KE po bën përpjekje për të përshpejtuar pagesën e mjeteve për RMV-në nga parafinancimi
Komisioni Evropian është duke punuar në pagesën sa më të shpejtë të parafinancimit për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, raporton Telma, transmeton Portalb.mk. Zëdhënësi i KE tha se shërbimet po finalizonin hapat procedural për lirimin e fondeve në vitin 2025. Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, pas autorizimit […]
Komisioni Evropian është duke punuar në pagesën sa më të shpejtë të parafinancimit për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, raporton Telma, transmeton Portalb.mk.
Zëdhënësi i KE tha se shërbimet po finalizonin hapat procedural për lirimin e fondeve në vitin 2025.
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, pas autorizimit në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 13 nëntor nënshkroi kërkesën për para-financim prej 7% në kuadër të Agjendës Reformuese të vendit. Me dërgimin e kësaj kërkese në vlerë prej 52,5 milionë euro, Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë në rajon që ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për para-financim në kuadër të mekanizmit të ri financiar evropian.
Maqedonia e dorëzoi Agjendën e Reformës në korrik 2024, e cila u miratua në tetor.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.