Sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, krerët në RMV dërgojnë urime

Ditën e sotme, më 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilën ditë u njësua Kongresi i Manastirit dhe përbën një ditë përkujtimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Në Maqedoninë e Veriut kjo ditë është ditë jopune për shqiptarët, transmeton Portalb.mk. Alfabeti u njësua gjatë […]

Nëntor 22, 2024 - 13:00
 0  6
Sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, krerët në RMV dërgojnë urime
Shkolla e parë shqipe në Korçë

Ditën e sotme, më 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilën ditë u njësua Kongresi i Manastirit dhe përbën një ditë përkujtimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Në Maqedoninë e Veriut kjo ditë është ditë jopune për shqiptarët, transmeton Portalb.mk.

Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.

Në këtë ditë nuk munguan urimet e funksionarëve shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova uroi ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke thënë se 22 Nëntori është një datë e rëndësishme historikisht për shqiptarët, por edhe për shtetin.

“116 vjet më parë, në Manastir u njësua alfabeti i shqipes, akt që forcoi vetëdijen gjuhësore të popullit shqiptar dhe krijoi një themel për përparim të mëtejshëm kulturor e qytetërues. Njësimi i alfabetit të shqipes është jo vetëm një akt reforme gjuhësore, por edhe një simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminizëm. Gjuha krijon një hapësirë ​​për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkim rreth vlerave identitare. Përmes tij, diversiteti bëhet pasuri dhe e ardhmja bëhet një mundësi për rritje individuale dhe kolektive. Gjuha dhe kultura shqiptare janë të ngulitura në strukturën tonë shoqërore dhe hapësirë ​​të hapur për mirëkuptim dhe bashkëjetesë reciproke. Respektimi i dallimeve gjuhësore na bën një shoqëri demokratike multikulturore. Ne ishim dhe mbetemi shembull i përkushtimit për ruajtjen dhe promovimin e diversitetit etnik, gjuhësor, kulturor e fetar, duke mundësuar edukimin në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, si dhe shprehjen e lirë dhe dinjitoze të kujtesës kolektive dhe shpirtërore. Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip!”, thuhet në urimin e Siljanovskës.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski, me rastin e kësaj dite gjatë mbajtjes së Akademisë Solemne në Qeverinë e RMV-së, tha se jetojmë në një kohë të diversifikimit të fortë të diversiteteve dhe komuniteti shqiptar është pjesë e kësaj tabloje mozaiku.

“Në këtë frymë, Dita e Alfabetit Shqip është një kujtesë sesi shkrim-leximi dhe arsimi mund të jenë ura lidhëse mes njerëzve. Jo temat që na ndajnë, jo kërkesat politike të individëve që shumë vite më parë fshiheshin pas popullit të cilin e vidhnin. Fokusimi i qartë drejt prioriteteve, nevojave reale për arsim, ekonomi dhe progres na ndihmon të tejkalojmë dallimet, të ndajmë vlerat tona dhe të ndërtojmë një komunitet më të fortë e më të bashkuar. Njëkohësisht ditën e sotme do ta përdor për të folur për dy vlerat themelore të cilat e formësojnë çdo shoqëri- shkrim-leximin dhe arsimin. Këto janë baza e zhvillimit tonë individual dhe kolektiv, mjetet që na mundësojnë të arrijmë qëllimet tona dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”, tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se hkrim-leximi dhe arsimi nuk janë luks – ato janë të drejta themelore dhe instrumentet më të fuqishme për transformimin e shoqërisë sonë.

“Le të investojmë në shkrim-lexim. Le të hapim dyert e arsimit për të gjithë. Të krijohet një shoqëri në të cilën dija do të jetë monedha më e fortë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shtet që do të jetë i përgatitur për të ardhmen. Kjo ditë le të na frymëzojë për të punuar së bashku, me dashuri për dijen, me respekt për historinë dhe me një shikim kah e ardhmja. Urime Ditën e Alfabetit Shqip”, tha Mickoski.

Ndryshe sot, 22 nëntor 2024, në Sallën e Kristaltë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në orën 11:00, Këshilli për Ndarjen e Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” do ta ndajë çmimin shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2024 për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Fituesit e çmimit “22 Nëntori” për vitin 2024 janë prof. dr. Avzi Mustafa, pedagog dhe prof.dr. Afrim Osmani, profesor universitar.

Kjo ditë u shënua me një sërë ngjarjesh të tjera. Në orën 10:00, dita e Alfabetit u festua edhe nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup.

“Në Kongresn e Manastirit, para 116 viteve, nuk u bë vetëm standardizimi i alfabetit të gjuhës shqipe, por u arrit edhe një kompromis i madh në mes të shtresave të ndryshme të elites intelektuale shqiptare të asaj kohe, e cila ndonëse vinte nga provinienca të ndryshme fetare e krahinore, e gjeti formulën e koegzistencës dhe harmonisë në mes veti. Kjo formulë prodhoi vizionin perendimor në vetëdijen kulturore e arsimore të shqiptarëve, duke e shkëputur nga treni aziatik vagonin shqiptar të aspiratave euro-atlantike”, tha drejtori i ITShKSh Skender Asani.

Në orën 11:00 u bë ndarja e Çmimit “22 Nëntori” në Kuvendin e RMV për profesorët Avzi Mustafa dhe Afrim Osmani.

Ngjarjet në vijim janë:

  • Ora: 15:00-Vizitë Muzeut të Alfabetit
  • Ora: 16:00-Ekspozitë “22 Nëntori në Telajo”-Sheshi i Manastirit
  • Ora: 16:30-Panel diskutim “22 Nëntori-Dita e Alfabetit, Gjuha shqipe-identiteti ynë”-Manastir
  • Ora: 19:00 – Koncert-Pallati i Kulturës në Manastir

Kujtojmë se pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar ishin Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.