‘Jeni Xhamia’ e Manastirit u shndërrua në muze të kulturës krishtere-islame nën pretendimin se në themelet e saj ka kishë

Pas shumë vitesh gërmimesh dhe restaurimesh, ‘Jeni Xhamia’ në qendër të Manastirit, është sërish e hapur për vizitorët, por tani jo vetëm si Galeri e Arteve, por si Muze i kulturës së krishterë dhe islame. Kjo është bërë me pretendimin se gërmimet arkeologjike kanë treguar se në themelet e saj ndodhet ish-katedralja dhe kisha më […]

Nëntor 22, 2024 - 13:00
 0  6
‘Jeni Xhamia’ e Manastirit u shndërrua në muze të kulturës krishtere-islame nën pretendimin se në themelet e saj ka kishë
Jeni Xhamia, Manastir

Pas shumë vitesh gërmimesh dhe restaurimesh, ‘Jeni Xhamia’ në qendër të Manastirit, është sërish e hapur për vizitorët, por tani jo vetëm si Galeri e Arteve, por si Muze i kulturës së krishterë dhe islame. Kjo është bërë me pretendimin se gërmimet arkeologjike kanë treguar se në themelet e saj ndodhet ish-katedralja dhe kisha më e madhe në Manastir, “Shën Gjergji” dhe një nekropol krishter, transmeton Portalb.mk.

Për këtë veprim ka reaguar Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut.

Nga BFI thonë se është e papranueshme se si për këtë vendim nuk janë konsultuar aspak dhe se as është kërkuar pëlqim për transformimin e xhamisë në muze. BFI në reagim përmend historinë e xhamisë Jeni duke numëruar edhe përpjekjet e tyre për të rikthyer xhaminë nën menaxhim të BFI-së, por shtojnë se asnjëherë nuk u realizua kjo kërkesë e tyre.

“Ne, si përfaqësues të besimtarëve myslimanë e kundërshtojnë fuqishëm këtë iniciativë për transformimin e Jeni xhamisë në “muze” dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që dëmton frymën e shenjtë të xhamisë. U bëjmë thirrje organeve kompetente në RMV që të ushtrojnë autoritetin e tyre konform dispozitave ligjore, si dhe përfaqësive diplomatike dhe institucioneve kulturore vendore dhe ndërkombëtare me ndikimin e tyre të mbrojnë Jeni xhaminë në Manastir si objekt fetar islam dhe me vlerë të madhe kulturore”, thonë mes tjerash nga BFI.

Reagime ka pasur edhe nga partitë politike dhe ish-funksionarë.

Nga BDI thonë se ky vendim është i njëanshëm dhe se është tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional që po vijon dhe bën kjo qeveri.

“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të qeverisë për të aktivizuar statusin e Xhamisë Jeni në Manastir si një galeri, duke anashkaluar ndjeshmëritë fetare dhe historike të një komuniteti të rëndësishëm në vend. Ky akt, i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme, është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë qeveri”, thonë nga BDI.

Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, këtë veprim e ka quajtur skandaloz.

“SKANDAL – Sonte Qeveria VLEN-DPMNE ka përdhosur edhe objektin tonë fetar Xhamin JENI në Manastir, duke e shndërruar atë në “Muze te trashigimisë kulturore kristiane dhe islame”. I dënoj ashpër këto veprime disa mujore që janë antishqiptare dhe tanimë edhe antiislame. Ca kukulla që flasin shqip po prekin në çdo gjë të shejntë tonën, si përkatësin etnike, diasporën, gjuhën shqipe e tani edhe xhamitë tona. Turp ju qoftë! Haram ju qoft!”, shkroi Lloga.

Jeni Xhamia me dekada të tëra ka pritur të rikthehet në pronësi të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM).

Mirëpo, ajo në vitin 2015 u shndërrua në Galeri të Arteve, për të cilën nuk pajtohej as BFIM-ja e as Muftinia e Manastirit.

Gjatë hapjes së mbrëmshme, Zoran Nikolovski, drejtor i Institutit dhe Muzeut të Manastirit, tha se para xhamisë në këtë vend ka pasur kishë.

“Kemi faza të ndryshme të ndërtimit sakral që datojnë nga shekulli VII deri në shekullin XI. Një prej tyre është kisha katedrale e Shën Gjergjit, ose më saktë ky është një fragment i themelit të kishës.Përndryshe, ajo kishë katedrale është shumë më e madhe se xhamia e Jenit dhe për këtë jemi dëshmitarë se para xhamisë kemi pjesë të xhamave ku shihen një pjesë e mureve dhe themeleve të kishës”, tha Zoran Nikolovski, drejtor i Institutit dhe Muzeut të Manastirit.

Gërmimet në dhe rreth xhamisë kanë vazhduar që nga viti 2003, ndërsa Bashkësia Fetare Islame gjithashtu drejtoi një proces gjyqësor për të marrë pronën, por e humbi atë.

Pjesa e lutjeve të objektit mbetet e pa restauruar, për të cilën Instituti dhe Muzeu do të aplikojë me projekt në Ministrinë e Kulturës për të marrë fonde për të përfunduar restaurimin e të gjithë objektit, si dhe do të kërkojë para nga organizata të tjera donatore.

Duke folur për gërmimet në Jeni Xhami, në vitin 2015 Muftiu i Manastirit mohonte pretendimet për gjoja themele të Kishës Shën Gjorgjia.

“Kudo që të gërmoni në Manastir, në Shkup apo në qendrën më të ngushtë të qyteteve do të gjeni tre gur një mbi një ose do të gjeni ndonjë themel që nuk është aspak as argument as fakt se aty ka patur kishë ose ndonjë ndërtim tjetër. Nuk ka patur për arsye se tanimë ia gjetën edhe emrin kinse qenka kisha e Shën Gjorgjit”, thotë në deklaratën për AA, Veliu.

Ai thekson se prej vitit 2011 e këtej gati në të gjitha materialet apo dokumentet e shkruara në komunikim ndërmjet Ministrisë së Kulturës ose Drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe të Entit të për mbrojtje kulturore të Manastirit gjithmonë shkruhet Jeni Xhami – Kisha Shën Gjorgji.

“Domethënë emri i xhamisë nuk është Jeni Xhami, por është emër i dyfishuar që mban edhe atë edhe emrin tjetër dhe nesër pasnesër emri i Jeni Xhamisë do të fshihet nga aspekti i të vërtetës. Gjetëm edhe tapinë e Jeni Xhamisë, por për fat të keq ajo tapi nuk është e verifikuar ose nuk është e vulosur. Për çfarë arsye ne nuk kemi njohuri”, tha ai.

Muzeu do të jetë i hapur për vizitorët çdo ditë pune nga ora 10 deri në 14.