Jurisprudenca në shqip përplas politikën: ASH dhe LSH kritikojnë propozimin e Qeverisë
Propozimi i Qeverisë që provimi i jurisprudencës të mbahet pjesërisht në gjuhën shqipe ka nxitur reagime në skenën politike shqiptare. Aleanca për Shqiptarët dhe kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, kanë kritikuar zgjidhjen e paralajm...
Propozimi i Qeverisë që provimi i jurisprudencës të mbahet pjesërisht në gjuhën shqipe ka nxitur reagime në skenën politike shqiptare. Aleanca për Shqiptarët dhe kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, kanë kritikuar zgjidhjen e paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, duke kërkuar që e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe të garantohet si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike të provimit.
Aleanca për Shqiptarët shpreh zhgënjim për mënyrën se si po trajtohet kërkesa e studentëve shqiptarë, duke rikujtuar premtimet e VLEN-it për një zgjidhje të plotë të çështjes. Sipas ASH-së, propozimi i bërë publik nga kryeministri Mickoski, sipas të cilit pjesa teorike mund të jepet në gjuhën e studimeve, ndërsa simulimi i procedurave penale dhe civile do të vazhdojë në maqedonisht, përbën zgjidhje të pjesshme dhe jo përmbushje të kërkesave të studentëve.
“Ku është VLEN në këtë rast që premtoi para studentëve zgjidhje të plotë, që provimi i jurisprudencës do të mbahet në shqip, si në teori ashtu edhe në praktikë?”, pyet Aleanca për Shqiptarët.
Partia vlerëson se VLEN-i, në vend që të realizojë premtimin publik, po kërkon durim nga studentët, ndërsa përgjegjësi për situatën i atribuon edhe Ministrisë së Drejtësisë, e cila, sipas saj, fillimisht refuzoi kërkesën dhe më pas prezantoi propozime të ndryshme e të paqarta.
“Gjuha e procedurës nuk është një pengesë teknike, por një çështje vullneti politik”, thekson ASH-ja, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në shqip, ndryshimin e menjëhershëm të ligjeve përkatëse dhe përafrimin e tyre me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Gjithashtu, kërkon afate konkrete dhe përgjegjësi nga ministri i Drejtësisë dhe VLEN-i, si dhe zgjidhje të njëjtë për provimet e noterisë dhe përmbarimit.
Ndërkohë, reagim të ashpër ka bërë edhe Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare, i cili propozimin e Qeverisë për provimin e jurisprudencës e konsideron si barazim të gjuhës shqipe me gjuhët e huaja dhe ato të komuniteteve më të vogla.
“Nëse deri sot Gjuha Shqipe ishte një gjuhë autoktone dhe zyrtare me ligj, por e ndaluar në përdorim, prej sot me propozimin e Qeverisë ajo bëhet një gjuhë e huaj ose gjuhë e minoriteteve”, shprehet Sela.
Sipas tij, fakti që pjesa teorike mund të jepet në gjuhën e studimeve, përfshirë anglishten dhe turqishten, ndërsa pjesa praktike mbetet vetëm në maqedonisht, përbën një zhvlerësim të pozitës së gjuhës shqipe.
“Kjo politikë ka për qëllim që shqiptarët t’i bëjë të huaj, turistë në vendin e vet, ndërsa pasojat e këtij propozimi do të reflektohen edhe në sfera të tjera”, ka deklaruar Sela.
Ai thekson se shqiptarët përbëjnë bashkësinë e dytë etnike në vend dhe se gjuha shqipe duhet të ketë statusin që, sipas tij, parashikohet nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.
“Çdo zgjidhje tjetër si kjo e propozuar nga Qeveria do të ishte antikushtetuese, antiligjore dhe degraduese për shqiptarët”, përfundon Sela.
Reagimet e dy subjekteve politike vijnë në një moment kur çështja e provimit të jurisprudencës është shndërruar në një debat më të gjerë mbi zbatimin e të drejtave gjuhësore, përgjegjësinë e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet dhe pozitën reale të gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Flaka Media
The post Jurisprudenca në shqip përplas politikën: ASH dhe LSH kritikojnë propozimin e Qeverisë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.