Në rrethanat e reja rritet rëndësia e Korridorit 8 në RMV
Ndërtimi i Korridorit 8 do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për NATО-n dhe aleatët e saj evropianë nëse Shtetet e Bashkuara i japin fund pranisë së tyre ushtarake në portin në Aleksandropolis, thonë ekspertët e sigurisë. Edhe pse SHBA-të e kanë demantuar një gjë të tillë, kjo çështje këto ditë po analizohet në mënyrë intensive […]


Ndërtimi i Korridorit 8 do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për NATО-n dhe aleatët e saj evropianë nëse Shtetet e Bashkuara i japin fund pranisë së tyre ushtarake në portin në Aleksandropolis, thonë ekspertët e sigurisë. Edhe pse SHBA-të e kanë demantuar një gjë të tillë, kjo çështje këto ditë po analizohet në mënyrë intensive dhe edhe një herë e vë në fokus zbatimin e saj në Maqedoni, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
Sipas ekspertëve në rast konflikti ky do të ishte një korridor kyç përgjatë të cilit do mund të lëviznin ushtritë, me nisje nga portet italiane.
“Është një rrugë kyçe logjistike në krahun jugor të NATO-s që e lidh Detin Adriatik dhe Detin e Zi. Rëndësia e saj në momentin aktual gjeopolitik është e madhe,” e përcolli kështu BNR deklaratën e ministrit bullgar të transportit Grozdan Karaxhov, i cili shpjegoi se për momentin po punohet në mënyrë aktive për realizimin e Korridorit 8. Detyrim i Bullgarisë është që ta ndërtojë një lidhje hekurudhore nga Gjuesheva deri në kufirin me Maqedoninë me gjatësi prej rreth 2,4 kilometrash, e cila do të financohet në kuadër të programit “Lidhshmëria në transport”.
Pengesa do të tejkalohet me ndihmën e KE-së
Në janar qeveria bullgare i dërgoi Maqedonisë një propozim marrëveshje për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar në këtë Korridor. Në biznes forumin e djeshëm të organizuar nga Oda e Tregtisë dhe Industrisë Bullgaro-Greke në Sofje, Karaxhov theksoi se Greqia është partneri më i sinqertë dhe më i vlerësuar i Bullgarisë, gjë që dëshmohet nga prania serioze e biznesit grek në vend, por edhe nga interesat e përbashkëta ekonomike, sidomos në zhvillimin e lidhjeve të transportit pas anëtarësimit të Bullgarisë në Shengen. Megjithatë, ai theksoi se ka bashkëpunim të pamjaftueshëm me Maqedoninë.
“Gjëja tjetër që është shumë e rëndësishme për ne që ta zhvillojmë janë portet detare bullgare në Varna dhe Burgas, të cilat qëndrojnë në rrugën e trafikut të mallrave midis Azisë dhe Evropës – pra Korridori Perëndimor. Këtu kemi edhe një qëllim të përbashkët me Greqinë – me kolegun tim grek po punojmë në Korridorin 8 perëndimor”, ka thënë Karaxhov, duke shtuar se sërish nuk po hasin në bashkëpunim të mjaftueshëm nga Republika e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim, transmetoi BTA.
“Shpresojmë që me ndihmën e Komisionit Evropian do ta kapërcejmë këtë pengesë të fundit dhe udhëtarët, mallrat dhe kapitali do të mund të lëvizin lirshëm në të katër drejtimet”, shtoi ai.
Në diskutim ai e theksoi rëndësinë e infrastrukturës për ndërtimin e një aftësie të përbashkët mbrojtëse.
“Për fat të keq ne jetojmë në një kohë të ndryshimeve globale. Kohë që na mësojnë që të jemi të kujdesshëm, t’i zhvillojmë si marrëdhëniet tona ekonomike ashtu edhe aftësinë tonë të përbashkët mbrojtëse. Dhe kjo e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin mes Bullgarisë dhe Greqisë përgjatë aksit “Jug-Veri” dhe përgjatë aksit “Perëndim-Lindje” të Korridorit 8. “Shpresoj se me përpjekje të përbashkëta jo vetëm që do të bëhemi vende më të pasura dhe më të zhvilluara, por do të bëhemi edhe më të qëndrueshëm në drejtimin e mbrojtjes”, tha Karaxhov.
Nuk është një bazë amerikane
Presidenti amerikan Donald Trump i ka demantuar informacionet e publikuara në disa media se ushtria amerikane do të ndalojë me përdorimin e objekteve në qytetin verior grek të Aleksandropolis për shkak të afrimit të fundit të luftës në Ukrainë. Në një konferencë për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron, Trump u pyet nga një gazetar nëse SHBA planifikon ta “mbyllte bazën e saj ushtarake” në Аleksandropolis, siç publikoi një gazetë greke, ndërsa disa të tjera e përcollën mesazhin.
“Ky nuk është një informacion i saktë“, tha Trump.
Ndërkohë, përfaqësues zyrtarë të administratës amerikane kanë sqaruar se SHBA nuk ka një bazë ushtarake në Aleksandropolis.
