Konventa e Bernës kërkoi sërish ndërprerjen e koncesioneve për hidrocentralet e vegjël në Mavrovë

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës kërkoi edhe një herë që të ndërpriten të gjitha koncesionet për hidrocentralet e vogla në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Në seancën e fundit u konstatua se vendi nuk i respekton në mënyrë të vazhdueshme marrëveshjet e tyre pasi edhe pse koncesionet për Zhirovnika 5 dhe 6 u anuluan, […]

dhjetor 10, 2024 - 12:00
 0  5
Konventa e Bernës kërkoi sërish ndërprerjen e koncesioneve për hidrocentralet e vegjël në Mavrovë
Nga ndërtimi i një hidrocentrali të vogël në Markova Reka | Foto: arkiv privat

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës kërkoi edhe një herë që të ndërpriten të gjitha koncesionet për hidrocentralet e vogla në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Në seancën e fundit u konstatua se vendi nuk i respekton në mënyrë të vazhdueshme marrëveshjet e tyre pasi edhe pse koncesionet për Zhirovnika 5 dhe 6 u anuluan, vendimi për ndërprerjen përfundimtare të kontratave të tyre nuk u mor. Koncesioni për hidrocentralin Ribniçka ende nuk ka përfunduar. Ndryshe nga rekomandimi, muajin e kaluar Qeveria vazhdoi koncesionet për disa hidrocentrale të rinj, njëri prej të cilëve është brenda kufijve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, transmeton Portalb.mk.

Konventa e Bernës konkludoi se progresi me rishpalljen e Mavrovës park kombëtar është i pamjaftueshëm, duke qenë se Studimi i valorizimit të Mavrovës nuk është finalizuar dhe nuk ka filluar ende zhvillimi i Planit për Menaxhimin e Parkut. Nuk ka lëvizje as në Planin e veprimit për mbrojtjen e rrëqebullit ballkanik, një specie e rrezikuar kritike që shumohet ekskluzivisht në Parkun Kombëtar të Mavrovës.

“Konventa e Bernës në mbledhjen e 44-të shprehu shqetësimin për progresin e pamjaftueshëm në rastin e Mavrovës. Presim që sa më shpejt që të jetë e mundur të iniciojnë një takim bilateral me Qeverinë tonë për të shpjeguar pritjet nga zbatimi i rekomandimit 211 nga viti 2021, sepse mesa duket nuk po merret seriozisht”, thotë Ana Çoloviq Lesoska nga Eko Svest.

Me rëndësi të madhe për mbylljen me sukses të çështjes është miratimi i Ligjit për ujërat dhe Ligji i ri për natyrën, shpallja e Mavrovës në përputhje me standardet ndërkombëtare, miratimi i një plani veprimi për rrëqebullin e Ballkanit dhe sigurimi i financave shtetërore për zonat e mbrojtura. Rekomandimi kryesor mbetet ndalimi i ndërtimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, i cili duhet të vendoset urgjentisht ligjërisht dhe të zbatohet praktikisht.

Rasti për Mavrovën u hap në vitin 2014 me iniciativën e Eko Svest dhe që atëherë Konventa e Bernës me vigjilencë e monitoron progresin e Maqedonisë në lidhje me rekomandimet e dhëna për zgjidhjen e këtij rasti.

Komiteti i Konventës së Bernit edhe në dhjetor të vitit të kaluar në seancën e 43-të kërkoi nga vendi ynë që menjëherë ta anulojë Ribniçkën në Mavrovë dhe të shkëputen të gjithë koncesionet për hidrocentrale të vegjël në Malin Sharr. Komiteti kërkoi edhe që të përshpejtohet shpallja e Parkut kombëtar Mavrovë dhe miratimi i ligjeve për ujërat dhe mbrojtjen e natyrës.