Komuna e Tetovës e harroi transparencën për kontratat në vepër, BDI ia rikujton, Kasami: Ka ndodhur lëshim
Persona pa asnjë angazhim konkret në Komunën e Tetovës po paguhen përmes kontratave në vepër, kështu duke abuzuar mjetet publike. Kështu ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, dega e Tetovës, të cilët kërkojnë transparencë nga udhëheqësia komunale lidhur me kontratat në vepër. Komuna e Tetovës edhe pse pati premtuar, deri më tani nuk i ka […]


Persona pa asnjë angazhim konkret në Komunën e Tetovës po paguhen përmes kontratave në vepër, kështu duke abuzuar mjetet publike. Kështu ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, dega e Tetovës, të cilët kërkojnë transparencë nga udhëheqësia komunale lidhur me kontratat në vepër. Komuna e Tetovës edhe pse pati premtuar, deri më tani nuk i ka bërë publike emrat, funksionet dhe shumat e kontratave në vepër që nga viti 2024 e këndej. Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami thotë se ka pasur ndonjë lëshim dhe se kontratat do të publikohen, shkruan Portalb.mk.
BDI Tetovë thotë se persona pa asnjë angazhim konkret në Komunë po paguhen përmes kontratave në vepër.
“Këto pagesa, të pajustifikuara në aspektin profesional dhe moral, përbëjnë një abuzim me mjetet publike dhe një padrejtësi ndaj qytetarëve të Tetovës. Paratë publike nuk janë për shërbime politike e as për logjistikë partiake, ato janë për projekte konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Tetova ka nevojë për investime të ndjeshme në infrastrukturë, arsim, zhvillim ekonomik lokal dhe shërbime efikase në çdo lagje”, thanë nga BDI Tetovë.
Ata kërkojnë transparencë dhe qytetarët të dinë se ku shkojnë paratë e tyre.
I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se mund të ketë ndodhur ndonjë lëshim.
“Mund të ketë qenë lëshim, ne e kemi pasur si sistem që çdo tre muaj të bëjmë publikimin e kontratave. Kam dhënë urdhër, me siguri brenda ditës është bërë. Nuk kemi asgjë çka të fshehim, gjithë ata që janë angazhuar me kontratë në vepër kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aspektin profesional”, tha Kasami.
Ai sqaroi se angazhimi me kontratë në vepër nuk është punësim, por se janë angazhime të profesionistëve në lëmi të ndryshme si nga mjedisi jetësor apo avokatë të ndryshëm të cilët kontribuojnë që komuna të ketë bashkëpunim të afërt me vendet jashtë Maqedonisë së Veriut.
“Në Komunë të Tetovës askush nuk merr para pa e dhënë kontributin në të mirë të qytetarëve”, tha Kasami.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës nuk i ka publikuar të dhënat për kontratat në vepër që nga fillimi i vitit 2024 e këndej.
Në vitin 2023 në Komunën e Tetovës u lidhën 20 kontrata në vepër.
Në vitin 2022 numri i kontratave në vepër ishte 142.
Kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjendet edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.
- LEXO: Pas lajmit të Portalb Komuna e Tetovës e publikoi listën e kontratave në vepër për gjysmën e dytë të vitit 2023, por nuk i tregon shumat (lista)
- LEXO: Pas lajmit të Portalbit, Komuna e Tetovës e publikoi listën e të punësuarve me kontratë në vepër për tetor-dhjetor 2022
- LEXO: Kjo është lista e kontratave në vepër në Komunën e Tetovës për vitin 2021 (Dokument)
