Kocevski për ribalancimin e Buxhetit për vitin 2024: Me këtë reduktim vihet në pikëpyetje puna e rregullt e prokurorive publike
Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, sot iu drejtua deputetëve të Komisionit për financim dhe buxhet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën lidhur me Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, në të cilin fondet bazë për funksionimin […]
Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, sot iu drejtua deputetëve të Komisionit për financim dhe buxhet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën lidhur me Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, në të cilin fondet bazë për funksionimin e prokurorive zvogëlohen për më shumë se një milion euro nga sa ishte planifikuar fillimisht për këtë vit. Ai në seancë ia përcolli qëndrimin kolegjiumit të ekspertëve të Prokurorisë Publike, i cili dje në përbërje të zgjeruar njëzëri vlerësoi se një ulje e tillë vë në pikëpyetje punën e rregullt të prokurorive publike, veçanërisht duke pasur parasysh se zvogëlimi i fondet me ribalancim propozohen pothuajse në të gjithë drejtimet, duke përfshirë paratë e parashikuara për veprime hetimore, për ekspertizë dhe analiza, për mirëmbajtjen e mjeteve të nevojshme për kontroll, transmeton Portalb.mk.
“Duke pasur parasysh se fondet e parashikuara më parë në Buxhetin për vitin 2024 ishin vetëm gjysma e asaj që ligjërisht ishte parashikuar të ndaheshin për prokurorinë dhe minimalisht mbulonin nevojat e procedimit, çdo shkurtim shtesë në kushte të rritjes së përgjithshme të të gjitha shpenzimeve kërcënon punën e prokurorive publike”, tha Kocevski.
Ai argumentoi se edhe pse ende nuk është miratuar ribalancimi i buxhetit, paratë për pajisje tashmë janë prerë nga llogaritë e Prokurorisë Publike, në të cilat janë lidhur kontrata për prokurimin publik të planifikuar dhe realizuar më parë të pajisjeve informative (rreth 50 kompjuterë, printera dhe skanerë ) dhe për të cilët nuk ka më fonde të mjaftueshme për t’u mbuluar. Në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve për shpenzimet e përgjithshme, prokuroritë publike duhet të marrin më pak para se sa ishte planifikuar fillimisht për këtë qëllim. Mbi 80 mijë euro janë duke u shkurtuar për mirëmbajtjen e vazhdueshme të sistemeve, përfshirë sistemin harduerik dhe softuerik, ambientet e prokurorive etj. Reduktim ka edhe fondet e parashikuara për trajnimin e punonjësve. Në të njëjtën kohë, kërkesa e Prokurorisë Publike me ribalancimin për ndarjen e mjeteve në mënyrë që prokurori publik i caktuar për lidhjet në Eurojust të kryejë pa probleme funksionin e tij në Hagë dhe të mundësojë bashkëpunim me këtë institucion kyç evropian, u refuzua.
“Prokuroria Publike është një autoritet përgjegjës, i cili nuk shpërdoron para buxhetore dhe që respekton absolutisht parimin e ekonomizimit në të gjitha blerjet dhe shpenzimet. Përkundër kësaj, prokuroria nuk merr mjetet e parashikuara me ligj, të nevojshme për funksionim dhe kjo është theksuar rregullisht në çdo raport vjetor të punës që ne i dorëzojmë institucioneve kompetente. E njëjta gjë theksohet në raportin e Entit Shtetëror për Revizion gjatë auditimit të përputhshmërisë së Buxhetit Bazë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023”, tha prokurori publik i shtetit.
Për krahasim, ai prezantoi para deputetëve të dhënat sipas të cilave nuk ka asnjë vend në të gjithë rajonin që investon më pak në prokurori se e jona.
“Kudo në rajon pesha e buxhetit për prokuroritë në totalin e buxhetit është në rritje, ndërsa këtu është në rënie. Për krahasim, Mali i Zi, me një popullsi prej rreth 600 mijë banorësh dhe një buxhet shtetëror gati dyfish më i vogël se i yni, i akordon prokurorisë pothuajse po aq para sa vendi ynë. Kosova ndan mbi 4 milionë euro më shumë në shumën totale të parave”, ka theksuar Kocevski para deputetëve.
Kjo thuhet edhe në raportin e fundit për sundimin e ligjit të Komisionit Evropian, i cili për herë të parë përfshin vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe sipas të cilit burimet e kufizuara financiare të alokuara për gjyqësorin mund të ndikojnë në pavarësinë e tij financiare, dhe deficiti i burimeve njerëzore mund të ndikojë në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë.
Ribalanci tregon se edhe kësaj here, si edhe dhjetëra herë në të kaluarën, sapo duhet të shkurtohen të holla nga diku merret nga gjyqësia dhe Prokuroria, të cilët edhe ashtu nuk i marrin të hollat që duhet t’i marrin sipas ligjeve të votuara në Kuvend.
VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shpërbërjen e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor dhe reformim në pjesën e zgjedhjes së ardhshme të anëtarëve të tij. Në një prononcim për “Sloboden Peçat” dhe “Fokus” Këshilli tha se gjyqësori, si një nga tre autoritetet, është i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga autoritetet e tjera mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.