I nxehti ekstrem “djeg” Europën/46°C në Spanjë, alarmi për shëndetin në disa shtete
Pjesa më e madhe e Europës është përfshirë nga një valë e fuqishme e të nxehtit, duke shkaktuar për pasojë temperatura përvëluese dhe probleme të shumta me shëndetin. Konkretisht, Spanja është mes vendeve më të prekura, ku të shtunën në qytetin El Granado u regjistrua temperatura rekord prej 46°C, më e larta ndonjëherë për muajin […]

Pjesa më e madhe e Europës është përfshirë nga një valë e fuqishme e të nxehtit, duke shkaktuar për pasojë temperatura përvëluese dhe probleme të shumta me shëndetin.
Konkretisht, Spanja është mes vendeve më të prekura, ku të shtunën në qytetin El Granado u regjistrua temperatura rekord prej 46°C, më e larta ndonjëherë për muajin qershor, sipas shërbimit kombëtar meteorologjik.
Po ashtu alarm i kuq për temperaturat ekstreme është shpallur në disa zona të Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, ndërsa paralajmërimet portokalli janë aktivizuar në pjesë të Francës, Austrisë, Belgjikës, Hungarisë, Sllovenisë, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë e Zvicrës. Si pasojë e të nxehtit përvëlues të shtunën, në Barcelonë një grua humbi jetën pasi përfundoi turnin si pastruese rruge.
Italia ka raportuar rritje të ndjeshme të rasteve me goditje nga i nxehti, sidomos tek të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike dhe personat në situatë rruge. Spitale si “Ospedale dei Colli” në Napoli kanë krijuar rrugë të posaçme trajtimi për të përballuar rastet emergjente.
Në Bologna janë hapur shtatë qendra klimaterike me ajër të kondicionuar dhe ujë të pijshëm, ndërsa në Romë, të moshuarve mbi 70 vjeç u ofrohet hyrje falas në pishinat publike.
Edhe Ballkani Perëndimor është përfshirë nga vala e të nxehtit. “Serbia regjistroi temperaturën më të lartë ndonjëherë që nga fillimi i matjeve në shekullin XIX. Në Slloveni, të shtunën u shënua temperatura më e lartë e qershorit në histori, ndërsa Maqedonia e Veriut u përball me 42°C të premten”, raportojnë mediat. Në ditët në vijim parashikimet tregojnë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten sidomos në Francë, Gjermani, Itali dhe Britani.
Ekspertët theksojnë se megjithëse është e vështirë të lidhet çdo ngjarje ekstreme drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe më intensive për shkak të ndryshimeve klimatike.
