KFOR: Kemi rreth 4700 trupa në Kosovë, të gatshëm për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi të mundshëm
Ishte 24 marsi i vitit 1999 kur NATO-ja filloi sulmet mbi caqet strategjike të ish-Jugosllavisë, sulme këto që zgjatën 78 ditë dhe rezultuan me përfundimin e luftës në Kosovë, duke i dhënë fund kështu dhunës së Sllobodan Millosheviqit ndaj shumicës shqiptare në vend. Pas dorëzimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, ish-presidenti amerikan Bill Clinton


Ishte 24 marsi i vitit 1999 kur NATO-ja filloi sulmet mbi caqet strategjike të ish-Jugosllavisë, sulme këto që zgjatën 78 ditë dhe rezultuan me përfundimin e luftës në Kosovë, duke i dhënë fund kështu dhunës së Sllobodan Millosheviqit ndaj shumicës shqiptare në vend.
Pas dorëzimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, ish-presidenti amerikan Bill Clinton njoftoi për përfundimin e kësaj lufte të tmerrshme.
“Sonte, për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 10 qershor të vitit 1999.
Atë natë, NATO-ja ndërpreu bombardimet kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi.
Fushata e sulmeve, që zgjati 11 javë, u ndërmor për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Kërkesat e një komuniteti ndërkombëtar – të indinjuar dhe të bashkuar – janë përmbushur”, tha Clinton, duke sqaruar se ato përfshinin: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre.
“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”, tha Clinton 25 vjet më parë.
NATO-ja i ndërpreu sulmet pas 78 ditësh – përkatësisht më 10 qershor, 1999 – apo një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.
Beogradi kishte 11 ditë kohë për t’i zhvendosur 40.000 forcat e tij të sigurisë jashtë Kosovës.
KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa.
Italia dhe SHBA-të më së shumti trupa në kuadër të KFOR-it
Gati 26 vite më pas në Kosovë kanë mbetur rreth 4700 trupa të KFOR-it, të cilët vijnë nga 29 vende të ndryshme të botës.
Sipas përgjigjeve të zyrës për informim të KFOR-it për portalin FrontOnline, më së shumti trupa paqeruajtëse në kuadër të KFOR-it ka Italia (1258), SHBA-të (602), Hungaria (365), Turqia (325), Gjermania (269), etj. Ndërsa Shqipëria i ka 90, etj.
Në një përgjigje për “Front Online” nga KFOR-i kanë theksuar se arritjet në 26 vitet e fundit, duke përmendur zvogëlimin e numrit të trupave nga rreth 50,000 në 1999 në mbi 4,600 sot.
KFOR ka nënvizuar se stabiliteti në rajon varet nga angazhimi i të gjitha palëve për të zgjedhur diplomacinë në vend të dhunës.
“KFOR-i ka arritur rezultate të prekshme në 26 vitet e fundit, pasi ka qenë në gjendje të zvogëlojë pozicionin e forcave dhe trupat e tij nga rreth 50,000 në 1999 në mbi 4,600 sot. Stabiliteti në rajon në fund të fundit varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës”, thuhet në përgjigje.
Zgjidhja afatgjatë për paqen, sipas KFOR, është politike dhe duhet të përfshijë Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë të vetme për trajtimin e çështjeve politike.
“NATO-ja po jep kontribute të rëndësishme ushtarake, zgjidhja për paqen afatgjatë është politike. NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si korniza e vetme për zgjidhjen e çështjeve politike në pritje me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve”, thuhet në përgjigje për FrontOnline.
KFOR: Përforcimi më i madh i trupave shtesë në Kosovë ndodhi në vitin 2023 në veri
Nga KFOR-i për “Front Online” kanë njoftuar se përforcimin më të madh të misionit të tij në një dekadë, e kanë bërë në vitin 2023.
“Në vazhdën e dhunës në vitin 2023, ne dislokuam deri në 1000 trupa shtesë në Kosovë dhe rritëm qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit tonë në një dekadë”, kanë deklaruar zyrtarët e KFOR-it për FrontOnline.
Po ashtu, në 2025-ten, NATO ka dërguar mbi 200 trupa rezervë nga brigada italiane “Sassari” për të mbështetur operacionet në Kosovë.
“Në fillim të këtij viti, NATO dislokoi mbi 200 forca rezervë nga brigada italiane “Sassari” në Kosovë. Këto trupa shtesë po veprojnë në baza të përkohshme së bashku me trupat e KFOR-it, duke rritur aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant të situatës së sigurisë, veçanërisht rreth periudhës së zgjedhjeve”, thuhet në përgjigje.
Tutje, në përgjigje thuhet se KFOR-i vazhdon të mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të kundërvënë çdo kërcënim të mundshëm, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.
“Situata e sigurisë tani është e qetë, por ende e brishtë. Megjithatë, KFOR-i është vigjilent dhe i gatshëm për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi të mundshëm, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar për një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes”, thuhet në përgjigje.
KFOR-i: Bashkëpunimi ndërkombëtar, kyç për menaxhimin e sigurisë rajonale
Në një përgjigje për “Front Online” nga KFOR-i kanë njoftuar për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe komunikimit të vazhdueshëm me partnerët vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë për të siguruar stabilitetin rajonal.
Tutje, thuhet se KFOR-i vazhdon të mbajë një koordinim të fortë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
“Së bashku me gatishmërinë dhe gatishmërinë operacionale të KFOR-it, ne ndjekim bashkëpunim të fortë dhe komunikim të rregullt dhe të bazuar në besim me bashkëbiseduesit tanë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë. Të gjitha këto aspekte janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe menaxhimin efektiv të shqetësimeve të sigurisë. KFOR-i mban një koordinim të fortë me organizatat e sigurisë së Kosovës, duke punuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përgjigje.
Sipas KFOR-it, ushtrimet e rregullta dhe stërvitjet sigurojnë një bashkëpunim të pandërprerë.
Gjithashtu, thuhet se që nga viti 2016, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s ka mbështetur forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Ushtrimet e rregullta stërvitore sigurojnë bashkëpunim të pandërprerë. Që nga viti 2016, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) ka mbështetur rolin e mbrojtjes civile të FSK-së përmes ngritjes së kapaciteteve dhe trajnimeve. KFOR-i gjithashtu ruan bashkëpunim të mirë me Forcat e Armatosura të Serbisë, siç dëshmohet nga kontaktet e rregullta të KFOR-it që kemi me homologët tanë serbë, duke përfshirë komandantin e KFOR-it (gjeneralmajor Barduani) dhe shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë (gjeneral Mojsilovic)”, thuhet në përgjigje.
Përndryshe, lufta në Kosovcë përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur – mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.
“Në Kosovë, ne kemi bërë gjënë e duhur. E kemi bërë në mënyrën e duhur. Dhe, ne do ta përfundojmë punën”, pati deklaruar presidenti Clinton natën e 10 qershorit, 1999, pas përfundimit të sulmeve të NATO-s./FRONTONLINE/