjuar që kremrat kozmetike apo deodarantët mund të rrisin shanset për kancer në gji, a është kjo e vërtetë?
U bë shumë bujë e madhe rreth deodorantëve se mund të jenë kancerogjene, mirëpo shkencërisht nuk është e vërtetuar se deodorantët ndikojnë në paraqitjen e kancerit të gjirit. Sidoqoftë gjithmonë rekomandojmë kur përdoren deodorantët të jenë të verifikuara me qëllim që të mbrohet edhe vetë lëkura e vetë vajzës-gruas që e përdor atë. Lidhja e deodorantëve me kancerin e gjirit shkencërisht nuk është vërtetuar.
Motrën e kam me kancer në gji, ajo gjithë jetën është marrë me sport dhe ka ngrënë shëndetshëm, a do të thotë kjo që kjo sëmundje nuk mund të parandalohet?
Nuk ka një mekanizëm që qindpërqind do ta parandalonte paraqitjen e kancerit të gjirit. Prandaj ne themi se askush nuk është i kursyer që në një fazë të caktuar të jetës të preket nga kanceri i gjirit. Përsëri rekomandojmë, si vajza që është ushqyer shëndetshëm dhe ka çuar në një farë mënyrë jetë të shëndetshme, të gjithë ta praktikojmë këtë mënyrë të të jetuarit. Mirëpo të gjithë kemi rrezikun potencial që të prekemi nga kjo sëmundje, andaj edhe kontrollet e hershme janë shumë të rëndësishme.
A ke trajtuar ndonjëherë ndonjë të mitur për kancer në gji, si ndryshon trajtimi i kancerit të gjirit për të rinjtë krahasuar me të moshuarit?
Të mitur, kur bisedojmë për të mitur me siguri mendon nën moshën 16 vjeçe. Shkenca ka treguar se kanceri i gjirit nuk i prek vajzat e mitura ose duhet të ketë ndonjë çrregullim të madh gjenetik që të paraqitet. Por nuk është karakteristikë e moshës së mitur kanceri i gjirit, mund të preken vajzat mbi moshën 18 vjeçare, por edhe këto duhet të kenë ndonjë predispozitë familjare, ndonjë mutacion gjenetik. Përndryshe trajtimi i kancerit të gjirit nuk ndikon sipas moshës por ndikon sipas stadit në të cilin gjendet, sipas receptorëve hormonal, sipas receptorëve biologjikë dhe kështu me radhë.
Mami im është e diagnostikuar me kancer në gji, sa janë gjasat që edhe unë në të ardhmen ta kem të njëjtin fat, a është kjo një sëmundje që trashëgohet?
Kanceri i gjirit është sëmundje që trashëgohet prandaj ne themi që vajzat ose gratë të cilat në familjen e tyre një anëtare grua e kanë pasur me kancer të gjirit, kontrollet duhet t’i fillojnë shumë më herët, është mosha 25 vjeçare. Me që shkenca ka vërtetuar se 70 përqind e grave që nuk kanë pasur anamnezë familjare pozitive janë sëmurë nga kanceri i gjirit, kjo do të thotë se nuk është patjetër ata që kanë anëtarë me kancer të gjirit të sëmuren nga kanceri i gjirit, por për ta ditur sigurt këtë duhet të bëhen testime gjenetike për të parë se a ka apo nuk ka mutacione.
Çka e dallon një gungë të parrezikshme në gji me një gungë që mund të jetë kancer, pasi shpesh herë vetëkontrollohem, po s’e di a e bëj mirë?
Ne vetëkontrollin kur e rekomandojmë qëllimin e kemi që vajzat ta mësojnë konsistencën e gjirit të tyre, me qëllim që edhe këto “ndryshimet e mira” kur t’i palpojnë t’i shohin se nuk i kanë pasur më parë dhe pastaj të shkojnë dhe t’i diagnostikojnë të njëjtat. Ç’është dallimi? Dallimi në mes gungave të mira kushtimisht dhe kancerit të gjirit nuk është shumë i dukshëm, të njëjtat mund të diagnostikohen përmes mjeteve diagnostikuese si që është eho e gjirit, mamografia ose rezonanca magnetike. Prandaj gjithmonë kur në gji palphohet diçka që nuk është palpuar më herët është mirë të konsultohet mjeku.
Jam mbipeshë dhe më intereson nëse pesha trupore mund të ndikojë në shtimin e rrezikut për kancer në gji?
Gjithmonë sipas shkencës, obeziteti ose mbipesha është e lidhur me rrezikun e shtuar për tu paraqitur kanceri i gjirit dhe kjo si pasojë e asaj se në indin dhjamor tajohet një pjesë shtesë e hormonit të estrogjenit, prandaj vajzat që kanë mbipeshë janë më të rrezikuara nga kanceri i gjirit, dhe në qoftë se nuk mund ta rregullojnë mbipeshën për arsye të ndryshme mjekësore ose jomjekësore të njëjtat duhet në rregull t’i bëjnë kontrollet rutinore edhe skriningun.
A jemi edhe ne meshkujt e rrezikuar nga kanceri në gji, a dallon trajtimi për ne nga ai që e bëni për gratë?
Pacient mashkull me kancer në gji e kam pasur një, për fat të mirë është, gjithçka është në rregull, kanceri i gjirit është i rrallë te gjinia mashkullore. Statistikat tregojnë se 1 në 1 mijë është dallimi mes djemve dhe vajzave, është i rrallë si paraqitje, por mund të paraqitet edhe te meshkujt. Trajtimi nuk dallon, protokollet janë të njëjta të trajtimit.
Përndryshe, 346 gra vitin e kaluar e humbën betejën me kancerin e gjirit në Maqedoninë e Veriut. Nga viti 2017 deri në vitin 2021 janë regjistruar 4,002 raste me kancer të gjirit. 2,234 gra humbën jetën nga kanceri i gjirit në Maqedoninë e Veriut nga viti 2017 deri në vitin 2021.