“Bëhet fjalë për një objekt grek në të cilin Shtetet e Bashkuara kanë akses në bazë të një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Shërben si një qendër transporti për pajisjet ushtarake amerikane që sillen dhe që nisen nga Evropa. Nuk është një bazë amerikane”, tha një përfaqësues zyrtar i ushtrisë amerikane për agjencinë e lajmeve Anadolia.
Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit për portalin Breitbart ka deklaruar se SHBA nuk ka një bazë ushtarake në Aleksandropolis që duhet ta “mbyllin”, por i përdor objektet greke në port si një qendër transporti për lëvizjen e personelit ushtarak në Evropë. Gazeta greke “Katimerini” rikujtoi se që nga fillimi i luftës në Ukrainë Aleksandropolis është kthyer në një port strategjik për SHBA-në dhe NATO-n, i përdorur si një rrugë e rëndësishme furnizimi për ushtrinë e dislokuar në Evropën Lindore. Këto funksione të portit janë në kuadër të marrëveshjes pesëvjeçare të mbrojtjes greko-amerikane të nënshkruar në muajin maj të vitit 2022.
Detyrë e vendeve anëtare të NATO-s
Por demanti i SHBA-së nuk e uli intensitetin e analizave për rëndësinë e Korridorit 8.
“Më interesante është përgjigja e Zëvendës Shefit të Shtabit për Planifikimin e Forcave të NATO-s në Napoli, gjeneralmajor James Clark, i cili tha se ka ardhur në stërvitje në Bullgari nga Republika e Maqedonisë së Veriut”, raporton BNR.
Ai nuk u përgjigj në pyetjen nëse është biseduar për këtë temë me përfaqësuesit e mbrojtjes nga Maqedonia dhe nëse operacionet e NATO-s në krahun lindor janë stimul për ndërtimin e korridoreve përkatëse. Megjithatë, nga fjalët e tij u bë e qartë se ndërtimi i infrastrukturës ushtarake është detyrë e vendeve anëtare të NATO-s.
“Unë nuk do të hyj në detaje për atë që e definuam si na duhet. Sepse nga kjo do të përfitonin edhe kundërshtarët tanë. Çdo vendosje e forcave dhe shpejtësia me të cilën do të ndodhë varet nga specifikat e detyrës. Për shembull, nëse është e nevojshme të lëvizen objekte të mëdha ushtarake dhe njerëz, është më e përshtatshme që kjo të bëhet me rrugë detare ose hekurudhore. Por çështja është se gjatë kësaj stërvitje, NATO e demonstron aftësinë e saj për të reaguar në një moment krize,” tha Clark.
Tejkalimi i Maqedonisë
Ndryshe nga Korridori 8 (Lindje-Perëndim) që kalon nga Maqedonia drejt Bullgarisë, tek fqinji lindor po zhvillohen plane për një korridor alternativ, i cili do t’i bënte konkurrencë Korridorit 10 (Jug-Veri) nga Athina nëpërmjet Shkupit dhe Beogradit në Budapest dhe Vjenë, dhe i cili, së bashku me Korridorin 8, do t’i jepte përparësi strategjike në transport Maqedonisë.
Në Forumin Ekonomik të Sofjes u njoftua se po planifikohet një korridor tjetër Jug-Veri, për të cilin u dakordua një bashkëpunim trepalësh nga Greqia, Bullgaria dhe Rumania para Komisionit Evropian.
Plani është të përshpejtohet ndërtimi i korridoreve të transportit nga Selaniku deri në Vidin dhe nga andej në Evropën Veriore dhe Perëndimore, ose siç thotë ministri bullgar i transportit, “për një lidhje të shkurtër dhe të sigurt nga Athina në Helsinki, përparësia e këtij plani u shpjegua më parë me aderimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen, por edhe me interesat e këtyre vendeve për të marrë nën kontroll një pjesë të madhe të komunikacionit drejt dhe nga Evropa Qendrore”.
Më 15 janar Ministria Bullgare e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se Qeveria e Bullgarisë i ka dërguar Republikës së Maqedonisë së Veriut një projekt-kontratë për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar që lidh dy vendet.
Propozimi i shtetit bullgar, siç u njoftua në atë kohë, është që të dy qeveritë të ndërmarrin angazhime specifike dhe të qarta për realizimin e tunelit hekurudhor kufitar, i cili është pjesë kyçe e ndërtimit të Korridorit 8 të transportit evropian, i cili lidh Detin e Zi me detin Adriatik dhe kalon nëpër territoret e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Qeveria maqedonase më 28 janar njoftoi se ka marrë draft tekstin e Marrëveshjes për përgatitjen, ndërtimin dhe shfrytëzimin e tunelit ndërkufitar nga rruga hekurudhore e Korridorit 8, e cila ishte përgatitur dhe dërguar nga Bullgaria tek autoritetet maqedonase.
Ndryshe, Qeveria e Bullgarisë më 30 dhjetor të vitit të kaluar miratoi projekt-marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar “Deve Bair”, dhe siç njoftoi atëherë Ministria e Transportit bullgar, do të formohet një komision i përzier dhe teksti i marrëveshjes do të diskutohet me palën maqedonase.