Hulumtimi për RMV-në: 13,2 përqind e buxhetit familjar të duhanpirësve shpenzohet për cigare
13,2 përqind e buxhetit familjar të amvisërive me duhanpirës në vend shpenzohet për blerjen e cigareve, tregon hulumtimi “Efekti i konsumit të duhanit në buxhetin familjar në Maqedoni” dhe “Ndikimi i çmimeve të cigareve dhe politikave të kontrollit të duhanit në iniciativën me duhanpirjen tek të rinjtë” i “Analitika Think Tank” nga Shkupi, transmeton Portalb.mk. […]
13,2 përqind e buxhetit familjar të amvisërive me duhanpirës në vend shpenzohet për blerjen e cigareve, tregon hulumtimi “Efekti i konsumit të duhanit në buxhetin familjar në Maqedoni” dhe “Ndikimi i çmimeve të cigareve dhe politikave të kontrollit të duhanit në iniciativën me duhanpirjen tek të rinjtë” i “Analitika Think Tank” nga Shkupi, transmeton Portalb.mk.
Duke prezantuar hulumtimin, Tamara Mijoviq-Spasova tha se në Maqedoni përqindja e duhanpirësve te të rritur është 48.4%, amvisëritë me duhanpirës ndajnë 13.2% të buxhetit të tyre për cigare, që është një rritje e konsiderueshme nga 10.3% në vitin 2018. Të gjitha këto statistika, thotë ajo, kanë efektin e “shtrydhjes” së buxhetit familjar, duke shkaktuar rritje të varfërisë.
“Të dhënat e ‘Analitika’ tregojnë rezultate shkatërruese, gjegjësisht thonë se pasioni për cigaren dhe produktet e tjera të duhanit e shteron buxhetin e familjes në kurriz të buxhetit të nevojshëm për ushqim, arsim dhe shëndetësi, sidomos te familjet me të ardhura të ulëta. Për më tepër, është i habitshëm fakti që hulumtimet tregojnë se cigaret rrisin koston e pijeve alkoolike, që do të thotë se familjet që nuk pinë duhan shpenzojnë 1.1% të buxhetit të tyre familjar për alkool, ndërsa familjet me duhanpirës shpenzojnë 12.5% për alkool. Nëse merren parasysh të gjitha analizat, shihet qartë se shpenzimi i buxheteve familjare për prodhimet e duhanit shkakton thellimin e varfërisë”, tha Mijoviq-Spasova.
Në panel diskutimin me temë “Kontrolli i duhanit për shëndet më të mirë publik, mbrojtje të të rinjve dhe mirëqenie familjare”, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) Marija Andonovska tha se sipas statistikave të tyre, 45,4% e qytetarëve janë duhanpirës aktivë, dhe kjo është dukshëm më shumë se rajoni evropian, që është 25%.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shpenzimet e cigareve arrijnë në 38 miliardë denarë në vit, që është alarm i kuq për marrjen e masave urgjente për zvogëlimin e kësaj humbjeje. Ne si Instituti i Shëndetit Publik kemi hapur linjën telefonike falas për lënien e duhanit dhe kemi vërtet shumë telefonata. Në atë drejtim do të vazhdojmë të investojmë në aktivitete të caktuara që do të sjellin rezultate në këtë fushë”, tha Andonovska.
Mjekët nga Klinika e Pulmologjisë dhe anëtarët e Shoqatës respiratore të Maqedonisë bënë thirrje për ligj më rigoroz për mbrojtjen nga duhani, pasi sipas statistikave të fundit, 45 përqind e popullsisë në Maqedoni pi cigare. Më 20 nëntor, Ditën Botërore të Sëmundjeve Kronike Obstruktive të Mushkërive (DBSKOM), mjekët thanë se pirja e duhanit është një faktor rreziku kryesor për sëmundjet.
Në mars të vitit 2018, me propozim të deputetëve të LSDM-së, në Kuvend u votuan amendamentet me të cilat lejohet pirja e duhanit në tarraca, kopshte dhe platforma jashtë ambienteve të hotelierisë, edhe kur ato janë të mbyllura për shkak të kushteve atmosferike. Me ligjin fillestar, të miratuar nga qeveria e VMRO-DPMNE-së, tarracat nuk lejoheshin të mbylleshin plotësisht, por duhej të hapeshin nga njëra anë.