Kasami: Ali, Artan dhe Talat, stadiumi do ndërtohet!

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka reaguar ndaj Qeverisë e cila solli vendim për ndërprerjen e punimeve në stadiumin e Tetovës. “Pas shkatërrimit 8 vjeçar që ia bën tetovarëve, qeveria në ikje vazhdon edhe më tej të dëmtojë Tetovën dhe qytetarët e saj. Këtë here duke sjell vendim për ndërprerjen e punimeve në […]

maj 22, 2024 - 05:00
 0  5
Kasami: Ali, Artan dhe Talat, stadiumi do ndërtohet!

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka reaguar ndaj Qeverisë e cila solli vendim për ndërprerjen e punimeve në stadiumin e Tetovës.

“Pas shkatërrimit 8 vjeçar që ia bën tetovarëve, qeveria në ikje vazhdon edhe më tej të dëmtojë Tetovën dhe qytetarët e saj. Këtë here duke sjell vendim për ndërprerjen e punimeve në stadiumin e qytetit të Tetovës. Edhe njëherë dëshmuat se kush jeni ju, dëshmuat se vetëm dëm i keni bërë këtij vendi!

Ditët i keni të numëruara, me vendime të tilla nuk na ndaloni të punojmë për qytetarët tanë. Stadiumi do bëhet, pavarësisht se nuk ju vjen mirë juve, qeveria e punës po vjen, Tetova dhe gjithë qytetet e vendit do ndërtohen dhe zhvillohen siç iu ka hije!

Regjimi po ikën!”, ka shkruar Kasami.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi kërkoi mendim nga Gjykata Kushtetuese, shqyrtoi rastin me shfrytëzimin dhe zhvillimet rreth stadiumit të ri në Tetovë dhe solli disa konkluzione.

“Qeveria në shqyrtimin e kishte parasysh nismën e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin dhe ku tregohet se Stadiumi i ri i futbollit, me vendim të Qeverisë në vitin 2015, i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim Komunës së Tetovës. Komuna, siç theksohet, pa bazë ligjore, ia ka dhënë Stadiumin në shfrytëzim të përhershëm NP “Tetova transport”. Edhe kryetari i komunës së Tetovës, Komuna Tetovë dhe NP “Tetova transport” në një manifestim publik kanë promovuar projektin për rrënimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit.

Qeveria në arritjen e konkluzioneve të mbledhjes së sotme ka marrë parasysh edhe dispozitat e Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet në pronë shtetërore dhe me sendet në pronë komunale, sipas së cilës kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Është konstatuar se Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë informacione të plota lidhur me statusin e Stadiumit të Ri të Futbollit – Tetovë, PK nr. 11476. Në ndërkohë, t’i dërgohet një udhëzim Komunës së Tetovës, që të ndërpriten punimet në terren, derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit.

Gjithashtu, Qeveria vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e këtij rasti dhe të deklarohet për Iniciativën e paraqitur për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së veprimit në të. Qeveria konkludoi gjithashtu se duhet të shqyrtohen bazat ligjore, sipas Kodit Penal, për fillimin e kallëzimit përkatës pranë organeve kompetente në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.