IShP: Dy punonjës të Kopshtit Zoologjik Shkup rezultuan negativë për gripin e shpendëve
Rezultatet e dy punonjësve të Kopshtit Zoologjik të Shkupit të cilët sot janë testuar për grip të shpendëve janë negative, njoftoi Instituti për Shëndet Publik (ISHP). Për shkak të shpërthimit të gripit të shpendëve, Kopshti Zoologjik në Shkup është i mbyllur që nga fundjava, transmeton Portalb.mk. “Anketat epidemiologjike janë bërë në të 16 personat nga […]
Rezultatet e dy punonjësve të Kopshtit Zoologjik të Shkupit të cilët sot janë testuar për grip të shpendëve janë negative, njoftoi Instituti për Shëndet Publik (ISHP). Për shkak të shpërthimit të gripit të shpendëve, Kopshti Zoologjik në Shkup është i mbyllur që nga fundjava, transmeton Portalb.mk.
“Anketat epidemiologjike janë bërë në të 16 personat nga lista e ofruar nga Kopshti Zoologjik. Sot në Repartin e Virologjisë iu bë një test për gripin e shpendëve tek një person i cili në anketën epidemiologjike tregoi se një ditë kishte simptoma të rritjes së temperaturës së trupit. Është testuar edhe një person i dytë i punësuar në Kopshtin Zoologjik, i cili është paraqitur sot në ISHP me simptoma në vijim. Sipas rezultateve të marra, të dy personat janë negativë për grip të shpendëve”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
ISHP ka lëshuar edhe rekomandime për qytetarët ku thuhet se pothuajse të gjitha rastet e infektimit me virus kanë të bëjnë me kontakt të ngushtë me shpendë të infektuar apo të ngordhur.
“Ndërsa mund të ketë pasur disa raste të pazbuluara, virusi nuk duket se infekton lehtësisht njerëzit ose nuk përhapet nga personi në person, bazuar në njohuritë dhe kuptimin aktual të sëmundjes”, thanë nga ISHP.
Kështu, sipas ISHP-së, njerëzit mund të mbrohen nga infeksionet e gripit të shpendëve në zonat ku virusi është endemik duke shmangur kontaktin me kafshë të sëmura ose të ngordhura, duke shmangur kontaktin me kafshët në ferma, tregjet e kafshëve dhe vendet ku kafshët mund të theren, shmangni kontaktin me çdo sipërfaqe që duket se është e kontaminuar me jashtëqitje kafshësh.
Ata theksojnë se larja e rregullt e duarve me ujë dhe sapun është e nevojshme.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në Kopshtin Zoologjik në Shkup është konstatuar prania e gripit të shpendëve te një shpend. Siç shtuan nga aty, në Kopshtin Zoologjik është bërë vëzhgim dhe është kryer vrasje humane e disa llojeve të shpendëve.
Nga aty theksuan se edhe pse Kopshti Zoologjik ka zbuluar kafshë të ngordhur gjashtë ditë më parë (më datë 14.10.2024), nuk ka vepruar sipas procedurave ligjore, pra nuk ka raportuar dyshimin për sëmundje infektive te organet kompetente. Me këtë, AUV vlerëson se menaxhmenti i Kopshtit Zoologjik ka shkelur detyrimet ligjore dhe në mënyrë të pavarur ka dorëzuar një mostër në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, e cila është pranuar për përpunim më 15.10.2024.
Kujtojmë se Kopshti zoologjik është mbyllur. Nga atje akuzuan se prej mëngjesit të 19 tetorit pa urdhër, vendim apo dëshmi tjetër, inspektorët e AUV-së të shoqëruar me persona me armë kanë hyrë në kopshtin zoologjik të Shkupit dhe kanë kryer masakër mbi zogjtë.