Kaltrina Zekolli-Shaqiri: Autostrada Shkup-Bllacë do të ndërtohet, por në trase tjetër
Pas njoftimeve të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski se do të rishikohet ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë dhe se pjesa e dytë 12 kilometra është e vështirë për t’u realizuar, sot është deklaruar zëvendësja e tij, Kaltrina Zekolli Shaqiri. Ajo sqaron se autostrada me Kosovën nuk është vënë në pikëpyetje, vetëm kërkohet një zgjidhje […]
Pas njoftimeve të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski se do të rishikohet ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë dhe se pjesa e dytë 12 kilometra është e vështirë për t’u realizuar, sot është deklaruar zëvendësja e tij, Kaltrina Zekolli Shaqiri. Ajo sqaron se autostrada me Kosovën nuk është vënë në pikëpyetje, vetëm kërkohet një zgjidhje më e përshtatshme, transmeton Portalb.mk.
Në deklaratën me shkrim thuhet se për shkak të zgjedhjes së gabuar dhe të palogjikshme të traseve nga drejtuesit e mëparshëm të Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore, të cilët kanë preferuar një terren malor të vështirë dhe të shtrenjtë për ndërtim, pa arsye të qarta, është i domosdoshëm një riprojektim.
“Në lidhje me dezinformatat e fundit që po qarkullojnë në media, dëshiroj të sqaroj se ministri Nikollovski nuk ka deklaruar se projekti i autostradës Shkup-Bllacë nuk do të përfundojë. E vërteta është se segmenti i parë prej 2 kilometrash tashmë ka përfunduar dhe pritet të hapet për qarkullim brenda dy muajve të ardhshëm. Për pjesën tjetër të autostradës, ne po shqyrtojmë mundësinë e riprojektimit për të siguruar një zgjidhje më të përshtatshme dhe më të qëndrueshme”, thotë Zekolli.
Ajo shton se nga 12 kilometrat e planifikuara, 6 kilometra janë parashikuar të jenë tunele, duke e bërë këtë projekt jashtëzakonisht të kushtueshëm pa arsye të qarta me një kosto të parashikuar prej afërsisht 240 milion eruo për 12 kilometrat e mbetura, ose rreth 20 milion euro për kilometër gjë që e bënë këtë projekt një ndër projektet me koston më të lartë për një kilometër në rajon.
“Aktualisht, ne si ministri po shqyrtojmë mundësitë për një trase alternative, më të favorshme, që do të kalojë përgjatë rrugës ekzistuese. Kjo zgjidhje do të sigurojë një qasje më të lehtë për qytetarët dhe një kosto ndërtimi më të arsyeshme, në përputhje me standardet normale të ndërtimit të rrugëve. Qëllimi ynë është të përfundojmë këtë projekt në mënyrë efikase dhe me kosto efektive, duke siguruar që autostrada Shkup-Bllacë të jetë një rrugë moderne dhe funksionale, që plotëson nevojat e qytetarëve dhe kontribuon në zhvillimin e rajonit”, tha Zekolli.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski dje tha Ministria e Transportit dhe “Rrugët e Maqedonisë” do të rishikojnë projektin për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, gjegjësisht për 12 kilometrat e mbetura nga gjithsej 14, për shkak se janë ngritur një sërë dilemash për projektin ekzistues. Këtyre institucioneve u duhet të vendosin nëse projekti, në formë që është, është ose jo i realizueshëm. Mjetet nga Banka Evropiane për Zhvillim janë siguruar por janë të pamjaftueshme për realizimin e versionit që është zgjedhur, deklaroi Nikollovski, duke shtua se nuk ka marrë sqarim nga drejtuesit e kaluar, përse është zgjedhur një trase e re, dhe jo ajo ekzistuese që të çon drejt Bllacës.
Ndryshe, Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit që lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe me të cilën duhet të lidhet edhe autostrada Shkup-Bllacë po ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash. Kjo atuostradë shihet edhe si alternativë e vetme e lidhjes së Maqedonisë me autostradën Rruga e Arbrit që lidhë Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë. Ky projekte po premtohet me vite të tëra.
Sipas raportit të auditimit, autostrada e dytë më e shtrenjtë është Shkup – Bllacë, ku për dy kilometra ndahen gati 6 milionë euro.
Nga Auditimi shtuan se në përmirësimin dhe zhvillimin e rrugës – Rankovcë – Kriva Pallankë në gjatësi prej 25,5 km janë investuar 2.774.354 mijë denarë, ndërsa në autostradën Shkup – Bllacë me gjatësi totale prej 2 kilometra (afërsisht 5 .9 milionë euro).