Janev: Sasia e sekuestruar e kokainës i përket bandës së drogës së Rade Trajkovski-Shtekli

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev,  në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se sasia e konfiskuar e kokainës i përket grupit të drogës së Rade Trajkovski-“Shtekli”, shkruan Portalb.mk. “Mbi 4 kg kokainë u zbuluan dhe sekuestruan nga grupi i Shteklit. Këmbëngulja dhe profesionalizmi janë çelësi i punës së suksesshme hetimore. Në […]

shkurt 12, 2025 - 15:00
 0  5
Janev: Sasia e sekuestruar e kokainës i përket bandës së drogës së Rade Trajkovski-Shtekli
FOTO: Nga FB i kreut të BSP, Aleksandar Janev

Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev,  në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se sasia e konfiskuar e kokainës i përket grupit të drogës së Rade Trajkovski-“Shtekli”, shkruan Portalb.mk.

“Mbi 4 kg kokainë u zbuluan dhe sekuestruan nga grupi i Shteklit. Këmbëngulja dhe profesionalizmi janë çelësi i punës së suksesshme hetimore. Në koordinim me Prokurorin Publik vazhduam me veprimet kundër grupit kriminal të Shteklit dhe gjatë veprimeve shtesë, më pak se një muaj pas zbërthimit të grupit, të njëjtës bandë kriminale iu gjet dhe sekuestrua sërish drogë. Ne vazhdojmë angazhimin tonë për të luftuar trafikun e paligjshëm të drogës. Nuk ka struktura të pathyeshme kriminale – ne e konfirmojmë këtë me çdo sukses të ri dhe e hedhim poshtë mitin e pathyeshmërisë së individëve të caktuar”, ka shkruar Janev.

Prokuroria Publike paraprakisht bëri të ditur se për dy të arrestuarit është kërkuar paraburgim dhe arrest shtëpiak.

“Si rezultat i provave materiale dhe video të siguruara gjatë kontrolleve në aksionin e zhvilluar nën udhëheqjen e prokurorit publik më 18 dhe 19 janar të këtij viti, sot janë privuar nga liria dy persona. Personat akuzohen për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të substancave psikotrope dhe prekursorëve”, njoftoi Prokuroria.

Kujtojmë se, policia e RMV ka arrestuar Shteklin më 18 janar. Ai është privuar nga liria gjatë një aksioni policor me urdhër të Prokurorisë themelore publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shtekli akuzohet për trafikim me drogë, përkatësisht se udhëheq një grup prej mbi dhjetëra anëtarësh të cilët merren me shitjen e lëndëve narkotike. Shtekli u bë u njohur në opinionin, pasi brenda një periudhe të shkurtër ishte shënjestër e disa atenteve, ndaj tij. Incidenti i fundit ndodhi më 14 nëntor, kur u hodh mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen Qeramidnica, pas çka ai mori lëndime dhe u dërgua në spitalin e qytetit “Shën Naumi i Ohrit” për dhënien e ndihmës.

Incidenti i dytë ndaj po të njëjtit person ndodhi në tetor të vitit të 2023 në QT “East Gate”, e që ishte i dyti brenda dy muajsh.

Më 25 gusht 2023, po ashtu në garazhet e East Gate Mall- Shkup, pati të shtëna ndaj tij, pa pasoja. Më pas personat e maskuar që kishin qëlluar nga një automjet tip “Audi” me targa të huaja ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe automjeti u gjet në flakë në afërsi të liqenit të Treskës në drejtim të Gërçecit.

Incidentet janë seri e vrasjeve dhe zënkave midis bandave kriminale në Shkup.